Fund korriku në Bajram Curri është shndrruar në kohë përkujtimore. Një ngjarje e rëndë i rikthën 50 vite më parë në aksidentin tragjik që u mori jetën 3 maturantëve dhe shoferit të autobusit.
Në vitet ’70-të mbarë rinia shqiptare e po kështu edhe rinia tropojane, ndërmorën aksione vullnetare, sidomos për ndërtimin e hekurudhave të vendit. Nga vitet 1967-1978 në aksionet kombëtare rinia tropojane ka plotësuar 57 brigada rinie me rreth 5800 aksionistë, nga të cilat, 53 brigadau kthyen me flamurin e Shtabit Qendror të Aksionit, ku më të spikaturat kanë qenë ato të shkollave të mesme “Asim Vokshi”, B.Curri, e “16 Tetori, Tropojë.
Në këtë kontekst, dy vitet e treta të shkollës Tropojë, dhe viti i katërt, sapo mbaroi provimet dhe mbrëmjen e maturës, morën inisiativën që muajin korrik 1975 të shkonin në aksionin kombëtar për ndërtimin e hekurudhës brenda Kombinatit
Aksionistët tropojanë i kishin vënë vetes objektiv për të fituar Flamurin e Shtabit Qendror të Aksionit, dhe ashtu ndodhi, në sektorin ku ata punuan ishin brigadat e rretheve Berat, Korçë,Vlorë, Pogradec, Krujë.
Me 31 korrik 1975, brigada nisi të kthehej në vendlindje mes gëzimit të fitores e kthimit në familjet e tyre. Ishin 67 aksionistë, me komandant Gani Dizdarin, zv/komandant nëndrejtorin e shkollës Sadri Oruçi, komisar Bedri Haziri, mësuesja Nurie Kortoçi Gjyriqi dhe punonjësi i personelit Isuf Zeneli.
Të mbijetuarit tregojnë se autobusi me 67 vetë dhe disa aksionistë nga Kruja, mbërritën tek “21 Dhjetori”, në Tiranë, dhe komandanti e zëvendësi shkojnë në Komitetin Qendror të Rinisë dhe parkun e autobusëve për të kërkuar edhe një autobus tjetër, por pa rezultat, madje ju dhanë një shofer tjetër që kishte qenë në punë gjatë natës dhe e caktuan të ecte me autobusin tjetër dhe jo të vetin.
Nisja në Tiranë për Tropojë u bë në orën 14.00, vajzat u ulën në gjysmën e parë të autobusit, ndërsa djemtë dhe mësuesit në gjysmën prapa.
Autobusi i mbingarkuar me 67 vetë, në orën 15.50 në Majemalth të Shpalit në Mirditë, le rrugën dhe bie në humnerë.
Ndihma e parë ishin makinat e rastit aty, sekretari i parë i rrethit Tropojë, Hysen Papa e Llesh Gjoni, por shpejt u përhap lajmi në Rrëshen-Mirditë, Tropojë, ushtri, rend dhe në pushtetin e kohësSpitali i Rrëshenit u boshatis dhe u lirua për të dëmtuarit, i gjithë populli i Rrëshenit ishte mbledhur para spitalit duke ndihmuar të lënduarit. Helikopterët nga Tirana morën të sëmurët rëndë dhe i çuan në Tiranë, madje Zyra Ahmetaj u dërgua në Rumani.
E nesërmja 1 gusht ishte e mbushur me hidhërim e lot. U nisën për Tropojë tre trupat pa jetë dhe ata që ishin lënduar më pak, të shoqëruar nga 30 automjete. Në Bajram Curri u zhvillua dhe ceremonia mortore.
31 korriku i vitit 1975 shënjoi jetën e maturantëve dhe të gjithë banorëve.
Sot në rrugën e vjetër që lidhte Tiranën me rrethet e Veriut, në Shpal të Mirditës, në shkëmbin e quajtur Majemalth është vendosur një pllakë përkujtimore me tre fotografitë e të rinjve tropojanë, Drande Prend Pjetërnikaj, Hasan Syl Qelia, Hatixhe Ram Mulgeci.
Kanë kaluar 50 vite nga ajo ditë e këtë përvjetor të mbijetuarit e aksidentit duan ta kalojnë në Mirditë në shenjë falenderimi që i trajtuan si bijtë e tyre.