Sot dhe nesër në Prishtinë po zhvillohet një konferencë e rëndësishme kushtuar drejtësisë tranzicionale dhe gjykatave ndërkombëtare që lidhen me luftën në Kosovë, me fokus të veçantë te Dhomat e Specializuara (Gjykata Speciale). Ngjarja, e organizuar më 10 dhe 11 qershor në prag të Ditës së Çlirimit, konsiderohet ndër më të mëdhatë të këtij lloji të mbajtura ndonjëherë në Kosovë.
Sipas raportimeve, konferenca do të mbledhë një numër të madh ekspertësh dhe personalitetesh vendore e ndërkombëtare. Mes tyre janë edhe figura që në të kaluarën kanë kritikuar proceset që zhvillohen në Dhomat e Specializuara në Hagë, ku prej afro gjashtë vitesh po gjykohen ish-udhëheqës të UÇK-së, përfshirë Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Jakup Krasniqi dhe Rexhep Selimi.
Në panele të ndryshme pritet të flasin personalitete si Daan Everts, Geoffrey Nice, Robert Bosch dhe Nevenka Tromp, të cilët janë shprehur më herët kritikë ndaj Gjykatës Speciale.
Pjesë e konferencës do të jenë edhe diskutimet mbi rolin e mediave në proceset e drejtësisë tranzicionale. Në këto sesione do të kontribuojnë gazetarë dhe autorë të njohur ndërkombëtarë, përfshirë Tim Judah, Ana Di Lellio dhe Dan Perry.