Konferenca mujore nga drejtuesit vendorë, publikim online i statistikave të kriminalitetit dhe informacion në kohë reale nga vendngjarja. Këto janë disa nga ndryshimet që Policia e Shtetit paralajmëron në mënyrën e re të komunikimit me publikun dhe median.
Drejtori i Policisë së Shtetit, Skënder Hita, deklaroi të enjten se institucioni që ai drejton do të ndjekë një standard të ri komunikimi, me më shumë transparencë dhe informacion të verifikuar për qytetarët.
“Qytetarët nuk kanë nevojë për më shumë informacion, por për informacion të saktë, të verifikuar dhe të përgjegjshëm”, tha Hitaj gjatë një konference për shtyp duke premtuar një standard të ri institucional, ku informimi publik do të jetë më i plotë, më i drejtpërdrejtë dhe pranë shqetësimeve reale të qytetarëve.
“Në formën e re të komunikimit të Policisë së Shtetit, të gjitha të dhënat statistikore mbi kriminalitetin dhe sigurinë publike do të jenë të akseueshme në faqen zyrtare të policisë së shtetit. Për ngjarjet në dinamikë, forcat e policisë në vendngjarje, do të japin informacionin e nevojshëm për mediat dhe publikun në kohë reale dhe shoqëruar me informacionin paraprak. Kjo praktikë tashmë ka nisur dhe do të konsolidohet edhe më tej. Drejtuesit e Drejtorive Vendore të Policisë do të zhvillojnë konferenca mujore për të bërë transparencë për punën, rezultatet dhe sfidat në ccdo qark. Së katërti, ngjarjet me impakt të lartë, apo operacione të rëndësishme policore, Policia e Shtetit do të informojë në kohë dhe plotësisht përmes kanaleve zyrtare” tha Hita.
Sipas Hitajt, ndryshimet vijnë edhe si reagim ndaj publikimit të lajmeve kriminale në mënyrë të fragmentuar apo të nxituar, që sipas tij krijojnë një ndjenjë pasigurie që jo gjithmonë pasqyron realitetin.
“Mbingarkesa me lajme kriminale, të dhëna në mënyrë të fragmentuar apo të nxituar, krijon një ndjenjë pasigurie që jo gjithmonë pasqyron realitetin. Informacioni i pakonfirmuar, jo vetëm dëmton hetimet por edhe besimin e qytetarëve dhe institucioneve” shpjegoi Hita.