Shoqata kulturore ,,INTUITA” – Tetovë njofton opinionin publik se më 15 maj 2026, me fillim në ora 16:00, do të organizojë manifestimin letrar me temë: ,,Folklori i Pollogut në manifestimet letrare të shekullit XXI” Manifestimi do të mbahet në Sallën për mbledhje të SHFK ,,Gjergj Kastrioti – Skënderbeu”, Poroj/Xhepçisht – Tetovë. Ky aktivitet kulturor-letrar i kushtohet trashëgimisë folklorike të rajonit të Pollogut dhe ndikimit të saj në letërsinë bashkëkohore shqiptare.
Përmes temave, prezantimeve multimediale, leximeve letrare, performancave poetike dhe bashkëbisedimit me publikun, manifestimi synon të nxjerrë në pah vlerat shpirtërore, kulturore dhe artistike që kjo trevë ka ruajtur ndër breza. Në kuadër të programit do të prezantohen materiale që lidhen me folklorin, gojëdhënat, këngët popullore, traditën, kujtesën kulturore dhe krijimtarinë letrare të frymëzuar nga Pollogu. Po ashtu, do të ketë edhe prezantime video dhe dokumentare me përmbajtje kulturore e artistike. Shoqata kulturore ,,INTUITA” – Tetovë fton krijuesit, mësimdhënësit, nxënësit, dashamirët e kulturës dhe opinionin e gjerë që të bëhen pjesë e këtij manifestimi, i cili synon ruajtjen, promovimin dhe përcjelljen e trashëgimisë folklorike të Pollogut te brezat e rinj.