Ekosistemi që ka rilindur mbi tokën që dikur formonte fundin e rezervuarit Kahovka mund të bëhet për disa vite po aq i rëndësishëm ekologjikisht sa Delta e Danubit.
Një “bombë me sahat” e paparashikueshme dhe potencialisht toksike
Pylli i ri mund të zhduket po aq shpejt sa ka dalë.
Dy vjet pasi diga Nova Kahovka u shkatërrua në Ukrainë, natyra ka rimarrë kontrollin mbi tokat që dikur ishin fundi i liqenit më të madh rezervuar në lumin Dnieper, duke e shndërruar gjithë rajonin në një “eksperiment të madh natyror në zhvillim”. Pylli gjigant që ka rilindur në mënyrë spektakolare në vendin e rezervuarit mund të zhduket po aq shpejt sa ka dalë, raporton The Guardian.
Në skajin jugor të ishullit më të madh lumor në Evropë është shfaqur një pamje e re, e gjerë dhe e papritur. Nga maja e një shkëmbi në ishullin Khortytsia, duke parë poshtë, shtrihet një det me shelgje të reja që lëkunden në erë dhe laguna të pastra që pasqyrojnë peizazhin përreth. Disa pemë tashmë kanë arritur disa metra lartësi, por është një pyll i ri. Vetëm disa vite më parë, gjithçka që shihet sot këtu ishte nën ujë.
“Ky është Veliki Luh – Livadhi i Madh,” tha Valeri Babko, një ish-profesor historie dhe veteran lufte, duke qëndruar buzë ish-rezervuarit pranë fshatit Malokaterinivka. “Është një tokë antike, mitike në folklorin ukrainas. Mendoni për të gjithë ata kazakë që galoponin nëpër lugina aq të dendura me pyje saqë dielli mezi depërtonte [në vegjetacion],” tregoi Babko.
Ai peizazh historik u zhduk në vitin 1956, kur Bashkimi Sovjetik përfundoi ndërtimin e digës dhe hidrocentralit Kahovka, duke përmbytur gjithë rajonin. Ajo që dikur ishte një djep i kulturës dhe biodiversitetit u shndërrua në rezervuar, dhe ekosistemi plot jetë u zhyt nën ujë.
Ish-rezervuari Kahovka, i mbuluar tani me vegjetacion, kishte një sipërfaqe mbi 2.150 kilometra katrorë – më i madh se qyteti i New York-ut dhe të pesë rrethet e tij.
Në vitin 2023, uji u përdor si armë: diga Nova Kahovka në lumin Dnieper, nën kontrollin e forcave ruse, u hodh në erë. Rusia mohon ta ketë bërë këtë. Rajonet poshtë digës u përmbytën, uji dhe sedimentet shkatërruan fshatra të tëra dhe vranë dhjetëra apo qindra njerëz. Gati një milion njerëz humbën burimin kryesor të ujit të pijshëm.
Një “bombë me sahat” e paparashikueshme dhe potencialisht toksike
Dy vjet pas katastrofës, fati i rezervuarit mbetet i pasigurt. Shkencëtarët thonë se ajo që ndodhi këtu përfaqëson si një “ringjallje” për ekosistemin dhe jetën e egër, ashtu edhe një “bombë me sahat” të paparashikueshme dhe potencialisht toksike.
Menjëherë pas bombardimit, rezervuari Kahovka dukej si një shkretëtirë me baltë të thatë dhe të çarë. Tani, bimët po rriten aq shumë sa do të të duhej një drapër për të kaluar përmes rajonit. Përtej mbetjeve të organizmave ujorë që dikur jetonin në liqen, shtrihet një det me pemë të reja që zgjatet përtej horizontit, drejt centralit bërthamor Zaporijia, i pushtuar nga trupat ruse.
Ish-liqeni rezervuar tani është mbushur me shelgje, plepa dhe zona të mëdha të luginave të përmbytura.
Ekosistemi i pjesës së poshtme të Dnieprit jo vetëm që po rikuperohet, por edhe po evoluon, sipas raportit më të fundit të Grupit të Punës për pasojat mjedisore të luftës në Ukrainë (UWEC). Kanë rifilluar të shfaqen edhe zvarranikë të rrezikuar si morunët, ndërsa derrat e egër dhe gjitarë të tjerë po kthehen në pyje. Ka shenja të një rigjenerimi spontan të natyrës në një hapësirë të madhe të luginave të përmbytura.
“Po shohim shfaqjen e një sistemi gjigant pyjesh të luginave të përmbytura natyrale,” tha Oleksii Vasiliuk, kreu i Grupit ukrainas për konservimin e natyrës dhe bashkautor i një raporti të vitit 2025 për liqenin Kahovka për UWEC. “Nuk është një projekt i organizuar. Toka vetë po kthehet në jetë.”
Rreth 40 miliardë shkurre të reja janë shfaqur që kur diga u shkatërrua, gjë që mund të çojë në formimin e pyllit më të madh të luginave të përmbytura në zonën e stepës së Ukrainës, sipas raportit.
Për Ukrainën, Veliki Luh përfaqëson edhe një mundësi për të tërhequr fonde të reja për rindërtimin e vendit
“Rikthimi i ekosistemeve natyrore të ujërave të ëmbla përgjatë një shtrirjeje 250 kilometra të pjesës së poshtme të Dnieprit mund të bëhet projekti më i madh i këtij lloji në Evropë,” tha Eugen Simonov, koordinator ndërkombëtar i organizatës Lumenjtë pa Kufij.
Pylli i ri mund të zhduket po aq shpejt sa ka dalë.
Rikuperimi i natyrës nuk është i garantuar. Një pjesë e madhe e ish-rezervuarit mbetet e paarritshme për shkak të bombardimeve dhe fushave me mina. Ndërkohë, ndotja kimike dhe me metale të rënda po shton shqetësimin e studiuesve.
Sipas një raporti të publikuar në revistën Science, nëse nuk rindërtohet hidrocentrali Kahovka, brenda pesë vitesh, 80% e ekosistemit origjinal të humbur me ndërtimin e digës do të rikthehet, ndërsa biodiversiteti i luginave të përmbytura do të rikuperohet ndjeshëm brenda dy vitesh.
Nëse lihet të rigjenerohet, Kahovka mund të bëhet një nga ekosistemet më të mëdha të ujërave të ëmbla të pandërprera në Evropë, duke rivalizuar Deltën e Danubit për nga rëndësia ekologjike.
Megjithatë, pylli i ri mund të zhduket shpejt.
“Nëse diga hidroelectrike do të rindërtohet, ky pyll i ri dhe të gjitha organizmat që mbështet tani do të humbasin përsëri,” paralajmëroi Vasiliuk.
Kompania shtetërore energjetike Ukrhidroenergo ka njoftuar tashmë se synon të rindërtojë hidrocentralin Kahovka. Për disa zyrtarë, kjo përfaqëson një rikthim në normalitet.
“Rindërtimi i digës ashtu siç ishte nuk do të ishte një rikuperim, por një ekocid i madh,” tha Vasiliuk. “Do të shkatërronte një pyll të ri dhe spontan para se të kemi qoftë edhe mundësinë ta kuptojmë atë.”
“Nëse Ukraina zgjedh të mbrojë Veliki Luh, nuk do të shpëtojë vetëm një peizazh, por do të zgjedhë të besojë në të ardhmen e vet,” tha Simonov.
Për njerëzit që jetonin në zonë, shkatërrimi i digës ishte një katastrofë, por nga pikëpamja shkencore, ky është një fenomen shumë i rrallë, sipas ekologes Oleksandra Shumilova.
“Si mund të rikthehet një ekosistem? Është një eksperiment i madh natyror. Dhe është ende në zhvillim.”