Tetë punëtorë që po ndërtonin një objekt pa leje janë arrestuar nga Polica e Sarandës. Në kërkim është shpallur pronarja e tokës.
Të arrestuarit janë identifikuar si: Ylli Daci, 33 vjeç, Emiljano Sotiri, 41 vjeç, Kleanth Rakipi, 25 vjeç, Bilbil Rexho, 48 vjeç, Enkeiled Rrëza, 41 vjeç, Oriant Cako, 32 vjeç, Oltion Bushaj, 47 vjeç, Erjon Kovaçi 42 vjeç dhe u shpall në kërkim shtetësja Arjola Dhrami, 42 vjeçe.
Njoftimi i policisë:
Si rezultat i kontrolleve dhe verifikimeve në terren, me prioritet zonat bregdetare, me qëllim parandalimin dhe goditjen e rasteve të ndërtimeve të paligjshme, shërbimet e Komisariatit të Policisë Sarandë konstatuan se në një objekt (i përbërë nga disa struktura, një pjesë e tyre, në ujë) në një hapësirë plazhi, në lagjen nr. 1, kryheshin punime ndërtimi, të paligjshme.
Gjatë ndërhyrjes, shërbimet e Policisë arrestuan në flagrancë shtetasit:
K. R., 25 vjeç, E. S., 41 vjeç dhe O. C., 32 vjeç, të tre banues në Sarandë;
B. R., 48 vjeç, banues në Delvinë;
E. R., 41 vjeç, banues në Lushnjë;
O. B., 47 vjeç, banues në Tiranë;
E. K., 42 vjeç, banues në Lezhë;
Y. D., 33 vjeç, banues në Mat.
Gjithashtu, u identifikua dhe u shpall në kërkim shtetasja që posedon hapësirën e plazhit, A. B.., për llogari të së cilës dyshohet se kryheshin punimet. Punohet për kapjen e kësaj shtetaseje.
Shërbimet e Policisë, pas kryerjes së veprimeve procedurale, kanë njoftuar shërbimet e IKMT-së, IMT-së dhe Policisë Bashkiake, të cilat aktualisht po vijojnë me prishjen e ndërtimeve.
Materialet procedurale do t’i referohen Prokurorisë, për veprime të mëtejshme.
Lajm në përditësim…
——————————-
Sqarim: Çdo person prezumohet i pafajshëm deri sa nuk vërtetohet fajësia e tij me vendim gjyqësor të formës së prerë