Organizata e Veteranëve të Luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (OVL-UÇK) ka reaguar ndaj deklarimeve të kryetares së Dhomave të Specializuara, Ekaterina Trendafilova, duke i cilësuar pretendimet e saj për zgjedhjen e ligjit që rregullon veprimtarinë e kësaj gjykate si të çuditshme dhe qesharake.
Në reagimin e saj, OVL-UÇK ka theksuar se ligjet në Kosovë miratohen nga Kuvendi, ndërsa Dhomat e Specializuara janë krijuar pikërisht nga ky institucion.
Organizata ka kritikuar Trendafilovën për, siç ka thënë, arrogancën ndaj Kuvendit në çështjet që lidhen me sundimin e ligjit, duke nënvizuar se kritikat ndaj vendimeve gjyqësore janë një e drejtë legjitime.
Reagimi i plotë:
Të pretendosh se një gjykatë ka të drejtën e zgjedhjes së ligjit që rregullon veprimtarinë e saj, është jo vetëm e çuditshme, por edhe qesharake. Këto pretendime i lexuam në komunikatën e znj. Trendafilova.
Zonja në fjalë, duhet të dijë se në Kosovë, ligjet i miraton Kuvendi. Vet Dhomat e Specializuara ekzistojnë sepse u krijuan nga Kuvendi, andaj ato nuk kanë pushtet mbi institucionin që i themeloi.
Trendafilova duhet ta dijë se t’i mbash leksione Kuvendit për sundimin e ligjit, përderisa e trajton interpretimin personal si të padiskutueshëm, është arrogancë. Kritika ndaj vendimeve gjyqësore është e drejtë legjitime dhe nuk do të heqim dorë prej saj. Asnjë vendim gjyqësor nuk mund ta fshijë të vërtetën se Lufta Çlirimtare ishte e drejtë.
Lirinë e Kosovës e fituan ata që u ngritën kundër gjenocidit, dhe shtetësia e Kosovës qëndron mbi sakrificën e tyre. Andaj, gjykatat asnjëherë nuk duhet të shndërrohen në institute historie, por duhet që me dinjitet e profesionalizëm ta kryejnë punën për të cilën janë mandatuar. Fatkeqësisht, në rastin e Dhomave të Specializuara kanë munguar që të dyja, edhe dinjiteti, edhe profesionalizmi