Konfiskohet për interes publik një objekt banimi dhe shërbimi në rrugën “Llukë Kaçaj”, Njësia Administrative Nr. 4, Tiranë, pas një aksioni të përbashkët të Policisë së Shtetit dhe Inspektoratit të Mbrojtjes së Territorit pranë Bashkisë Tiranë. Veprimi u krye nga Drejtoria e Monitorimit dhe Zbatueshmërisë së Lejeve të Ndërtimit, në zbatim të ligjit dhe për mbrojtjen e interesit publik.
Verifikimet treguan se objekti 9-katësh kishte tejkaluar lejen e ndërtimit, duke ndërtuar katin e 10, 11 dhe pjesërisht katin e 12, ndërkohë që ishte vënë në përdorim pa certifikatë përdorimi. Sipas Aktit Normativ Nr. 8, datë 01.10.2025, tejkalimi rezultoi mbi pragun ligjor prej 10%, duke bërë të ligjshëm konfiskimin për interes publik.
Materialet procedurale janë referuar Prokurorisë për veprime të mëtejshme. Specialistët e Sektorit për Hetimin e Krimeve Ekonomiko-Financiare dhe Komisariati i Policisë Nr. 4 Tiranë kanë raportuar më herët shkeljet e konstatuara në këtë objekt.
Policia e Shtetit nënvizon se do të vazhdojë bashkëpunimin e ngushtë me të gjitha agjencitë ligjzbatuese për të parandaluar, evidentuar dhe goditur ndërtime të paligjshme dhe krime kundër mjedisit në të gjithë territorin.