Oda Ekonomike Amerikane në Kosovë ka vlerësuar se projektet energjetike të mbështetura nga Shtetet e Bashkuara përbëjnë pjesë të agjendës së përbashkët strategjike mes dy vendeve, duke paralajmëruar se refuzimi i projektit të gazit natyror mund të ndikojë negativisht në marrëdhëniet dypalëshe.
Drejtori Ekzekutiv i Odës Ekonomike Amerikane në Kosovë, Arian Zeka, ka deklaruar se Kosova, gjatë viteve të fundit, ka humbur mundësi të rëndësishme investimi për shkak të mosbashkërendimit me politikat e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, veçanërisht në sektorin e energjisë.
Zeka tha se një nga rastet kryesore ka qenë humbja e mundësisë për ndërtimin e një termocentrali me investitor amerikan.
Kosova për vite me radhë realisht ka refuzuar në disa aspekte kyçe të politikës së jashtme amerikane që të bashkërendohet me Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Në vitin 2021 ne realisht e humbëm mundësinë e ndërtimit të një termocentrali, investitori i të cilit ishte një kompani me kapital amerikan”, deklaroi Zeka.
Sipas tij, kjo ka ndodhur edhe si rezultat i deklaratave politike të asaj kohe.
Kjo ndodhi edhe për shkak të deklaratave që dy prej liderëve më të fuqishëm politikë, kryeministri Kurti dhe presidentja Osmani, i kishin bërë gjatë fushatës së vitit 2020 dhe në fillim të vitit 2021”, tha ai.
Zeka kritikoi gjithashtu qasjen e Qeverisë ndaj marrëveshjes së Washingtonit, duke thënë se ekzekutivi kishte refuzuar zbatimin e disa prej dispozitave të saj.
Kjo qeveri realisht refuzonte që të zbatonte dispozitat e Marrëveshjes së Washingtonit, në të cilën parashihej edhe përfitimi i fondeve të institucioneve financiare amerikane për ndërtimin e infrastrukturës së furnizimit me gaz të lëngshëm natyror”, u shpreh ai.
Ai kujtoi deklaratat e zyrtarëve qeveritarë që, sipas tij, kishin shkaktuar shqetësim.
Zyrtarët e qeverisë thoshin se do të zgjedhin cilat dispozita të Marrëveshjes së Washingtonit do t’i zbatojnë. Ata jo vetëm që e refuzonin marrëveshjen në tërësi, por po provokonin duke thënë se do të vendosin vetë cilat pika do t’i zbatojnë”, deklaroi Zeka ë emisionin Rubikon në Klan Kosova,
Drejtori i Odës Amerikane poashtu tha se ekziston një kërkesë e qartë amerikane për investime në infrastrukturën e gazit të lëngshëm natyror (LNG), duke kundërshtuar pretendimet se kjo nuk është kërkesë zyrtare e Washingtonit.
“Çështja fillestare duhet të jetë që Kosova t’i thotë po, ta bëjë pjesë edhe njëherë të agjendës së saj zyrtare. E pastaj këto çështje të tjera të financimit, të lartësisë së kostos. Besoj që janë çështje të cilat kanë zgjidhje.”, ka thënë Zeka.
Ai ka thënë se debati për energjinë ka nisur pak para zgjedhjeve të 7 qershorit dhe sipas tij, kjo ishte një mundësi e mirë që edhe votuesi kosovar ta jepë verdiktin e tij për sa i përket kësaj çështjeje.
“Dhe unë besoj që përqindja që ka marrë partia në pushtet që për momentin po refuzon t’i thotë po përfshirjes së Kosovës në këtë agjendë energjetike të Shteteve të Bashkuara të Amerikës besoj është dëshmia më e mirë që bie në kundërshtim me verdiktin e votuesve kosovarë. Pjesa e dërmuesve të cilëve nuk e ka mbështetur këtë agjendë të qeverisë ose të partisë në pushtet ose qeverisë aktuale në detyrë. Pra nuk ka zgjidhje tjetër përveç se t’i thuhet po.”, ka thënë Zeka.
Në dritën e kësaj, më 5 qershor, e ngarkuara me punë në Ambasadën amerikane në Prishtinë, Anu Prattipati, publikoi një op-ed me gjuhë befasueshëm direkte për standardet diplomatike.
Në hyrje të shkrimit, Prattipati na kujtoi se Kosova ka shpenzuar 735 milionë euro për import të energjisë elektrike në katër vitet e fundit, me një faturë që u rrit nga 142 milionë euro më 2024 në 259 milionë euro më 2025.
Mesazhi ishte i drejtpërdrejtë: Kosova duhet të rreshtohet brenda projekteve amerikane të gazit natyror në Ballkan, duke sinjalizuar se “Dritarja për t’iu bashkuar këtyre projekteve po mbyllet.”
Vonesa, sipas Prattipati, mbart pasoja shumë reale: kapacitetet amerikane të GNL-së mund të ridrejtohen drejt vendeve të tjera, duke lënë Kosovën si shtetin e vetëm të Ballkanit Perëndimor pa qasje në gazin amerikan.
Nga ana tjetër, qëndrimi i Qeverisë Kurti po thellëson revoltën e opinionit publik, duke nxitur thirrje të vazhdueshme për t’u lidhur me rrjetin e gazit të lëngshëm amerikan. Pavarësisht kësaj, ekzekutivi duket i ngulur për të qëndruar jashtë këtij projekti.
Në intervistën e dhënë së fundi në Televizionin Publik, Kurti devijoi debatin nga ndërtimi i infrastrukturës së gazit në Kosovë drejt një zgjidhjeje jashtë territorit të vendit.
Përtej kësaj qasjeje, ai madje tha se Kosova duhet të orientohet drejt shndërrimit të qymyrit të saj në gaz, në vend që ta blejë atë si lëndë të gatshme nga jashtë.
“Republika e Kosovës ka gatishmëri që të investojë në Terminalin në Vlorë dhe paramendojeni një situatë kur për shembull ne kemi një përqindje të aksioneve si Republikë e Kosovës në Terminalin në Vlorë. Dhe aty mund të vijë gazi i lëngshëm prej jashtë, të shndërrohet në energji elektrike dhe me interkoneksionin prej 400 kilowolt që kemi me Shqipërinë ta sjellim tek ne”, tha Kurti ndër tjera në këtë intervistë.
Ndërsa, vetëm pak ditë më pas, presidentja në detyrë, Albulena Haxhiu, tha se “nuk e kam parë fare” thirrjen amerikane për gazin. “Nuk e kam parë fare, më vjen keq, nuk e kam parë”, deklaroi shkurt ajo.
Por, ajo që kristalizoi kahun e qeverisë në këtë çështje, ishte një letër e nisur nga Ministria e Ekonomisë drejt Ambasadës Amerikane.
Letra e siguruar nga KOHA, e dërguar në prill, e njoftonte të ngarkuarën me punë të ShBA-së, Anu Prattipati, se plani i Qeverisë mbështetej “në burimet e brendshme”, duke shmangur integrimin e rrjetit energjetik me aleatët.
“Korporata Energjetike e Kosovës (KEK) historikisht ka operuar një fabrikë të gazifikimit të tipit Lurgi gjatë viteve ’70 dhe fillimit të viteve ’80, e ngjashme me Fabrikën e Karburanteve Sintetike Great Plains në Dakotën e Veriut.
Ne do ta mirëpritnim mundësinë për të eksploruar fizibilitetin e ringjalljes së një objekti të tillë me programet e mbështetjes së energjisë të SHBA-së, duke e rreshtuar potencialisht këtë iniciativë brenda fushëveprimit të bashkëpunimeve të mëparshme të suksesshme midis Ministrisë sonë dhe Aktivitetit të Kosovës për Qëndrueshmërinë e Energjisë”, citohet të jetë shkruar aty ndër tjera.