Komisionerja e Bashkimit Evropian për Zgjerim, Marta Kos, i cilësoi “të papranueshme” ndryshimet në Ligjin për Dhomat e Specializuara, të cilat Kuvendi i Kosovës i miratoi javën e kaluar. Paralajmërimi i saj nxiti kundërofensivë të menjëhershme nga Partia Demokratike e Kosovës, nismëtarja e ndryshimeve të Ligjit për Gjykatën me sel në Hagë.
Kos foli në Luksemburg, para takimit të ministrave të Jashtëm të BE-së. Sipas saj, ndryshimi i rregullave ndërkohë që procesi gjyqësor është ende në zhvillim cenon standardet e sundimit të ligjit.
“Dua të jem e qartë se ndryshimet në Ligjin për Dhomat e Specializuara në Kosovë bien ndesh me detyrimet themelore të Kosovës ndaj BE-së. Kjo është e papranueshme,” tha ajo. Kos paralajmëroi gjithashtu se vendet që bëjnë hapa prapa nuk do të bëhen anëtare të BE-së.
Qëndrimi i saj nuk është i ri. Menjëherë pas aktgjykimit të 16 shtatorit, Kos kishte kërkuar që vendimet e Speciales të respektohen, duke kujtuar se të dënuarit kanë të drejtë të apelojnë.
Nënkryetarja e PDK-së, Vlora Çitaku, reagoi gjatë në Facebook duke thënë se Kos “duhet të shqetësohet për drejtësinë e procesit” në Hagë, jo për ligjet që miratojnë deputetët. Sipas saj, Gjykata u krijua për të hequr njollën e pretendimeve për trafikim organesh nga raporti i Dick Martyt, “e jo për t’ia sjellë Kosovës një njollë të re, atë të ndërmarrjes së përbashkët kriminale”. Çitaku tha se Kosova nuk po shkel asnjë detyrim ndaj BE-së dhe se Gjykata Speciale nuk do të mbyllet.
Ndaj Kosit reagoi edhe sekretari i PDK-së, Betim Gjoshi. Në një postim në Facebook, ai e ftoi Kosin “ta lexojë ligjin” dhe i krahasoi Dhomat me “kohërat e errëta” të Evropës. Gjoshi tha se ish-krerët e UÇK-së mbahen prej gjashtë vitesh “pa fakte dhe pa dëshmi” dhe se ligji u miratua nga “më shumë se 3/4” e deputetëve.
Në leximin e dytë, ligji për Specialen u miratua me 88 vota. Kuvendi i Kosovës ka 120 deputetë, dhe tre të katërtat e tyre janë 90.
Çitaku u thirr edhe te presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen. Gjatë vizitës në Prishtinë më 1 tetor, von der Leyen tha se vendimet për ndryshimet ligjore i takojnë Kosovës, si dhe se pavarësia gjyqësore duhet garantuar. Çitaku përmendi gjithashtu raportin e Komitetit për të Drejtat e Njeriut të Dhomës së Avokatëve të Anglisë dhe Uellsit.
Ligji, ndër tjera, e ngushton juridiksionin e Speciales te pretendimet për trafikim organesh dhe e ul dënimin maksimal në 15 vjet. Ai parasheh gjithashtu faljen presidenciale dhe vuajtjen e dënimeve në Kosovë. Ligji u votua natën e 6 tetorit, pasi PDK-ja pranoi kandidaturën e Justina Shiroka Pulës për presidente.
Bashkimi Evropian reagoi një ditë pas miratimit të ligjit. Më 7 tetor, një zëdhënës i BE-së i tha Radios Evropa e Lirë se BE-ja ishte thellësisht e shqetësuar dhe se ndryshimet bien ndesh me detyrimet ndërkombëtare të Kosovës ndaj BE-së.
Të nesërmen, Shërbimi Evropian i Veprimit të Jashtëm (SEVJ) e përsëriti këtë qëndrim në një deklaratë zyrtare. SEVJ-ja theksoi se BE-ja e ka mbështetur vazhdimisht Specialen si institucion të pavarur gjyqësor. Sipas deklaratës, Dhomat u themeluan me vendime të Kuvendit të Kosovës në vitet 2014–2015, veprojnë brenda sistemit ligjor të Kosovës dhe janë të sanksionuara në Kushtetutë. SEVJ-ja shtoi se mandati aktual dhe pavarësia e tyre duhet të respektohen plotësisht.