Ka nisur në Tiranë sesioni i hapjes së Kongresit Botëror të Ligjit, një ngjarje që do të mbledhë vitin e ardhshëm në Shqipëri personalitetet më të rëndësishme të drejtësisë ndërkombëtare.
Kryeministri Edi Rama tha se ‘Askush nuk do ta kishte imagjinuar disa vite më parë që Kongresi Botëror i Ligjit do të mbahej në Tiranë;, duke shtuar se përzgjedhja e Shqipërisë si vend mikpritës nuk lidhet me faktorë gjeografikë apo klimatikë, por me hapat që vendi ka bërë në dekadën e fundit në drejtim të reformës në drejtësi.
Ai kujtoi gjithashtu procesin e vettingut në drejtësi, duke thënë se në kohën kur u konceptua reforma, u zhvillua edhe një anketim publik ku, sipas tij, 90% e shqiptarëve e mbështetën fuqimisht procesin e vettingut për gjyqtarët dhe prokurorët.
“Kongresi Botëror i Ligjit është një institucion i mirënjohur botëror, i cili, nën kujdesin e mbretit të Spanjës, Felipe VI, dhe me punën e palodhur të Shoqatës Botërore të Juristëve, përcjell në mbarë botën mesazhin e pikërisht atij motivi që lindi shoqëritë: mesazhin e një bote të qeverisur nga ligji dhe nga forca e tij.
Nuk besoj se do të kishte këtu, në këtë sallë apo jashtë saj, një shqiptar të vetëm që do të ngrinte dorën nëse unë do të pyesja nëse do ta kishte imagjinuar vetëm disa vite më parë që Kongresi Botëror i Ligjit do të mbahej në Tiranë në vitin 2027. Askush nuk do ta kishte imagjinuar që Tirana do të përzgjidhej nga kjo platformë prestigjioze si vend mikpritës i këtij kongresi, jo për pozicionin e saj gjeografik, klimën apo mikpritjen, por për atë që Shqipëria ka bërë në dekadën e fundit në raport me një sfidë historike.
Më kujtohet kur ne bëmë një anketim publik për vettingun, në kohën kur konceptonim dhe çonim përpara reformën në drejtësi. Dihet botërisht që vettingu ishte një pikë kyçe, tek e cila ishim ne që besonim të parët dhe pastaj bëmë të gjithë përpjekjet që edhe ata që sot e mbështesin, apo që në atë kohë nuk e mbështesnin vettingun si një moment kthese në historinë e drejtësisë shqiptare, ta besonin ashtu siç e besonim ne. Këtu e kam fjalën për të gjithë partnerët tanë të çmuar në këtë rrugë, ku mbështetja ishte thelbësore.
Në atë anketim publik, 90% e shqiptarëve mbështesnin fuqimisht vettingun e gjyqtarëve dhe prokurorëve, dhe ju e dini shumë mirë që të bashkosh 90% të shqiptarëve për një çështje është diçka jashtëzakonisht e rrallë”,- tha Ramandër të tjera.
Ministri i Drejtësisë, Toni Gogu, tha se pas 10 vitesh nga themelimi i reformës në drejtësi, Shqipëria reflekton sot mbi rezultatet e arritura dhe sheh përpara për përmirësime.
“Sot kemi zgjedhur të reflektojmë mbi një dekadë transformimi debatesh, rezistence pro dhe përpjekjesh. Sot jemi mbledhur për të reflektuar për një pyetje që është globale: a kanë shoqëritë demokratike vullnetin për të formuar veten? Unë personalisht i përkas një brezi juristësh kur Shqipëria përpiqej të ndërtonte një sistem demokratik dhe institucione të besueshme. 10 vite më parë Shqipëria mori një reformë të thellë në sistemin e drejtësisë. Ishte një reformë jashtëzakonisht e rëndësishme dhe në shumë momente e dhimbshme, nuk ishte një rregullim teknik, ishte një zgjedhje për të rregulluar një marrëdhënie mes pushtetit dhe ligjit. Ky transformim nuk erdhi rastësisht, u ndërtua përmes një procesi gjithëpërfshirës me ekspertizë ndërkombëtare.”