Zyrtarët ukrainas dhe rusë u takuan të premten në Stamboll për të zhvilluar bisedime të drejtpërdrejta për herë të parë që nga bisedimet e dështuara të fillimit të shkurtit 2022, kur Rusia e kishte nisur pushtimin e plotë të Ukrainës.
Nuk pati shenja të menjëhershme përparimi në ngushtimin e dallimeve mes palëve, teksa pala ukrainase i ka refuzuar kategorikisht kushtet e Moskës gjatë bisedimeve që kanë zgjatur më pak se dy orë, raporton Reuters.
Bisedimet e së premtes përmbyllën një javë të ngarkuar të diplomacisë, e nxitur nga përpjekjet e presidentit të Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, për ta ndërmjetësuar një marrëveshje për t’i dhënë fund luftës, e cila ka shkaktuar vrasjen e dhjetëra mijëra ushtarëve nga të dyja palët dhe një numri gjithnjë e më të madh civilësh ukrainas.
Negociatorët rusë dhe ukrainas e filluan takimin e tyre pas orës 13:00, bashkë me zyrtarë nga vendi mikpritës, Turqia.
U mbajtën edhe disa takime të ndara, që përfshinë zyrtarë amerikanë, ukrainas, rusë, evropianë dhe turq.
Moska nuk i ka pranuar thirrjet e Ukrainës, vendeve evropiane dhe Shteteve të Bashkuara për një armëpushim të plotë 30-ditor, duke thënë se armëpushimi mund të bëhet vetëm si rrjedhojë e bisedimeve, dhe presidenti rus, Vladimir Putin, hodhi poshtë ftesën e presidentit ukrainas, Volodymyr Zelensky, për t’u takuar ballë për ballë për herë të parë që nga viti 2019.
Duke hapur bisedimet, ministri i Jashtëm turk, Hakan Fidan, tha se është “tejet e rëndësishme” të zbatohet një armëpushim “sa më shpejt të jetë e mundur” dhe se “është gjithashtu shumë e rëndësishme që këto bisedime të shërbejnë si bazë për një takim mes udhëheqësve. Ne besojmë me gjithë zemër se është e mundur të arrihet paqja përmes negociatave konstruktive”.
Para bisedimeve, udhëheqësi i delegacionit ukrainas, ministri i Mbrojtjes Rustem Umerov, tha në Facebook se paqja është e mundur vetëm nëse “Rusia tregon gatishmërinë e saj për të ndërmarrë veprime konkrete, duke përfshirë një armëpushim të plotë për të paktën 30 ditë dhe zbatimin e masave humanitare, si rikthimi i fëmijëve ukrainas, të dëbuar me forcë”, si dhe shkëmbimi i të gjithë të burgosurve të luftës.
Vendimi i Putinit për të dërguar një delegacion të nivelit të ulët për bisedime – të cilin ai e propozoi më herët këtë javë dhe që Trump i bëri thirrje Ukrainës ta pranonte – bëri që pritshmëritë për ndonjë arritje në këto bisedime të jenë shumë të vogla.
Sekretari amerikan i Shtetit, Marco Rubio, i tha Fox News më 15 maj se nuk do të ketë përparim derisa Trumpi dhe Putini të ulen “përballë njëri-tjetrit”.
Rubio u takua me homologët e tij ukrainas dhe turq më 16 maj dhe përsëriti “qëndrimin e SHBA-së se vrasjet duhet të ndalen”, tha zëdhënësja e Departamentit të Shtetit, Tammy Bruce.
Zëdhënësi i Kremlinit, Dmitry Peskov, tha se një takim Trump-Putin për të diskutuar marrëdhëniet dypalëshe, Ukrainën dhe çështje të tjera është “patjetër i nevojshëm,” por do të kërkojë kohë për t’u përgatitur dhe nuk duhet të mbahet nëse nuk sjell rezultate.
Putin nisi pushtimin e plotë tetë vjet pasi Rusia aneksoi Gadishullin e Krimesë së Ukrainës dhe nxiti luftën në rajonin lindor të Donbasit në vitin 2014.
Rusia tani kontrollon rreth një të pestën e territorit të Ukrainës, por ka dështuar të arrijë qëllimin e Putinit për ta nënshtruar vendin, i cili është i pavarur që nga shpërbërja e Bashkimit Sovjetik në vitin 1991./REL