Me këtë rast, Presidenti i Republikës, Bajram Begaj, ka përcjellë një mesazh ku thekson se Lidhja e Prizrenit ishte shprehja më e lartë e ndërgjegjes kombëtare dhe tempulli i përpjekjeve të Rilindësve për bashkimin dhe pavarësinë e shqiptarëve nën një shtet të vetëm.
“Fryma e saj mbetet një thirrje e përhershme për unitet, përgjegjësi kombëtare dhe përkushtim ndaj Shqipërisë dhe shqiptarëve kudo që janë. Shembulli, kuraja dhe mençuria e tyre mbeten frymëzim i vazhdueshëm për kombin tonë dhe do të nderohen përjetë nga ne,” u shpreh Begaj.
Lidhja Shqiptare e Prizrenit u themelua më 10 qershor 1878, në një kohë kur trojet shqiptare rrezikonin të copëtoheshin sipas Traktatit të Shën Stefanit dhe vendimeve të Kongresit të Berlinit.
Punimet e kuvendit u drejtuan nga Iljaz Pashë Dibra, ndërsa programi politik u hartua nga ideologë të shquar të Rilindjes Kombëtare si Sami Frashëri, Pashko Vasa, Abdyl Frashëri dhe Jani Vreto.
Lidhja kishte tri objektiva kryesore: kundërshtimin e copëtimit të trojeve shqiptare, bashkimin e tyre në një vilajet të vetëm brenda Perandorisë Osmane dhe afirmimin e shqiptarëve si një komb më vete në sytë e opinionit evropian, pavarësisht dallimeve fetare.
Nga Lidhja doli një Komitet Kombëtar, i cili mori atributet e një qeverie të përkohshme dhe organizoi veprimtarinë politike, diplomatike dhe ushtarake në mbrojtje të interesave kombëtare.
Nënkomitetet e krijuara në krahinat shqiptare luajtën një rol të rëndësishëm në mbrojtjen e territoreve nga pretendimet e shteteve fqinje. Veçanërisht e rëndësishme ishte qëndresa e organizuar në veri, ku forcat shqiptare të drejtuara nga Ali Pashë Gucia dhe Hodo Beg Sokoli arritën të mbronin Plavën, Gucinë, Hotin dhe Grudën.
Megjithëse veprimtaria e saj u ndërpre në vitin 1881, Lidhja Shqiptare e Prizrenit mbetet simbol i unitetit kombëtar dhe i përpjekjeve të shqiptarëve për liri, vetëvendosje dhe shtetformim, duke zënë një vend të veçantë në historinë e Shqipërisë dhe të kombit shqiptar.
Përvjetori i sotëm është një kujtesë e fuqishme se fryma e Lidhjes së Prizrenit vazhdon të frymëzojë brezat e sotëm për të ruajtur identitetin, për të forcuar unitetin dhe për të mbrojtur interesat kombëtare në çdo kohë.