Fokusimi në çështjet e identitetit në vend të reformave në Maqedoninë e Veriut paraqet problem për integrimin evropian, ndërsa Raporti më i ri i Parlamentit Evropian është mjaft negativ dhe është një kritikë si për qeverinë e mëparshme ashtu edhe për këtë, të cilës nuk i pëlqejnë shumë kritikat. Kështu shprehet Dimitar Nikollovski nga Eurothink, organizatë kjo që e ka ndjekur procesin e integrimit evropian të vendit për vite me radhë në shortcast-in e IMA-s, transmeton Portalb.mk.
Duke folur për reagimet në lidhje me Raportin e fundit të Parlamentit Evropian për vendin dhe fokusin e publikut te heqja e gjuhës dhe identitetit maqedonas nga Raporti, Nikollovski shpjegon se pse ranë nën hije të gjitha çështjet dhe kritikat e rëndësishme që nxjerr në pah raporti.
“Kjo, para së gjithash, është për shkak të cajtgajst-it (zeitgeist) në të cilin jetojmë dhe plagëve më të mëdha që i kemi në këtë moment, që janë marrëdhëniet me Bullgarinë dhe mosndryshimi i Kushtetutës si kusht për hapjen e negociatave. Kjo është një temë që mendoj se në këtë moment është më e rëndësishmja, se pse gjërat janë kështu si janë dhe si interpretohen ato në publik. Dhe tjetra, pak më shumë në hije, se çfarë është përmbajtja e këtij raporti, çfarë është ajo dhe çfarë thotë ky raport për gjendjet në vendin tonë, për këtë thuhet shumë pak”, theksoi Nikollovski.
Raporti më i ri i Parlamentit Evropian është mjaft negativ dhe është një kritikë si për qeverinë e mëparshme ashtu edhe për këtë.
“Ne vuajmë nga një problem nga i cili vuanim edhe gjatë kohës së qeverisë së mëparshme, që është se… të gjithë fokusin e vendosim në një problem, atëherë me veton, tani me ndryshimet kushtetuese, ndërsa flasim më pak për reformat reale. Tani, kjo qeveri, e dimë që nuk i pëlqejnë shumë kritikat, nuk i pëlqen ta kritikojnë, por ky raport është një kritikë si për qeverinë e mëparshme ashtu edhe për këtë dhe është mjaft negativ kur i futemi pak më thellë përmbajtjes së tij”, vlerëson Nikollovski.
Ai theksoi se Raporti i PE-së tregon për regres pikërisht në luftën kundër korrupsionit.
“…Ajo që është interesante është se pikërisht në luftën kundër korrupsionit thuhet se shteti ka shënuar regres. Kjo do të thotë se edhe pse u premtua gjatë zgjedhjeve se qeveria e re do të luftonte shumë më tepër kundër korrupsionit, ne po shohim se kjo nuk jep asnjë rezultat. Thjesht nuk po ndodh”, theksoi Nikollovski.
Sa i përket dezinformatave dhe ndikimeve të dëmshme të huaja, të cilat janë ndër temat kryesore në Raport, Nikollovski është i mendimit se ne nuk kemi rezistencë ndaj këtyre ndikimeve të dëmshme, as nuk po bëhen përpjekje për t’i luftuar dezinformatat. Ai gjithashtu foli edhe për gjetjet e Raportit mbi pasojat e dëmshme të promovimit të të ashtuquajturës “botë serbe” nga zyrtarë të lartë qeveritarë dhe ndikimit rus në vend.
“Pra, kemi një zëvendëskryeministër që e lavdëron, e glorifikon Putinin, i cili e promovon atë ‘botë serbe’, edhe pse nuk e quan atë si ‘botë serbe‘. Ai e mohon gjenocidin në Srebrenicë. Ne kemi një politikë komemorative të organizuar nga Serbia brenda vendit tonë, këto janë përkujtime të figurave dhe ngjarjeve historike nga koha e sundimit të Serbisë mbi vendin tonë, jo vetëm me lejen e qeverisë, por me pjesëmarrjen aktive të qeverisë, ndërsa në ato ngjarje kemi një situatë ku jepet një narrativë që nuk u përshtatet as nacionalistëve tanë, ku njerëzit e mirë që u çliruan këtu janë serbët e mirë, ndërsa njerëzit që rezistuan dhe luftuan kundër saj janë bullgarët e këqij ose terroristët bullgarë. Maqedonasit nuk përmenden këtu aspak, ndërsa kjo vazhdon kështu, pra me pjesëmarrjen aktive të ushtrisë, përfaqësuesve të komunave, etj. Pra, nuk ka vullnet politik, ndërsa kur merr pjesë edhe një përfaqësues i lartë i qeverisë në këtë ideologji, kjo do të thotë se qeveria nuk e sheh si problem këtë gjë”, thekson Nikollovski.
Në një situatë të këtillë Nikollovski është pesimist se është e mundur që procesi i integrimit evropian të zhbllokohet në të ardhmen e afërt.
“Për fat të keq do të jem pesimist dhe më duhet të them se përshtypja ime nga dje ishte se jemi si… Ma kujtoi atë situatën pas Bukureshtit në vitin 2009 kur kishim veto për anëtarësimin në NATO. E dimë se si vazhduan gjërat pas kësaj, si u zhvilluan ato në vendin tonë. Dhe tani, në këtë situatë, ku e kemi këtë zhgënjim, këtë disfatë pas votimit në Parlamentin Evropian, në internet shohim një aktivizim të madh të boteve pro-ruse, pro-serbe, një narrativë agresive anti-evropiane. Shohim një luftë ose një lloj gjuetie të tradhtarëve vendas, trajtim të fqinjëve tanë si predatorë që sillen rreth nesh dhe duan të na hanë…”, tha Nikollovski.
Krahas kësaj ai e theksoi si problematike situatën në sektorin e sigurisë dhe inteligjencës, njoftimet për bashkimin e ASK-së (Agjencia e Sigurisë Kombëtare) dhe AI-së (Agjencia e Inteligjencës), që do të thotë një përqendrim më i madh i pushtetit në një vend, zgjedhjen kontroverse të drejtorit të ASK-së, e cila sipas Nikollovskit flet për një “korrozion të sektorit të sigurisë dhe inteligjencës”.
“… Kjo më krijon një frikë të madhe se historia evropiane këtu thjesht do të humbasë, e ne mund të bëjmë regres në aspektin e kapaciteteve demokratike”, përfundoi Nikollovski.
Më 9 korrik, Parlamenti Europian e miratoi raportin e parë të progresit mbi Maqedoninë e Veriut për vitin 2023 dhe 2024.
Raporti nënvizon se zgjerimi duhet të jetë një proces i bazuar në meritë, bazuar në Kriteret e Kopenhagës dhe i bën thirrje Maqedonisë së Veriut të miratojë reformat e nevojshme” theksoi eurodeputeti Tomas Vajc nga Austria, raportues për Maqedoninë në Parlamentin Europian. Ai ka porositur partitë politike në Maqedoninë e Veriut të angazhohen në dialog konstruktiv për të arritur konsensusin e kërkuar, i cili, sipas tij, do të forconte karakterin multietnik të vendit dhe do të përshpejtonte progresin e BE-së.
Më herët ai shfaqi shqetësimet për ndikimin serb në Maqedoni.
“Po shohim shumë ndikim të huaj në Maqedoninë e Veriut. Duhet ta luftojmë atë, qoftë serb, kinez apo rus” tha ai.
Maqedonia e Veriut mbetet e ngujuar në rrugëtimin drejt BE-së, shkaku i kontestit me Bullgarinë fqinje. RMV duhet t’i bëjë ndryshimet kushtetuese për të vazhduar rrugën drejt BE-së. Ndryshimi kushtetutës përfshin shtimin e bullgarëve dhe etnive tjera në Kushtetutë. Ndryshimi kërkon shumicë prej dy të tretash dhe negociatat me BE-në nuk do të fillojnë derisa të bëhen këto ndryshime.
Kujtojmë se me kusht të ndryshimi të Kushtetutës, Maqedonia e Veriut më 19 korrik të vitit 2022 i filloi bisedimet qasëse me BE-në me mbajtjen e konferencës së parë ndërqeveritare, pas miratimit të propozimit francez të cilin Maqedonia e Veriut e miratoi më 16 korrik 2022. Propozimi atë kohë u votua në parlament pa pjesëmarrjen e opozitës së atëhershme e cila tani është në pushtet.