Një gjykatë në Gjermani ka vendosur se prodhuesi i çokollatës Milka ka mashtruar konsumatorët dhe ka shkelur ligjin e konkurrencës, në një çështje që po konsiderohet historike në luftën kundër të ashtuquajturit “shrinkflation”, ose tkurrjes së produkteve për shkak të inflacionit.
Gjykata rajonale e Bremenit konstatoi se kompania Mondelēz International uli peshën e çokollatës klasike “Alpenmilch” nga 100 gramë në 90 gramë, duke ruajtur pothuajse të pandryshuar paketimin karakteristik ngjyrë vjollcë, çka sipas gjykatës krijonte perceptim mashtrues te konsumatorët.
Padia u ngrit nga organizata gjermane për mbrojtjen e konsumatorëve Verbraucherzentrale Hamburg (VZHH), e cila akuzoi kompaninë për mashtrim të klientëve.
Sipas vendimit të gjykatës, problemi nuk ishte vetë ruajtja e të njëjtit ambalazh, por mospërputhja mes përmbajtjes reale dhe “pritshmërisë vizuale” që konsumatorët kishin krijuar prej vitesh për produktin.
Gjykata theksoi se për të shmangur mashtrimin duhej një “njoftim i qartë, i kuptueshëm dhe lehtësisht i dallueshëm” në paketim.
Çështja ka marrë vëmendje të madhe në Gjermani, pasi vitin e kaluar konsumatorët e votuan shufrën Milka Alpenmilch si “ambalazhin e rremë të vitit 2025”.
Përveç uljes së peshës, kompania kishte rritur edhe çmimin e produktit nga 1.49 euro në 1.99 euro në fillim të vitit 2025. Ndryshimi fizik në çokollatë ishte minimal, vetëm një milimetër më e hollë.
Nga ana e saj, Mondelēz argumentoi se kishte informuar konsumatorët për ndryshimet përmes faqes zyrtare dhe rrjeteve sociale, duke theksuar se kostot në rritje të kakaos dhe zinxhirëve të furnizimit kishin detyruar kompaninë të rishikonte peshën e disa produkteve Milka.