Francezët e Paris Saint Germain mbeten në krye të Evropës. Skuadra e drejtuar nga Luis Enrique fitoi për të dytin vit radhazi trofeun e Champions League duke mposhtur këtë të shtunë Arsenalin në finalen e Budapestit. Sfida në ‘Puskas Arena’ ishe dramatike, ndërsa 120 minutat u mbyllën 1-1. Nga ‘ruleta e 11 metërshave’ fati i buzëqeshi kampionëve të Francës të cilët u treguan më të saktë dhe fituan 4-3.
Në tre finale të luajtura, PSG ia ka dalë të fitojë dy trofe (radhazi), ndërsa Arsenali në dy finale ka po kaq të humbura (e para në vitin 2006), duke mos pasur asnjë trofe evropian në vitrinë. Kampionët e freskët të Anglisë me Mikel Artetan në stol do duhet të provojnë suksesin edicionin e ardhshëm.
Finalja e sotme e Champions League ishte e para pas dhjetë vitesh që u vendos nga 11 metërshat, kjo pas Real Madrid – Atletico Madrid në ‘San Siro’ në vitin 2016, me ‘Galaktikët’ që fitonin 5-3.
NDESHJA – Sfida u zhbllokua shpejt dhe Arsenali gjeti golin me Kai Havertz pas gjashtë minutash. Në zhvillimet e aksionit, Marquinhos nuk e largoi mirë topin dhe gjermani nuk gaboi përballë Safonov duke ia lënë sferën pas krahëve portierit rus.
Pjesa tjetër e ndeshjes u dominua nga PSG-ja e cila në një moment e mbajti topin për 78 përqind, kundrejt 22 përqind të anglezëve. Minuta e 65-të solli golin e barazimit me Ousmane Dembele nga pika e bardhë e 11 metërshit. Mosquera gaboi në ndërhyrje në dëm të Kvaratskhelias dhe arbitri gjerman Siebert akordoi 11 metërsh, i cili u konfirmua edhe nga VAR. Nga pika e bardhë goditi Ousmane Dembele i cili riktheu ekuilibrin 1-1 në fushë.
Me barazimin 1-1 u mbyll koha e rregullt dhe shtesa prej 30 minutash, teksa skuadrat iu drejtuan gjuajtjes së 11 metërshave. Nga ‘ruleta ruse’ buzëqeshi PSG-ja që fitoi 4-3. Për PSG shënuan Ramos, Doue, Hakimi dhe Beraldo, ndërsa gaboi Mendes. Te Arsenali shënuan Gyokeres, Rice dhe Martinelli, ndërsa gabuan Eze dhe Gabriel.
Vitinha (PSG), u shpall ‘Lojtari i Ndeshjes’ në finalen e sotme. Trajneri Luis Enrique vijon rekordin në stol, teksa në karrierën e tij ka vetëm një finale të humbur, atë kundër Chelseat (3-0) në Kupën e Botës për Klube. Trajneri spanjoll ka fituar 12 trofe me skuadrën franceze, në mesin e tyre edhe dy trofe të Champions League.
Komentet më të rëndësishme të finales:
120′ Mbyllet 1-1 pas 120 minutave lojë finalja e Champions League, fituesi do të vendoset pas 11 metërshave.
105+2′ Mbyllet 1-1 ndeshja edhe pas shtesës së parë.
105′ Dy minuta shtesë.
102′ Shpërthejnë protestat e mëdha nga Arsenali. Anglezët kërkojnë penallti për ndërhyrje ndaj Madueke në zonë, por arbitri vazhdon lojën. Karton i verdhë për Rice dhe Artetën.
96′ Zaire-Emery futet në fushë për PSG-në, del Ruiz.
91′ Arteta (Arsenal) freskon ekipin. Dalin Skelly dhe Havertz, në fushë Zubimendi dhe Eze.
90+7′ Mbyllet 1-1 koha e rregullt. Finalja shkon në dy shtesa nga 15 minuta.
90+7′ Barcola (PSG) ka shansin e fundit, por goditja e tij nga pozicioni i prirët përfundon jashtë.
90+6′ Joao Neves (PSG) ndëshkohet me karton të verdhë pas një faulli.
90+6′ Dëmtohet Ousmane Dembele, trajneri i PSG-së e zëvendëson me Ramos.
90′ Gjashtë minuta shtesë.
84′ Mundësi e artë për francezët. Barcola shkëputet dhe del i vetëm me portierin, por e ndal Raya me një ndërhyrje vendimtare.
83′ Enrique (PSG) hedh në fushë Barcola në vend të Kvaratskhelia.
83′ Arsenali bën dy zëvendësime. Dalin nga loja Trossard dhe Saka, në fushë Martinelli dhe Madueke.
66′ Arteta i Arsenalit nxjerr jashtë Mosqueran dhe Odegaard, në fushë Timber dhe Gyokeres.
65′ GOOL! Mosquera (Arsenal) ndërhyn keq në zonë në dëm të Kvaratskhelias dhe arbitri gjerman Siebert akordon 11 metërsh, i cili konfirmohet edhe nga VAR. Nga pika e bardhë goditi Ousmane Dembele (PSG) i cili riktheu ekuilibrin 1-1 në fushë.
55′ Gjuajtje e fortë nga Hakimi (PSG), por ndal Davide Raya.
54′ Saka (Arsenal) ndëshkohet me karton të verdhë pas një ndërhyrjeje në këmbët e Doue.
46′ Mosquera (Arsenal) ndëshkohet me karton të verdhë për vonesa në lojë.
46′ Nis pjesa e dytë, asnjë zëvendësim nga Enrique dhe Arteta.
45+6′ Mbyllet 0-1 pjesa e parë e finales së Champions League. Arsenali kryeson kundër PSG-së falë golit të Havertz pas gjashtë minutash lojë.
45′ Gjashtë minuta shtesë në fundin e pjesës së parë.
42′ Aksion i rrezikshëm nga PSG-ja, por Fabian Ruiz gjuan mbi portë
35′ Topi është mbajtur 77 përqind nga PSG dhe 23 përqind nga Arsenali.
27′ Portieri Matvey Safonov (PSG) lëndohet dhe gjyqtari e ndal lojën në mënyrë që ai të marrë trajtim mjekësor. Vijon loja.
21′ Vitinha (PSG) përpiqet të gjejë një nga shokët e tij të ekipit, por e tepron me forcën e pasimit dhe shansi humbet.
13′ Fabian Ruiz (PSG) gjen pak hapësirë brenda zonës dhe menjëherë lëshon një gjuajtje të parë. Gjuajtja shkon shumë larg shtyllës së djathtë pingule.
6′ GOOL! Kai Havertz (Arsenal) përfiton nga një top i kthyer gjatë aksionit dhe me të majtën ia lë topin pas krahëve portierit Safonov.
1′ Nis ndeshja me topin e parë shkelmuar nga Arsenali.
Formacionet zyrtare:
PSG: Safonov, Hakimi, Marquinhos, Pacho, Nuno Mendes, Neves, Vitinha, Ruiz, Doue, Dembele, Kvaratskhelia Trajner: Luis Enrique
ARSENAL: Raya, Mosquera, Saliba, Gabriel, Hincapie, Rice, Myles Lewis-Skelly, Odegaard, Saka, Havertz, Trossard Trajner: Mikel Arteta