Ndërsa aleati i Rusisë, Bashar al-Assad, u rrëzua nga rebelët në Siri, një tjetër mik i Moskës, Presidenti Faustin-Archange Touadéra, po mbrohej nga mercenarë të mbështetur nga Kremlini në Republikën e Afrikës Qendrore (CAR), një vend i trazuar ku grupet e armatosura duan ta rrëzojnë atë nga pushteti.
“Pa mbrojtjen e Wagner-it (forca ushtarake private ruse), ai (Touadéra) nuk do të ishte president tani,” i tha CNN-së Aboubakar Siddick, zëdhënës i një aleance të rebelëve në CAR të njohur si Koalicioni i Patriotëve për Ndryshim (CPC-F).
Siddick tha se rebelët e CPC-F ishin “të frymëzuar” nga rrëzimi i Assad-it, duke deklaruar: “Rrëzimi i Touadérës është i domosdoshëm.”
Në një shenjë të rëndësisë që Rusia i kushton marrëdhënieve të saj në Afrikë, Vladimir Putin u takua të enjten me Touadérën në Moskë — bisedimet e para ndërkombëtare të presidentit rus për këtë vit.
Pse Rusia është kaq e interesuar në Afrikë?
Ndërsa konfliktet në CAR dhe vende të tjera të brishta afrikane vazhdojnë, shumë prej tyre po mbështeten gjithnjë e më shumë në ndihmën ushtarake të Rusisë, ndërsa Moska kërkon të zëvendësojë ndikimin perëndimor në kontinent.
Me zgjerimin e pranisë së saj në rajonin e pasur me minerale të Sahelit – ku grushtet e shtetit, rebelimet dhe sulmet ekstremiste janë të shpeshta – Rusia ka përfituar nga ndjenjat anti-perëndimore të nxitura shpesh nga propaganda ruse, për të ndikuar në dëbimin e trupave perëndimore dhe për të zënë vendin e tyre.
Vende si Bregu i Fildishtë dhe Çadi janë bashkuar me ish-kolonitë franceze si Mali, Burkina Faso dhe Niger, duke kërkuar largimin e forcave perëndimore dhe duke u afruar me Rusinë për sigurinë e tyre.
Wagner dhe ndihma “me kosto”
Në CAR, grupi mercenar Wagner ka qenë aktiv që nga viti 2018 dhe është bërë forca dominuese në vend pas tërheqjes së trupave franceze në 2022.
Presidenti Touadéra falënderoi Putinin për ndihmën që “stabilizoi” vendin dhe deklaroi se ushtria e trajnuar nga instruktorët rusë tani mund të përballojë kërcënimet.
Por sipas historianes ruse Irina Filatova, ky bashkëpunim nuk është humanitar. Sipas saj, Rusia e bën këtë për para dhe për ndikim politik, duke marrë kontroll mbi burime minerale në këmbim të ndihmës ushtarake, për të financuar luftën në Ukrainë.
Hetime të mëparshme të CNN zbuluan se kompani të lidhura me ish-udhëheqësin e Wagner-it, Yevgeny Prigozhin, kishin fituar koncesione për të nxjerrë ar dhe diamante në CAR. Një prej tyre kontrollon minierën e Ndassimas, e vlerësuar mbi 1 miliard dollarë.
Të drejta të mohuara dhe kontroll i padukshëm
Gazetarët dhe opozitarët në CAR thonë se nuk ka asnjë transparencë për mënyrën se si Wagner e kontrollon minierën apo ku shkon ari që nxirret.
Sipas Departamentit të Thesarit të SHBA-së, kompani të lidhura me Wagner kanë ndihmuar në kontrabandimin e arit dhe diamanteve nga CAR drejt Emirateve të Bashkuara Arabe dhe Evropës, duke shmangur sanksionet financiare ndaj Rusisë.
Organizata Human Rights Watch ka dokumentuar krime të rënda të Wagner-it në Afrikë, përfshirë ekzekutime dhe tortura ndaj civilëve në CAR dhe Mali.
Çfarë fiton Rusia nga kjo?
Një raport i World Gold Council vlerëson se Wagner ka fituar rreth 2.5 miliardë dollarë nga aktivitetet ilegale të arit që nga fillimi i luftës në Ukrainë.
Përveç CAR, CNN ka hetuar edhe mbi kontrabandën e arit nga Sudani dhe furnizimin e grupeve ushtarake atje me armë nga Wagner.
Zëdhënësi i ambasadës ruse në CAR nuk iu përgjigj kërkesave për koment, ashtu si edhe Ministria e Mbrojtjes e Rusisë.
Garë për ndikim me Kinën dhe Perëndimin
Rusia nuk është e vetmja që kërkon ndikim në Afrikë. Kina ka dekada që ka forcuar marrëdhëniet ekonomike dhe ushtarake në kontinent. Ajo është partneri më i madh tregtar i Afrikës prej 15 vitesh dhe investitor kryesor në infrastrukturë.
Ndryshe nga Perëndimi, që fokusohet në të drejtat e njeriut dhe demokracinë, Kina dhe Rusia preferojnë marrëdhënie me liderë autokratikë pa ndërhyrje në punët e brendshme.
Sipas analistit Jean-Fernand Koena, Kina po forcon ndikimin ekonomik, ndërsa Rusia ofron stabilitet ushtarak — një qasje që i përshtatet regjimeve autokratike që duan të qëndrojnë në pushtet.
“Mesazhi i paqes dhe sigurisë përçohet më shpejt se sa ekonomia,” tha Koena, duke nënkuptuar se sa kohë që regjimet afrikane shohin Rusinë si garant të sigurisë, ajo do të vazhdojë të jetë e mirëpritur.