Një ngjarje tragjike është regjistruar në Fushë-Krujë, ku 16-vjeçari Enes Isaku humbi jetën pasi u shkëput papritur ashensori industrial në restorantin ku punonte, në fshatin Arrameras.
Sipas dyshimeve paraprake, i mituri u shty drejt ashensorit nga kolegu 26-vjeçar, Endri Stafuka, ndërsa rrethanat e plota të ngjarjes po hetohen nga autoritetet.
Policia ka arrestuar 26-vjeçarin, i dyshuar për vrasje nga pakujdesia, si dhe pronarin e lokalit, Afrim Vathi, gjyshin e viktimës, për shkelje të rregullave të sigurisë në punë dhe fshehje të të ardhurave.
Njoftimi i policisë:
Krujë
Specialistët e Komisariatit të Policisë Krujë arrestuan në flagrancë shtetasit:
-E. S., 26 vjeç, për veprën penale “Vrasja nga pakujdesia”;
-A. V., 62 vjeç, për veprat penale “Shkelja e rregullave të mbrojtjes në punë” dhe “Fshehja e të ardhurave”.
Arrestimet u kryen pasi dyshohet se më datë 11.10.2026, në fshatin Arrameras, Fushë Krujë, në restorantin në pronësi të shtetasit A. V., shtetasi E. S., kamerier i lokalit, ka shtyrë me duar një 16-vjeçar (i punësuar kamerier në lokal), brenda në ashensor, dhe si pasojë e shkëputjes së ashensorit, 16-vjeçari ka humbur jetën.