Banka e të akuzuarve në sallën e gjyqit në Prishtinë ishte e zbrazët kur nisi gjykimi për krimet e luftës, të kryera mbi 25 vjet më parë nga forcat ushtarake dhe policore serbe, në Mejë të Gjakovës.
Nga mesi i qershorit, të akuzuarit po gjykohen në mungesë, pasi nuk janë në dispozicion të drejtësisë kosovare
Kundër tyre është lëshuar edhe një fletarrestim ndërkombëtar.
Beogradi zyrtar, tash për tash, hesht.
Rasti i masakrës së Mejës në gjykatë, por jo edhe të akuzuarit
Ushtria e Serbisë thotë për Radion Evropa e Lirë se “nuk ka informacion” në lidhje me pjesëtarët e saj që figurojnë në aktakuzën e Kosovës, ndërsa policia nuk përgjigjet në pyetje.
Më shumë se 50 të pandehur, përfshirë ish-udhëheqës të forcave ushtarake dhe policore serbe, akuzohen për vrasjen e 370 shqiptarëve të Kosovës në Mejë dhe në fshatra të tjerë përreth Gjakovës, gjatë luftës së vitit 1999.
Mbi një çerek shekulli pas masakrës, shumica e të akuzuarve janë në pension, dhe kundër tyre në Serbi – zyrtarisht – nuk është duke u zhvilluar ndonjë hetim.
Disa janë aktivë në jetën publike – shkruajnë dhe promovojnë libra, angazhohen në politikë dhe shfaqen në media.
Në kërkim të të akuzuarve, Radio Evropa e Lirë analizoi bazat e disponueshme të të dhënave dhe arkivat.
Çfarë ndodhi në fshatrat përreth Gjakovës?
Sipas aktakuzës së Prokurorisë së Kosovës, por edhe vendimeve të mëhershme të Tribunalit të Hagës, forcat ushtarake dhe policore serbe zhvilluan nga 27 deri më 29 prill të vitit 1999 një operacion të përbashkët, të quajtur “Reka” – sipas emrit të luginës me mbi 20 fshatra në rajonin e Gjakovës.
Në këtë operacion, qëllim i të cilit ishte spastrimi etnik i zonës nga banorët e saj, u vranë 370 civilë dhe disa mijëra u dëbuan në Shqipëri.
Prona e tyre u plaçkit dhe shtëpitë e tyre u dogjën.
Shumica e të vrarëve jetonin në fshatrat malore të Mejës dhe Korenicës.
Trupat e shumicës u gjetën në vitin 2001 në tetë varre masive në periferi të Beogradit, ndërsa 18 viktima të masakrës janë ende të zhdukura.
Operacioni “Reka” u konceptua nga Korpusi i Prishtinës i Ushtrisë së atëhershme jugosllave dhe krerët e Ministrisë së Punëve të Brendshme (MUP).
I dyshuari kryesor, “opozitar” në Nish
“Nuk më shkon ndërmend të shkoj në gjykim në Prishtinë, por do të paraqitesha gjithmonë para një gjykate në Beograd”, thotë për Radion Evropa e Lirë Momir Stojanoviq, ish-shef i sigurisë së Korpusit të Prishtinës dhe i dyshuar kryesor në aktakuzën e Kosovës.
Si gjeneral ushtarak në pension, ai jeton në Nish – në jug të Serbisë.
Deri në vitin 2016 ishte zyrtar i Partisë Përparimtare Serbe në pushtet, ndërsa sot thotë se është një “opozitar autentik” dhe kritik i ashpër i presidentit serb, Aleksandar Vuçiq.
Në zgjedhjet lokale të vitit 2020 në Serbi, Stojanoviq udhëhoqi grupin qytetar “Sinqerisht për Nishin”, i cili nuk arriti të kalonte pragun zgjedhor.
Stojanoviq thotë për Radion Evropa e Lirë se për masakrën në Mejë dhe fshatrat tjerë ka mësuar disa vite më vonë në Hagë, ku ka qenë dëshmitar i mbrojtjes në gjyqet ndaj udhëheqësve të ushtrisë dhe policisë serbe.
“Nuk kam dijeni për vuajtjet e atyre civilëve dhe me përgjegjësi pohoj se ushtria nuk ka të bëjë fare me atë krim. Nuk mund të them nëse anëtarët e Ministrisë së Punëve të Brendshme kanë bërë diçka. Kjo është një çështje për ta”, thotë Stojanoviq.

Ai shton se Tribunali i Hagës “ka vërtetuar në mënyrë të pakundërshtueshme se ai nuk është përgjegjës”.
“Në luftën në Kosovë, unë nuk kam komanduar asnjë ushtar, nuk kam komanduar ndonjë operacion, as nuk kam planifikuar operacione. Puna ime ishte të mblidhja të dhëna mbi forcën, përbërjen dhe vendndodhjen e formacioneve terroriste të UÇK-së (Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës) dhe kalimet e tyre të paligjshme të kufirit”, thotë Stojanoviq.
Ai pohon se komanda e Korpusit të Prishtinës e ka planifikuar operacionin “Reka”, me qëllim “pastrimin e rajonit të Gjakovës nga terroristët”.
“Gjatë gjithë viteve 1998 dhe 1999, shumë ushtarë tanë kanë vdekur duke shkuar për ndërrim në postblloqet në kufi me Shqipërinë. Sa herë që është nisur automjeti ynë, terroristët e UÇK-së kanë ngritur prita dhe kanë vrarë ushtarë. Kështu ka ndodhur për ditë me radhë”, thotë Stojanoviq.
Çfarë konstatoi gjykata në Hagë?
Edhe pse oficerët e lartë të ushtrisë serbe në dëshmitë e tyre në Hagë thanë se qëllim i operacionit “Reka” ishte të ndalohej hyrja e luftëtarëve të UÇK-së nga Shqipëria, në mënyrë që ata të mos bashkoheshin me brigadën që vepronte në luginë, gjykata konstatoi se asnjëri nga të vrarët nuk ishte i armatosur dhe nuk mori pjesë aktive në luftë.
“Për më tepër, nuk ka asnjë provë që, atëkohë, në atë zonë është zhvilluar ndonjë betejë midis forcave serbe dhe UÇK-së”, shkruan në vendimin e gjykimit për shefin e Drejtorisë së Sigurisë Publike në Ministrinë e Punëve të Brendshme, Vllastimir Gjorgjeviq.
Për krimet në operacionin “Reka” u dënua pothuajse e gjithë udhëheqja ushtarake dhe policore serbe.
Së bashku me Gjorgjeviqin u dënuan edhe komandanti i Korpusit të Prishtinës, Vlladimir Llazareviq, komandanti i Armatës së 3-të, Nebojsha Pavkoviq, shefi i Shtabit të Përgjithshëm, Dragolub Ojdaniq, dhe kreu i Ministrisë së Punëve të Brendshme të Serbisë për Kosovën, Sreten Llukiq.
Deri më sot, asnjë person nuk është dënuar nga gjykatat në Serbi – as për krimet në operacionin “Reka”, as për fshehjen e trupave të viktimave në varre masive në Batajnicë, pranë Beogradit.
Tribunali i Hagës nuk e hetoi përgjegjësinë e Stojanoviqit, sepse ai nuk u gjykua para asaj gjykate.
Megjithatë, në vendimin për Gjorgjeviqin, tha se pretendimi i Stojanoviqit se nuk ka pasur autoritet për të komanduar njësi, “nuk është i besueshëm”.
“Është e paimagjinueshme që ai të mos ketë pasur informacione për pjesëmarrjen e njësive ushtarake në operacionin ‘Reka’, i cili është thënë se ka qenë i drejtuar kundër terroristëve, ose për dëbimin me forcë dhe vrasjen e fshatarëve gjatë ditëve kur është zhvilluar operacioni”, thuhet në vendimin e gjykatës.
Duke folur për Radion Evropa e Lirë, Stojanoviq përsërit pretendimet e tij të mëparshme: se për varret masive në Batajnicë, ku janë gjetur trupat e viktimave në vitin 2001, ka mësuar nga mediat.
Edhe pse më pas ka mbajtur pozitën e kreut të Agjencisë së Sigurisë Ushtarake, ai thotë se nuk ka bërë hetime, sepse “nuk ka pasur një kërkesë të tillë nga gjyqësori”.

Si deputet nga Partia Përparimtare Serbe, Stojanoviq kryesoi edhe Komisionin parlamentar për Kontrollin e Shërbimeve të Sigurisë.
Derisa ishte në atë pozitë, Interpol-i shpalli një urdhër arrestimi për të dhe për 17 persona të tjerë, për krime në rajonin e Gjakovës.
Fletarrestimi u lëshua nga prokurorët e Misionit të Bashkimit Evropian në Kosovë (EULEX).

“Menjëherë kam kontaktuar Gjykatën tonë Speciale për krime lufte në Beograd. Hetimi ka zgjatur deri në vitin 2019, janë ndërruar tre prokurorë, dhe më pas është marrë vendimi për të hedhur poshtë kallëzimin”, thotë Stojanoviq.
Zyra e Prokurorit për Krime Lufte në Serbi nuk iu përgjigj pyetjeve të Radios Evropa e Lirë në lidhje me arsyet e pezullimit të hetimeve, as çfarë informacionesh ka marrë në lidhje me masakrën dhe transferimin e mëvonshëm të trupave të të vrarëve, për të cilat ngjarje janë paraqitur prova edhe para Tribunalit të Hagës.
Kush mori pjesë në krim?
Në aktakuzë thuhet se për këtë operacion, ushtria serbe angazhoi Brigadën e 549-të të Motorizuar – Batalioni 2, Brigadën e 125-të të Motorizuar, Brigadën e 63-të të Parashutistëve, Batalionin e 52-të të Policisë Ushtarake dhe Brigadën e 52-të të Artilerisë dhe Raketave.
Ministria e Brendshme angazhoi, mes tjerave, Njësitë Speciale të Policisë nga Gjakova dhe Prizreni, Njësinë e Operacioneve Speciale, të themeluar nga Shërbimi i Sigurisë Shtetërore Serbe, dhe anëtarë të mbrojtjes territoriale dhe formacione paraushtarake.
Mirënjohje për brigadën e 125-të “heroike”
Aktakuza e Kosovës përfshin edhe Dragan Zhivanoviqin, i cili, në kohën e krimit, komandonte Brigadën e 125-të të Motorizuar.
Në dëshmitë e tij në Hagë, më herët, ai deklaroi se brigada e tij nuk ka marrë pjesë në plaçkitjen dhe djegien e fshatrave në Kosovë dhe se ushtarët e tij kanë qëlluar “vetëm ndërtesat ku kanë qenë terroristët”.
Ai doli në pension në vitin 2006 me gradën gjeneral-major.
Sot, ai ftohet në programe televizive me frekuencë kombëtare në Serbi, në të cilat flet për ngjarjet në Kosovë dhe për “rrugën heroike” të brigadës së dikurshme.
Së bashku me udhëheqjen ushtarake dhe shtetërore të Serbisë, ai u dha vazhdimisht dekorata anëtarëve të saj.

E gjithë brigada, e cila u shpërbë në vitin 2005, u dekorua me “Urdhrin e Heroit të Popullit” për, siç thuhet në faqen zyrtare të Ushtrisë së Serbisë, “kontributin në mbrojtjen e atdheut, heroizëm dhe vetëflijim”.
Në vitin 2021, Ministria e Mbrojtjes e Serbisë prezantoi edhe filmin “Brigada Heroike e 125-të e Motorizuar”.
Sipas Fondit për të Drejtën Humanitare, më shumë se 1.800 civilë u vranë në zonën e përgjegjësisë së kësaj brigade – në mesin e tyre mbi 500 gra dhe fëmijë.
Më shumë se një dekadë më parë, ky fond ngriti dy padi penale kundër Zhivanoviqit për krime në Kosovë.

Në vitin 2014, Zyra e Prokurorit në Serbi nisi hetime për përfshirjen e brigadës në krime.
Ato u pezulluan tre vjet më vonë dhe Zyra e Prokurorit nuk iu përgjigj pyetjeve të Radios Evropa e Lirë në lidhje me arsyet.
Kujtimet e familjeve të viktimave
Burri i Mira Krasniqit ishte një nga qindra civilët e marrë nga forcat serbe nga një fshat pranë Gjakovës, më 27 prill të vitit 1999.
Ai ishte 39 vjeç atëkohë dhe trupi i tij nuk u gjet kurrë.
Mira kujton gjithçka: kolonat e grave dhe fëmijëve që dëboheshin, burrat që ndaheshin prej tyre, rrugët e mbushura me ushtarë serbë dhe urdhrat e tyre me armët ngritur: “Ikni, largohuni”.
“I pari që e zbritën prej traktorit, ishte Alberti – djali i kunatit. Pastaj, i morën të gjithë burrat tjerë… Neve nuk na lejuan as të kthenim kokën e t’i shihnim. Vazhduam me kolonën drejt Shqipërisë”, kujton Mira për Radion Evropa e Lirë.
Albert Krasniqi, atëkohë 17 vjeç, dhe babai i tij u gjetën më vonë në një nga varrezat masive në Batajnicë të Serbisë.
Në atë prill, edhe Lush Krasniqi nga Ramoci i Gjakovës humbi dy vëllezër dhe një xhaxha.
“I morën dhe shkuan nëpër shtëpi të tjera, ndërsa neve na urdhëruan që të largoheshim me traktor”, kujton Lushi.
Trupat e familjarëve të tij u gjetën gjashtë vjet më vonë në një nga varret masive në Batajnicë.
Çfarë bëjnë veteranët e Brigadës së 63-të të Parashutistëve?
Udhëheqës i Brigadës së 63-të Ushtarake të Parashutistëve në kohën e krimit ishte Illija Todorov.
Ai qëndroi në atë pozitë deri në vitin 2006, kur u emërua komandant i parë i Brigadës Speciale të Ushtrisë së Serbisë.
Ai ishte edhe zëvendëskomandant i Komandës së Përbashkët Operacionale dhe u pensionua në vitin 2020.
Ndryshe nga disa veteranë të kësaj brigade, të cilët morën pjesë në protestat antiqeveritare në Serbi, të organizuara nga studentët në muajt e fundit, Todorov është i afërt me udhëheqjen shtetërore dhe ushtarake.
Në tetor të vitit të kaluar, përkrah kryeministrit të atëhershëm serb, Millosh Vuçeviq, dhe ministrit të Mbrojtjes, Bratisllav Gashiq, ai foli në një ceremoni për shënimin e 80-vjetorit të themelimit të brigadës.
“Sot është rasti për të shprehur mirënjohje dhe nderim për të gjithë ata që e vunë vetën në shërbim të formacionit të madh të Brigadës së 63-të të Parashutistëve”, tha ai.

Sipas gjetjeve të Gjykatës në Hagë dhe dëshmive të pjesëtarëve të ushtrisë, Brigada e 63-të e Parashutistëve ishte në krahun e majtë të forcave ushtarake-policore që kanë lëvizur nga veriperëndimi i Luginës së Rekës në juglindje dhe kanë dëbuar fshatarët.
Gjatë luftës në Kosovë, kjo brigadë ishte kryesisht e angazhuar në postblloqet përgjatë kufirit me Shqipërinë.
“Rruga e gjeneralit për në Kosmet”
Ish-komandanti i Brigadës së 52-të të Artilerisë dhe Raketave, Millosh Gjoshan, është në pension që nga viti 2001.
Ai shkruan dhe promovon libra për luftën në Kosovë dhe është shpesh i ftuar në televizionet serbe.
Në mars të vitit të kaluar, në prezantimin e biografisë së Nebojsha Pavkoviqit, ai tha se është “nder dhe përgjegjësi e madhe për mua të flas për librin e heronjve dhe martirëve”.
Pavkoviq po vuan një dënim shumëvjeçar me burg në Finlandë, për krimet e kryera në Kosovë.
Përveçse ka promovuar librat “Rruga e gjeneralit për në Kosmet” dhe “Nga agresioni i NATO-s në Tribunalin e Hagës”, Millosh Gjoshan ka marrë pjesë edhe në ceremoni të organizuara nga përfaqësuesit e Qeverisë serbe.

Në kohën e krimit, brigada e Gjoshanit varej drejtpërdrejt nga Korpusi i Prishtinës.
Në një deklaratë që i dha Komisionit për Bashkëpunim me Tribunalin e Hagës në vitin 2002, ai konfirmoi se një pjesë e njësisë së tij mori pjesë në operacionin “Reka”, por tha se ata pjesëtarë nuk ranë në kontakt me civilët.
Si dëshmitar i mbrojtjes në gjyqin e Vllastimir Gjorgjeviqit në Hagë, ai tha se “nuk kishte shumë informacione rreth aksionit” dhe se “nuk kishte dëgjuar asgjë për krimet” e kryera kundër popullsisë shqiptare.

Zona e përgjegjësisë së Brigadës së 549-të
Fshatrat në rajonin e Gjakovës i përkisnin zonës së përgjegjësisë së Brigadës së 549-të të Motorizuar, të udhëhequr nga Bozhidar Delliq.
Pavarësisht akuzave dhe kallëzimeve penale të bëra kundër tij nga Fondi për të Drejtën Humanitare, në Serbi nuk kishte asnjë procedurë penale kundër Delliqit.
Ai vdiq në gusht të vitit 2022, derisa ishte nënkryetar i Parlamentit serb.
Marrë parasysh forcën dhe operacionet në të cilat mori pjesë, batalioni më i rëndësishëm brenda Brigadës së 549-të ishte Batalioni i 2-të i Motorizuar, i komanduar nga Vllatko Vukoviq.
Si dëshmitar i mbrojtjes në gjyqin e ish-presidentit jugosllav, Sllobodan Millosheviq, në Hagë, Vukoviq tha se batalioni i tij kishte marrë një detyrë verbale nga Korpusi i Prishtinës, “për t’i ndihmuar civilët të kalonin kufirin dhe të shkonin në Shqipëri”.
Si arsye përmendi “parandalimin e mundësisë së lëndimeve nga minat, që ishin vendosur nga forcat serbe”.
Vukoviq, i cili është në aktakuzën e Kosovës, doli në pension në fillim të viteve 2000.
Edhe brigadës së tij iu dha “Urdhri i Heroit të Popullit” në Serbi për “meritat e saj në kohë lufte”.

Sipas dëshmive të disa oficerëve të lartë ushtarakë në Hagë, urdhri për të angazhuar ushtrinë në operacionin “Reka” u dha nga shefi i atëhershëm i Shtabit të Korpusit të Prishtinës, Verolub Zhivkoviq.
Me urdhër gojor, ai u kërkoi njësive ushtarake “ta siguronin zonën”.
Zhivkoviq është i përfshirë në aktakuzën e Prokurorisë së Kosovës, ndërsa, sipas të dhënave të Fondit për të Drejtën Humanitare, ai është liruar nga detyra në vitin 2003.
Sipas aktakuzës, në krim ka marrë pjesë edhe njësia e 52-të e Batalionit të Policisë Ushtarake, e cila drejtohej nga Sasha Antiq.
Sipas dëshmisë së një pjesëtari të këtij batalioni, i cili dëshmoi në Hagë nën mbrojtje të identitetit, urdhrin për angazhimin e njësisë e ka dhënë komandanti i batalionit, Stevo Kopanja, duke thënë se të gjithë shqiptarët duhej të dërgoheshin drejt fshatit Korenicë, ku po i prisnin pjesëtarët e Ministrisë së Punëve të Brendshme me një “listë terroristësh”.
Sipas Fondit, Kaponja doli në pension në vitin 2013, ndërsa Antiq në vitin 2002.
Roli i policisë speciale dhe formacioneve paraushtarake
Aktakuza e Kosovës përfshin edhe anëtarë të Njësive Speciale të Policisë dhe Njësisë së Operacioneve Speciale, të kryesuar nga Franko Simatoviq.
Edhe ai gjendet në Serbi, pasi Tribunali i Hagës e liroi para kohe në vitin 2023, për shkak të shëndetit të dobët.

Ai vuajti tetë vjet e gjysmë nga një dënim prej 15 vjetësh burgim, për krimet e kryera gjatë luftërave në Bosnje dhe Hercegovinë dhe në Kroaci, gjatë viteve ’90.
Për krimet në Kosovë nuk u mbajt përgjegjës.
Asnjë përgjigje nga institucionet në Serbi
Ministria e Mbrojtjes e Serbisë refuzoi t’i sigurojë Radios Evropa e Lirë të dhëna për ushtarët e saj që janë në aktakuzën e Kosovës, duke u arsyetuar se Drejtoria Operative e Shtabit të Përgjithshëm “nuk posedon informacionet e kërkuara”.
Deri në publikimin e këtij artikulli, kjo ministri nuk iu përgjigj kërkesës së Radios Evropa e Lirë për qasje të lirë në informacione me rëndësi publike, edhe pse afati ligjor ka skaduar.
Radio Evropa e Lirë pyeti edhe Zyrën e Prokurorit për Krime Lufte në Serbi nëse, pas nisjes së gjykimit në Kosovë, do të nisë hetime dhe do të bashkëpunojë me Prishtinën, por nuk mori përgjigje.
Ngjashëm, as Ministria e Drejtësisë e Serbisë nuk iu përgjigj pyetjes në lidhje me Marrëveshjen për Ndihmë të Ndërsjellë Juridike.
Kjo marrëveshje, e cila u arrit në Bruksel në vitin 2013, përcakton që Kosova dhe Serbia të shkëmbejnë kërkesa gjyqësore përmes përfaqësuesve të Bashkimit Evropian.
Qeveria e Serbisë, e cila nuk e njeh Kosovën dhe institucionet e saj, nuk ka komentuar publikisht për fillimin e gjyqit në Prishtinë.
Pyetjeve të Radios Evropa e Lirë nuk iu përgjigjën as Zyra e Presidentit të Serbisë, Qeveria e Serbisë dhe Zyra e saj për Kosovën. /REL