Historiani Dorian Koçi tregon se si masakra e vitit 1821 në Tripolicë, në zonën e Moresë, tronditi jo vetëm opinionin evropian për shkallën e dhunës, por shënoi edhe dështimin e projektit politik të Ali Pashë Tepelenës për të krijuar një territor të pavarur nga Perandoria Osmane, në bashkëpunim me grekët.
Ali Pasha, i cili kishte nisur një vit më parë rebelimin e tij kundër sulltanit, shpresonte se, duke u mbështetur te popullsia ortodokse e pashallëkut të tij dhe te kryengritja që po përgatitej në Greqi, mund të siguronte besnikërinë e tyre dhe të garantonte një bazë të re pushteti. Kjo ndodh pak kohë pasi i kishte shkruajtur kancelarit austriak Metternich, duke i kërkuar ndihmë për hartimin e një kushtetute, që do ta vendoste autoritetin e tij mbi bazat e një legjitimiteti të ri.
Por ngjarjet e Tripolicës ndryshuan gjithçka. Pas marrjes së qytetit nga kryengritësit grekë dhe masakrës së mbi 10 mijë civilëve myslimanë dhe hebrenj, u bë e qartë se aleanca që Aliu shpresonte të ndërtonte me grekët nuk mund të funksiononte.
Duke iu referuar kësaj, Koçi thotë: “Krerët shqiptarë përjetojnë një zhgënjim të madh me marrjen e Tripolicës, një qyteti në Peloponez – Morea e asaj kohe – pasi atje shohin se si trajtohet popullsia në Muslimane… Sigurisht, shqiptarët, me ndërmjetësimin e forcave arvanitase të Kolokotronit, lejohen të largohen, por mbetet një popullsi osmane, turke dhe hebreje, e cila masakrohet në emër të fesë. Dhe, një pjesë e madhe e krerëve kthehen dhe thonë pikërisht këtë, ne nuk mund të bashkëpunojmë, pra ka shumë urrejtje për ne dhe të njëjtin fat do të kemi edhe ne.”
Sipas Koçit, kjo masakër shërbeu edhe si si një lloj sinjali përfundimtar se ëndrra e Ali Pashës për një territor të pavarur, të mbështetur mbi ortodoksët dhe të legjitimuar nga aleanca me grekët, ishte e destinuar të dështonte. /Tema/