Drejtoria e Rajonit Qendër Lindje vijon punën për mirëmbajtjen dhe pastrimin e akseve rrugore në juglindje të vendit.
Aktualisht, ndërhyrjet janë përqendruar në segmentin Petrushë-Grabovicë, në aksin nacional Korçë-Pogradec, ku po kryhen punime për pastrimin e territorit, largimin e mbeturinave dhe sistemimin e bimësisë anës rrugës.
Punonjësit e mirëmbajtjes po angazhohen për të garantuar një mjedis më të pastër dhe kushte më të sigurta për qarkullimin e automjeteve, ndërsa bëhet me dije se puna do të vijojë edhe në akse të tjera rrugore të rajonit.
“Momentalisht po punojmë në aksin nacional Korçë–Pogradec. Përveç pastrimit të mbeturinave përgjatë rrugës, po marrim masa tani për prerjen e shkurreve dhe krasitjen e pemëve përgjatë rrugës anësore dhe te sheshpushimet e autobusëve, për të pasur më shumë shikueshmëri dhe për të parë më qartë sinjalistikën rrugore”, tha Rushani, përgjegjës sektori, DRQL.
Rushani ndërkohë u bën apel drejtuesve të mjeteve dhe qytetarëve që të kontribuojnë në mbajtjen pastër të mjedisit, duke shmangur hedhjen e mbeturinave përgjatë akseve rrugore. Sipas tij, mirëmbajtja e vazhdueshme e territorit ndikon jo vetëm në estetikën e rrugëve, por edhe në rritjen e sigurisë për përdoruesit e tyre.