Autoritetet në Bullgari kanë konfiskuar gjatë 24 orëve të fundit mbi 295 mijë euro të destinuara për blerjen e votave në prag të zgjedhjeve të parakohshme parlamentare të së dielës, procesi i tetë zgjedhor në pesë vitet e fundit, njoftoi të premten qeveria në Sofje.
Shuma më e madhe, rreth 200 mijë euro të shpërndara në zarfe, u sekuestrua gjatë një operacioni policor në Varna, në bregun e Detit të Zi, njoftoi ministri i Brendshëm, Emil Deçev.
Gjatë këtij operacioni, autoritetet zbuluan edhe lista me të dhëna personale të qytetarëve që kishin shitur votën e tyre, si pjesë e një rrjeti të gjerë të organizuar për blerjen e mbështetjes elektorale. Sipas hetimeve, në këtë rrjet ishte i përfshirë edhe një këshilltar lokal nga një zonë fqinje.
Policia mori në pyetje 152 persona që dyshohet se kishin marrë para në këmbim të votës për një parti, emri i së cilës nuk është bërë publik. Katër prej tyre u arrestuan.
Në katër operacione të tjera të zhvilluara në rajone të ndryshme të vendit, autoritetet sekuestruan edhe 95 mijë euro të tjera të destinuara për blerje votash.
Policia bullgare kishte njoftuar edhe javën e kaluar konfiskimin e një milion eurove gjatë operacioneve kundër blerjes së votës, ndërsa një ditë më vonë qeveria paralajmëroi se në qarkullim ndodhej një sasi e madhe eurosh false, të destinuara për të njëjtin qëllim.
Në total, rreth 300 persona janë arrestuar që nga fillimi i fushatës zgjedhore për shkelje që lidhen me krimet elektorale.
Bullgaria do të zhvillojë këtë të diel zgjedhjet e saj të teta parlamentare që nga viti 2021, ndërsa ish-presidenti nacionalist pror rus Rumen Radev konsiderohet favoriti kryesor për formimin e qeverisë së re. Megjithatë, ende nuk ka garanci se vendi do të arrijë të dalë nga bllokada politike dhe të shmangë një tjetër kthim në zgjedhje në fund të verës.
Blerja e votave mbetet një praktikë e zakonshme në Bullgari, një nga vendet më të varfra dhe më të korruptuara të Bashkimit Evropian. Zakonisht, votuesve u ofrohen nga 50 deri në 100 euro ose ndihma materiale, si dru zjarri falas, në këmbim të provës se kanë votuar për një parti të caktuar, zakonisht përmes fotografimit të fletës së votimit ose futjes në kuti të një flete të shënuar paraprakisht.