Është prezantuar sot Programi i ri i Bursave i Fondit Shqiptaro-Amerikan për Zhvillim (AADF), një nismë e rëndësishme që synon të forcojë arsimin e lartë në Shqipëri dhe të krijojë mundësi reale për të rinjtë shqiptarë që të ndjekin studimet, si brenda vendit ashtu edhe në universitete të njohura ndërkombëtare.
Ky program është ndërtuar mbi dy shtylla kryesore, nga njëra anë, një program kombëtar bursash që ofron mbështetje për studentët e nivelit bachelor në Shqipëri, në universitetet që ofrojnë programe të përbashkëta, diploma të dyfishta ose ndërkombëtare dhe nga ana tjetër, mbështetja për studentët që ndjekin studime master në universitetet e renditura në vendet e para në SHBA.
Në ceremoninë e prezantimit ishin të pranishëm, Ministrja e Arsimit dhe Sportit, Ogerta Manastirliu, e ngarkuara me punë në Ambasadën Amerikane në Tiranë, Nancy VanHorn, kreu i Bordit të Fondacionit Shqiptaro-Amerikan për Zhvillim, Michael Granoff, bashkëdrejtorët ekzekutivë të AADF-së, Martin Mata dhe Aleksandër Sarapuli, studentë dhe pedagogë.
Gjatë fjalës së saj, Ministrja e Arsimit dhe Sportit, Ogerta Manastirliu, theksoi rolin transformues që ky program pritet të ketë në sistemin arsimor shqiptar dhe ndikimin e tij afatgjatë në zhvillimin social dhe ekonomik të vendit.
“Kjo nismë përputhet në mënyrë të përkryer me vizionin strategjik të qeverisë shqiptare për ndërkombëtarizimin e arsimit të lartë dhe forcimin e ekselencës akademike në vendin tonë. Ky program është krijuar për të ofruar mbështetje për studentët shqiptarë që zgjedhin të ndjekin studimet në universitetet shqiptare që ofrojnë programe dhe diploma të dyfishta, si dhe ata që aspirojnë të vazhdojnë studimet në nivelin master. Duke mundësuar akses në programe me cilësi të lartë të njohura ndërkombëtarisht, ne po fuqizojmë gjeneratën e ardhshme të liderëve dhe inovatorëve të së nesërmes”, tha Ministrja e Arsimit dhe Sportit, Ogerta Manastirliu.
Tre partnerët e parë të përfshirë në këtë nismë janë Instituti i Teknologjisë Rochester (RIT) Albania, Kolegji i Europës në Tiranë dhe Shkolla Holberton Albania. Ministrja Manastirliu tha se këto institucione përfaqësojnë standardet e ekselencës:
“Dëshiroj të përgëzoj tre institucionet e para që janë kualifikuar në këtë skemë bursash: Instituti i Teknologjisë Rochester, Kampusi i Kolegjit të Evropës në Tiranë dhe Akademia Holberton. Këto institucione përfaqësojnë standardet e ekselencës që ne synojmë në sistemin tonë të arsimit të lartë ku secili sjell një model unik të mësimdhënies, një këndvështrim ndërkombëtar dhe aftësinë për të përgatitur studentët për një fuqi punëtore globale”.
Michael Granoff, Drejtues i Bordit të Fonacionit Shqiptaro-Amerikan për Zhvillim (AADF) u shpreh:
“Ne tani do të mirëpresim studentët e parë në këtë program dhe imagjinoj dhe shpresoj se kur të ritakohemi vite më vonë, edhe me më shumë partnerë që do të tërheqim tek kjo nismë, duke bashkëpunuar me një grup të madh studentësh që do të kontribuojnë për të ardhmen e Shqipërisë”.
Në fund, Ministrja e Arsimit dhe Sportit, Ogerta Manastirliu tha se ndërkombëtarizimi i universiteteve tona është një prioritet i qeverisë shqiptare për të krijuar më shumë mundësi për të rinjtë që të ndjekin studimet brenda vendit:
“Qeveria shqiptare e ka prioritet kombëtar ndërkombëtarizimin e arsimit. Ne jemi të përkushtuar të krijojmë më shumë mundësi për programe të përbashkëta për diploma të dyfishta dhe partneritete të forta me institucionet kryesore ndërkombëtare. Ky angazhim reflektohet në disa momente si: hapja e kampusit të Kolegjit të Evropës në Tiranë, që shënoi një pikë kthese në bashkëpunimin akademik mes Shqipërisë dhe institucioneve të BE-së; nisja e kampusit të Universitetit Kombëtar të Arsimit në Distancë (UNED) të Spanjës në Gjirokastër, që zgjeron aksesin në mësimin në distancë dhe ekselencën akademike; si dhe ngritja në të ardhmen e një kampusi të ri të Universitetit të Teknologjisë së Compiègne të Francës (UTC) dhe Universitetit Politeknik të Tiranës. Këto nuk janë nisma të izoluara. Këto janë pjesë e një vizioni më të gjerë për të ngritur cilësinë e arsimit në Shqipëri, për të nxitur inovacionin dhe për të siguruar që studentët shqiptarë të kenë akses në programe të klasit botëror pa u larguar nga vendi. Ekselenca në arsim nuk është një luks, është një domosdoshmëri për rininë tonë, për ekonominë tonë dhe për të ardhmen tonë edhe si anëtarë të Bashkimit Evropian”, tha Ministrja e Arsimit dhe Sportit, Ogerta Manastirliu e cila duke falenderuar Fondin Shqiptaro-Amerikan për Zhvillim për këtë program, deklaroi se në ditët në vijim do të ndajë shumë nga ato që po bëhen për rritjen dhe ngritjen e nivelit të sistemit arsimor në Shqipëri. Objektivi është që vendi ynë të kthehet në një pol të rëndësishëm arsimor për rajonin, në fushën e arsimit të lartë dhe të kërkimit shkencor.