Një fond dokumentesh origjinale të kompozitorit të mirënjohur austro-hungarez Franz Liszt ruhet në Arkivin Qendror Shtetëror në Tiranë. Fondi ka gjithsej dy dosje, me tri fletë auto shkrim të Liszt-it, një partiturë origjinale, si dhe me 18 fletë përkthime, historik fondi, akte të dorëzimit të lëndës në arkiv nga një familje qytetare shkodrane e dëshmi të tjera.
Ndërsa për rëndësinë cilësore që ka, fondi i Liszt-it, me numër reference 65, ruhet në një “chambre forte”, së bashku me kodikët e Shqipërisë dhe vlera të tjera të jashtëzakonshme të thesarit arkivistik kombëtar.
Në AQSH Liszt-i gjendet qysh prej vitit 1962. Më parë dokumentet kanë qenë pronë kulturore e familjes së Kolë Lukës dhe janë ruajtur për mbi një shekull prej disa brezash të saj.
Fati i mbërritjes dhe i ruajtjes së dokumenteve të Liszt-it në Shqipëri është në vetvete një histori që qëndron në lartësinë e emrit të krijuesit të tyre, për nga rrjedha dramatike dhe shpesh herë e rrezikuar e saj.
Kolë Luka, i cili pati meritën që, duke njohur Liszt-in, i shpëtoi këto dokumente nga “shitja me kilogram” si letër për karton, në aktin e dorëzimit të tyre në Arkivin Qendror Shtetëror e përshkruan hollësisht aventutën e partiturës dhe dy letrave origjinale të kompozitorit të madh austriak nëpër botën shqiptare:
“Gjyshat e mijë Shuk e Lukë Luka nga qyteti i Shkodrës kanë qenë tregtarë dhe bajshin tregti me qytete jashtë shtetit: në Ulqin, Gjakovë, Prizrend, Greqi dhe Shëngjin. Shuku, që ishte vllau ma i madh, kishte miqësi me nji çifut, i cili merresh me antikitete. Çifuti i pat falë Shukut, kundrejt nji dhurate që i dha ky, një libër, si bashku me dokumentat e F. Listit, tue i thanë që t’i ruente me kujdes të madh, sepse kishin vlerë për historinë e muzikës. Emni i çifutit nuk i kujtohet babës, i cili më tregoi historinë e gjetjes së dokumenteve që tekstualisht po shënoj.
Dy vllazent vdiqën në Shëngjin nga kolera. Në atë kohë kishte ra epidemi që u përhap në shumë vende dhe bani kërdinë në popull, atëherë të pa mbrojtun nga mjekësia. Kjo ngjau rreth 120 vjet ma parë. Kur morën vesh vdekjen e tyne u nisën në Shëngjin (në atë kohë me kual) gjyshja bashkë me të vllanë dhe atje, në dyqan, u gjetën vetëm dokumente tregtije, diftesa etj. I gjithë malli ishte vjedhun dhe në mes të atyne dokumenteve që sollën në Shkodër u gjetën në një libër
dokumentet e F. Listit. Materialet e sjelluna në Shkodër u vendosën tek nji njeri për t’i ruejtun; një pjesë e të cilave u shitën me kilogram, sepse nuk kishte vend dhe nuk i kuptonte vlerën. Aty mendojmë të ketë pasë edhe dokumente të tjera, disa dorëshkrime etj. Në nji kurs pikture që kam pasë ba kur ishje ende i vogël në shkollë fillore kam pasë pikturue portretin e F. Listit dhe e dijshe se asht muzikant i madh dhe me famë. Kur më ranë në dorë dokumentat, un i ruejta në librat e shkollës për t’i nxjerrë ma vonë, kur mund të njifesha me ndonjë njeri të muzikës ose t’i dorëzojshe tek njerëz që i njohin dhe i vlerësojnë si duhet.
Me nderime,
Kolë Luka
Shkodër, dt. 10/I/1963”
Sikurse dëshmohet prej Kolë Lukës, Liszt-i origjinal që ruhet në Arkivin Qendror Shtetëror e ka prekur hapësirën shqiptare më së voni ndërmjet viteve 1842-1845. Duke shtuar edhe kohën e qëndrimit të AQSH, afërsisht 40 vjet, rezulton se partitura dhe dy letrat e tij auto shkrim kanë mbi 160 vjet që qëndrojnë larg vëmendjes së botës së artit, duke qenë të pa promovuara ndonjëherë.
Nga e njëjta dëshmi njoftohemi se gati rastësisht këto dokumente ranë në dorë të gjyshërve Luka, gati rastësisht shpëtuan në kohën e kolerës dhe të grabitjes së dyqanit, gati rastësisht u veçuan mënjanë si shkrime të vlefshme nga Kolë Luka kur librat e llogarisë, dëftesat dhe dokumentet e tregtisë iu shitën me kilogram një familjeje tjetër shkodrane që kishte vend për t’i ruajtur, gati rastësisht gjithashtu nuk iu shitën ambasadës hungareze në Tiranë, e cila, siç del nga një dokument tjetër, “paguante mirë”. Por të gjitha këto “rastësi”, të kapërcyera gjithnjë me fat dhe dinjitet së bashku, tregojnë se Liszt-i në botën shqiptare nuk gjendej keq.
Dokumenteve të Liszt-it iu bë përpunimi arkivistik në vitin 1977. Me këtë rast përpunuesit hartuan vetë një historik fondi, duke u mbështetur në të dhënat me shkrim të ish-pronarit dhe duke iu referuar, për plotësime, një verbali verifikues me të. Në këtë dokument dalin disa të dhëna shtesë, të cilat, me sa duket, Kolë Luka nuk i ka vlerësuar të rëndësishme në kohën kur shkroi aktin e dorëzimit.
Saktësimi më i rëndësishëm ka të bëjë me vendndodhjen e fundme të vëllezërve Luka, të cilët, siç del nga historiku, nuk vdiqën në Shëngjin, por në Tivar. Gjithashtu me rëndësi është dëshmia se familja trashëguese e kishte shkuar ndërmend shitjen e dokumenteve të Liszt-it ambasadës hungareze, por së fundi kishte vendosur t’ia linte Arkivit të Shtetit, duke i konsideruar vlera kombëtare:
“Dokumentat e Liszt-it i ka dorëzue Kolë Luka, nëpunës në ndërmarrjen industriale shtetërore elektrike Shkodër. Kështu, dokumentat e Liszt-it ruhen pranë Drejtorisë së Arkivave të Shtetit”.
Veç këtij versioni, që është më i besueshmi, sepse dëshmohet me shkrim prej burimesh të ndryshme, për historinë e ardhjes së Liszt-it në hapësirën shqiptare ka edhe shpjegime të tjera. Sipas njërit prej tyre, gjithçka që del prej dokumenteve për lidhjet e familjes Luka me hebreun është krejtësisht e vërtetë, veç faktit që ata janë takuar jo si tregtarë apo shitblerës antikuarësh, por si bashkudhëtarë në të njëjtin vapor, ku një sëmundje e rëndë, mbase pikërisht kolera, po bënte kërdinë, dhe Liszt-i ishte, si të thuash, testamenti shpirtëror i hebreut që po jepte shpirt dhe që (thua rastësisht?!) kishte zgjedhur pikërisht shqiptarin me mbiemër ungjillori për t’ia mirëbesuar në çastin e fundmë.
Një ngatërresë e fundme para dorëzimit
Nga shkresat shoqëruese që ruhen në Fondin e Fr. Liszt-it del se, si pronari i vjetër, ashtu dhe Drejtoria e Përgjithshme e Arkivave, jo vetëm ua kanë ditur mirë vlerën dorëshkrimeve të kompozitorit të famshëm, por, pavarësisht prej mirësjelljes zyrtare të palëve, ndihet qartë se një klimë trysnie ka ndikuar në ndërrimin e pronësisë. Për këtë mund të dëshmojë dokumenti vijues, i titulluar prej hartuesit si “diftesë”:
“I nënshkruemi Reshat Alija, nëpunës i Drejtorisë së Arkivave të Shtetit, mora në dorëzim nga sh. Kolë Luka, Rruga / bulevardi “Stalin”, nr. 9 – Shkodër, dokumentet e poshtëshënueme për t’i vlerësue:
1. Copë 1 (nji) partiturë origjinale të Fr. Liszt (pa firmë t’auktorit) shkrue vetëm në nji faqe.
2. Copë 1 (nji) letër origjinale frëngjisht shkrue nga Fr. Liszt (me firmën e tij) drejtue Madame Pleyel – pa datë.
3. Nji faqe përkëthim të letrës së mësipërme nga dorëzuesi.
Marrësi në dorëzim
Reshat Alija
Shkodër, 19 korrik 1962“
Liszt dhe Pleyel
Partitura e panjohur e Liszt-it, në përpunimin artistik, titullohet “Fantazia“. Ky titull është marrë nga letra e kompozitorit drejtuar Madame Camille Pleyel. Në të vërtetë, në tekstin origjinal, shkruar në frëngjisht, thuhet “fantazinë time“, shprehje që lë edhe një kuptim të dytë. Për më tepër, ky kuptim i dytë, spikatet edhe cazë kur dimë se Liszt ka shkruar një vals me të njëjtin titull, “Fantazia“, dhe mbase nuk mund të pritej që të kishte dy vepra nga i njëjti kompozitor të titulluara “Fantazia“.
Part-i ka vetëm një fletë të dyfishtë, me shkrim të imët në pentagram, me bojë të njëjtë me atë të letrës dërguar zonjës Pleyel (Camille Pleyel).
Sipas vlerësimeve të studiuesve të muzikës, kjo partiturë përfaqëson një ushtrim muzikor të Liszt-it, që mund të zgjasë në ekzekutim deri në dy-tre minuta.
Madam Pleyel nuk është një person rastësor në letërkëmbimin e Liszt-it. Mjeshtri Pleyel, babai i zonjës me të njëjtin mbiemër, në kohën kur u shkrua letra (jo më vonë se viti 1845) ishte organizator i koncerteve të më të mëdhenjve të muzikës në Paris, duke përfshirë Liszt-in. Veç kësaj, mjeshtri Pleyel ishte edhe një prej prodhuesve më të njohur të pianoforteve në Evropë. Kjo traditë e Pleyel-ëve vazhdoi deri në kohët moderne. Edhe sot e kësaj dite në Paris ruhet dhe funksionon salla e famshme “Pleyel“, ku janë promovuar identitete të shkëlqyer të kompozimit muzikor.
Nga letra që Liszt-i i dërgon zonjës Pleyel shihet se ndërmjet tyre ruhej një miqësi e fortë dhe një adhurim i ndërsjelltë. Shkrimi i Liszt-it është plot elegancë e fisnikëri, në stilin e lartë të botës pariziene:
“Zonjës Pleyel
Po ju dërgoj, kolege e dashur dhe e këndshme, “Fantazinë“ time plot e përplot me arpezhe, me oktava dhe me tërë ato loja të zakonshme dhe të zymta, gjoja të shkëlqyera dhe të jashtëzakonshme, me të cilat shumë nga kolegët tanë – që së fundi s’janë hiç të këndshëm -na çajnë veshët e na marrin shpirtin prej shumë kohe, aq sa na kanë mërzitur sa s’thuhet.
Megjithatë, aq i magjishëm është personi dhe talenti juaj, sa që, po të keni mirësinë t’u bini në piano këtyre pak faqeve plot me reminishenca (huazime) me gishtërinjtë tuaj të pashoq, jam krejt i sigurt se do të duken të reja dhe do të bëjnë përshtypjen më të shkëlqyer.
Schott-i, të cilin miku ynë i përbashkët Berlioz e krahason disi me shkathtësi me “të bukurën që fle në pyll”, sepse patjetër ai nuk fle fare kur është puna për të botuar një tog me gjëra të mira ose të këqija, është në një mendje me mua për këtë gjë…
Me shumë nderime të pashtershme, Fr. Liszt.”
Të gjitha dokumentet e cituar në këtë shkrim, me përjashtim të atyre me tregues të shprehur më vete, kanë si tregues reference: AQSH, Fondi 65, Dosja 1-2.
Studiuesi amerikan James Huneker, në veprën e tij “Chopin si njeri dhe muzika e tij”, ribotuar në Neë York në vitin 2001, krahason “Fantazinë” e Chopin-it, një baladë e mirënjohur, e shkruar për t’u luajtur në piano, me “Fantazinë“ e Liszt-it, edhe kjo e njohur, por krejt e ndryshme me atë lëndë muzikore të shkurtër që përmban partitura origjinale që ruhet në AQSH. Sipas Huneker, balada e Chopin-it është logjike, e kompozuar bukur, si e parashkruar në formën e kompozimit. Studiuesi amerikan e sheh këtë “Fantazi“ të tjetërsojtë të Chopin-it me sytë dhe ndjenjat e pianistit të shquar De Pachmann. Sipas këtij të fundit pjesa ka një ndërtim vertikal, me një jehonë karakteristike që vjen drejt dëgjuesit. “Ajo është një tufan plot me emocione. Efekti i kësaj balade të kujton një tornado”.
Interesimi i austriakëve për partiturën e Liszt-it dhe letrat e tij shfaqet për herë të parë në vitin 1968, kur qeveria e Shqipërisë i kërkoi Akademisë së Vienës të mundësonte restaurimin e dy kodikëve më të vjetër Beratinus. Nuk ka shumë dokumente për të dëshmuar se si janë zhvilluar bisedimet, dihet se pala austriake ka ofruar shuma të mëdha për blerjen e këtyre dokumenteve, dihet gjithashtu se bisedimet për palën shqiptare i ka zhvilluar Komiteti Shqiptar për Marrëdhënie me Botën e Jashtme, por nuk dihen saktë rrethanat e ndërprerjes së bashkëpunimit (i cili sillte në konvergjencë tri nisma: Liszt-in, restaurimin e kodikëve dhe armët e Skënderbeut), siç del telegrafikisht nga ky shënim i shkurtër i një prej udhëheqësve të lartë të asaj kohe:
“Mbas përçapjeve që u bënë në Pekin dhe në Vienë, së fundi kjo çështje u zgjidh /kështu/: teksti do të dërgohet në Kinë për riparim. Dëm i math u bë në një kishë të Kavajës, ku u prishën 14 piktura të Onufrit”.
Dokumenti gjendet në: AQSH, Fondi 14/AP, Str., V. 1971, D. 390, fl. 1-2.
Në këshillim me specialistë austriakë të Institutit “Fr. Liszt”, duke përfshirë prof. Schultz, një prej njohësve më të zotë të veprës së kompozitorit të madh austriak, vitet e fundit janë vlerësuar drejtpërsëdrejti dorëshkrimet e Fondit 65.
Sipas këtyre vlerësimeve rezulton përfundimisht: 1. Nuk ka dyshim se letra e Liszt-it për zonjën Pleyel është një autoshkrim origjinal krejtësisht i panjohur i këtij personaliteti të madh të botës së tingujve. 2. Nuk ka dyshim se letra tjetër, drejtuar “zotit Spina”, gjithashtu autoshkrim i Liszt-it, është origjinale dhe krejtësisht e panjohur.
3. Në lidhje me partiturën, është shfaqur mendimi se ndoshta shkrimi nuk është i vetë dorës së Liszt-it, por lënda muzikore nuk lë dyshime për autorësinë e tij. Kjo lidhet edhe me faktin se në pentagram nuk ka fare shkrim dhe prej notave nuk është aq e lehtë të provohet se dora e kujt është.
Liszt-i mecenat
Letra e dytë e Liszt-it është e shkurtër. Në pak rreshta që ajo përmban, lexuesi njeh një anë krejt tjetër të personalitetit të tij. Nuk është Liszt-i që kërkon kujdestari për vete prej një zonje të madhe, si madam Pleyel; nuk është Liszt-i që vlerën e veprës së vet e sheh në gishtërinjtë e pianistes së talentuar dhe mecenatit të shumicës së kompozitorëve të asaj kohe, por Liszt-i që rekomandon një të ri pranë një miku të tij me influencë, duke e siguruar se ai, emri i të cilit mbetet i panjohur, “ka një të ardhme të shkëlqyer”.
Ky djalosh nuk arriti kurrë të rekomandohej tek “zoti Spina“, sepse letra inkurajuese e mjeshtrit Liszt shkoi fillimisht në duart e një hebreu dhe pastaj në duart e familjes Luka për ta mbyllur fatin e vet në Arkivin Qendror Shtetëror. Mbase ai, edhe pa këtë letër, u bë një njeri me të ardhme! Ku ta dish?! Ndoshta botimi do të shërbejë edhe si një ftesë për studiuesit, që të gjejnë kush është Spina dhe kush është Heller, dhe me këtë rast mund të verifikohet edhe parashikimi i Liszt-it, i cili nuk ngurron t’i shkruajë me përulje mikut të vjetër:
“Më lejoni, i dashur zoti Spina, t’ju dërgoj këtë letër, si mik juaji i vjetër që jam, dhe t’ju rekomandoj veçanërisht zotin Heller, që është një djalë me të ardhme të shkëlqyer. Do t’ju isha personalisht shumë mirënjohës për gjithçka që do të keni mundësinë të bëni për të. Jam i bindur se nga çdo pikëpamje duhet të keni besim në marrëdhëniet e mia me të.
Pritni, i dashur zoti Spina, shprehjen e miqësisë sime të vjetër dhe të besnikërisë sime të sinqertë,
F. Liszt”.
Fondi i Liszt-it në Shqipëri është një dëshmi se kultura shqiptare ka bashkë udhëtuar shpesh me kultura të mëdha. Një projekt i afërm është që dorëshkrimet e Liszt-it të regjistrohen në programin më të rëndësishëm të Unesco-s për trashëgiminë kulturore “Memoire du Monde”.
Për të mësuar më tepër për këto dokumente, rëndësinë dhe rrugëtimin e tyre mund të ndiqni në “Report TV” dokumentarin “Liszt origjinal në Shqipëri” me autor prof. Shaban Sinani.