Mali i Zi dhe Ukraina kanë harmonizuar tekstin e një marrëveshjeje për bashkëpunim dhjetëvjeçar në fushën e sigurisë, e cila pritet të nënshkruhet nga kryeministri malazias, Millojko Spajiq, dhe presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky.
Dokumenti përfshin mbështetjen në rast sulmi të armatosur, investime në industrinë e mbrojtjes, bashkëpunim në fushën e inteligjencës, si dhe kontributin për rindërtimin e Ukrainës së shkatërruar nga lufta. Rreth 30 shtete, kryesisht anëtare të Organizatës së Traktatit të Atlantikut Verior (NATO), kanë nënshkruar marrëveshje të ngjashme me Ukrainën.
Pas nënshkrimit, marrëveshja duhet të ratifikohet nga Kuvendi i Malit të Zi, i cili aktualisht drejtohet nga Andrija Mandiq – një politikan që kishte votuar kundër rezolutës që dënonte pushtimin rus të Ukrainës në vitin 2022. Kuvendi, për më shumë se tetë muaj, nuk ka proceduar as propozimin për pjesëmarrjen e ushtrisë së Malit të Zi në misionin e ndihmës ushtarake të Bashkimit Evropian për Ukrainën, as në një mision të ngjashëm të organizuar nga NATO-ja.
Mali i Zi është anëtar i NATO-s dhe kandidat për anëtarësim në Bashkimin Evropian. Presidenti i Malit të Zi, Jakov Millatoviq, deklaroi më 9 maj se presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky, mund të vizitojë së shpejti Malin e Zi dhe të nënshkruajë marrëveshjen për bashkëpunim në fushën e sigurisë.
Edhe pse data e vizitës ende nuk është konfirmuar zyrtarisht, përmendet 15 maji si mundësi. Megjithatë, po për atë datë përflitet edhe mundësia e një takimi të Zelenskyt në Stamboll me presidentin rus, Vladimir Putin.
Një ditë më pas, më 16 maj, Zelensky pritet të jetë në Shqipëri, për të marrë pjesë në samitin e liderëve të Komunitetit Politik Evropian.
Qeveria e Malit të Zi e miratoi marrëveshjen më 8 maj, pas disa muajsh negociata, ku morën pjesë 14 ministri, Drejtoria për Mbrojtjen e të Dhënave të Klasifikuara dhe Agjencia për Siguri Kombëtare.
Që nga fillimi i pushtimit rus në vitin 2022, Mali i Zi ka ofruar ndihmë ushtarake për Ukrainën në vlerë prej 11.3 milionë eurosh, dhe ka pranuar përqindjen më të lartë të qytetarëve ukrainas në raport me popullsinë e vet.
Sipas marrëveshjes, dy shtetet angazhohen për konsultime në rast të një përshkallëzimi të rëndë të agresionit aktual, apo të ndonjë sulmi të ardhshëm rus kundër Ukrainës.
“Mali i Zi do t’i ofrojë ndihmë Ukrainës e cila mund të përfshijë ndihmë të shpejtë dhe të vazhdueshme politike, të sigurisë, ushtarake, humanitare dhe ekonomike si dhe koordinim për vendosjen e sanksioneve ekonomike dhe të tjera ndaj Federatës Ruse”. u tha në deklaratë
Mali i Zi tashmë është plotësisht i harmonizuar me sanksionet e BE-së ndaj Rusisë. Marrëveshja parasheh edhe bashkëpunim në industrinë e mbrojtjes, me qëllim përfitimesh të ndërsjella politike dhe komerciale.
Parashikohet që Mali i Zi të shqyrtojë mundësinë e ndarjes së mbështetjes financiare për zhvillimin e industrisë mbrojtëse të Ukrainës, përmes investimeve në zgjerimin e kapaciteteve, furnizimin me materiale për municion dhe blerjen e produkteve ushtarake për nevojat e ushtrisë ukrainase.
Dokumenti nënvizon se Rusia duhet të mbajë përgjegjësi ligjore për luftën, për të ndihmuar në parandalimin e sulmeve të ardhshme. Të dyja shtetet ndajnë bindjen për krijimin e një tribunali për të ndjekur penalisht krimin e agresionit kundër Ukrainës.
Përveç përgjegjësisë ligjore, Rusia duhet të mbajë edhe përgjegjësi financiare për dëmet e shkaktuara dhe për procesin e gjatë të rindërtimit të Ukrainës.
“Pasuritë sovrane të Rusisë që ndodhen në territorin e Malit të Zi, në përputhje me politikën e përbashkët të jashtme dhe të sigurisë të BE-së, do të bllokohen derisa Rusia të kompensojë dëmet, humbjet dhe plagët e shkaktuara”, thuhet në marrëveshje.