Mats Mattsson, ish-shef i Divizionit Ekzekutiv të EULEX-it, ka deklaruar se disa njerëz në nivelet më të larta të Bashkimit Evropian nuk dëshironin që korrupsioni të hetohej. Rrëfimi i tij përfshin edhe rastin e Michael Rawlinsonit, zyrtarit suedez të inteligjencës i përfshirë në hetime për dyshime për korrupsion brenda misionit evropian në Kosovë.
Një dëshmi nga brenda EULEX-it ngre pikëpyetje serioze për mënyrën se si u trajtuan hetimet për korrupsion brenda misionit të Bashkimit Evropian në Kosovë. Mats Mattsson, ish-shef i Divizionit Ekzekutiv të EULEX-it, ka treguar në një intervistë për podcastin Spionpodden se hetimet u përballën me pengesa dhe se zyrtari Michael Rawlinson u trajtua në mënyrë të rëndë nga drejtuesit e misionit.
Rawlinson, i lidhur me inteligjencën suedeze, ishte i përfshirë në mbledhjen e informacioneve dhe në hetimet për dyshime që përfshinin gjyqtarë dhe zyrtarë të lartë të EULEX-it. Rasti i tij është një nga pjesët më të ndjeshme të rrëfimit të Mattssonit, i cili përshkruan zhvillime që, sipas tij, tregojnë se hetimet për korrupsion nuk u pritën mirë nga disa nivele drejtuese.
“Disa njerëz në nivelet më të larta të BE-së nuk donin të hetohej korrupsioni”
Mattsson ka rrëfyer se Rawlinsoni u dërgua në Suedi, u sëmur dhe zyra e tij u bastis. Sipas tij, kasaforta e zyrtarit suedez u hap me një makinë prerëse dhe dokumentet konfidenciale që ndodheshin brenda saj u konfiskuan me urdhër të shefit të misionit.
Mattsson ka vënë në pikëpyetje nëse shefi i misionit kishte autoritetin e nevojshëm për të ndërhyrë në ato materiale, duke theksuar se dokumentet përmbanin informacione të ndjeshme të mbledhura edhe nga institucione të tjera ndërkombëtare.
Përfundimi i tij është i drejtpërdrejtë:
“Ne nxorëm përfundimin se disa njerëz në nivele mjaft të larta të Bashkimit Evropian nuk dëshironin që korrupsioni të hetohej”, ka deklaruar Mattsson.
Hetimet për gjyqtarë dhe zyrtarë të lartë të EULEX-it
Sipas rrëfimit të Mattssonit, puna e grupit të posaçëm hetimor fillimisht ishte përqendruar te persona vendorë, por informacionet e mbledhura çuan edhe drejt dyshimeve që përfshinin gjyqtarë italianë.
Ai ka treguar se, pas ardhjes së një drejtuesi të ri italian në krye të misionit, kontratat e pjesëtarëve të grupit hetimor nuk u vazhduan. Mattsson e ka lidhur këtë zhvillim me vështirësitë që u shfaqën gjatë hetimeve.
Këto deklarata ngrenë pyetje për pavarësinë e hetimeve dhe për mundësinë që zyrtarët e përfshirë në to të jenë përballur me pasoja për shkak të punës së tyre.
Vdekja e Michael Rawlinsonit nga “bakteret vrasëse” dhe pikëpyetjet që mbetën
Michael Rawlinson, ish-oficer i inteligjencës suedeze dhe drejtues i zyrës së inteligjencës kriminale të EULEX-it në Kosovë, vdiq në korrik të vitit 2018, tre vjet pasi ishte sëmurë rëndë gjatë qëndrimit në Kosovë.
Sipas raportimeve të gazetës suedeze Svenska Dagbladet, Rawlinsoni u dërgua në Suedi në prill të vitit 2015, pasi ishte sëmurë rëndë nga ato që mediat suedeze i përshkruan si “baktere vrasëse”. Ai u trajtua në spitalin Karolinska në Stokholm, ndërsa tre vjet më vonë ndërroi jetë.
Sëmundja e rëndë e Rawlinsonit, vdekja e tij e mëvonshme dhe zhvillimet që e paraprinë largimin e tij nga EULEX-i e bënë rastin objekt të raportimeve të gjera në mediat suedeze. Para se të sëmurej, ai ishte përfshirë në hetime të ndjeshme për dy gjyqtarë italianë të lidhur me EULEX-in, të dyshuar për korrupsion. Në qershor të vitit 2015, kasaforta e tij u hap dhe dokumentet konfidenciale që ndodheshin brenda saj u morën.
Rasti i Rawlinsonit mbetet pjesë e një historie më të gjerë për akuzat për korrupsion brenda EULEX-it dhe për mënyrën se si u trajtuan personat që po hetonin këto dyshime.
BE-ja duhet të japë përgjigje
Bashkimi Evropian ka kërkuar vazhdimisht nga institucionet e Kosovës luftë kundër korrupsionit, pavarësi të drejtësisë dhe llogaridhënie. Por kur një ish-drejtues i lartë i EULEX-it thotë se disa njerëz në nivelet më të larta të BE-së nuk donin që korrupsioni të hetohej, këto standarde duhet të zbatohen edhe brenda vetë institucioneve evropiane.
Kush autorizoi hapjen e kasafortës së Rawlinsonit? Pse u konfiskuan dokumentet? Pse nuk iu vazhduan kontratat hetuesve? Dhe a u hetuan plotësisht dyshimet për korrupsion brenda misionit?
Këto nuk janë pyetje që mund të anashkalohen. EULEX-i dhe Shërbimi Evropian i Veprimit të Jashtëm duhet të japin përgjigje për mënyrën se si u trajtuan këto çështje.
Nëse BE-ja kërkon llogaridhënie nga Kosova, ajo duhet të jetë po aq e gatshme të japë llogari për veprimet dhe dështimet e mundshme brenda misioneve të veta.
Një pjesë e madhe e stafit të EULEX-it shërben sot në Gjykatën Speciale në Hagë.