Rrogat e papaguara kundër gjashtë ish-futbollistëve ose ish-zyrtarëve të klubit kanë detyruar FIFA-n që t’i bllokojë merkaton KF Tiranës për tre sesionet e ardhshme të transferimeve.
Në një vendim të fundit të FIFA-s, shihet se bardheblutë kanë gjashtë gjyqe të humbura dhe tanimë rrezikojnë shumë për sezonin e ri. Si të mos mjaftonte një sezon zhgënjyes që u shpëtua vetëm në ndeshjen e fundit, klubi më i titulluar në vend po përballet edhe me dënime nga FIFA për mospagesa.
Nëse KF Tirana do duhet të futet në merkato, atëherë formula është e thjeshtë; duhet shlyer çdo qindarkë që iu ka borxh ish-futbollistëve apo ish-zyrtarëve që ka pasur nën kontratë.
Këta të fundit kanë paditur bardheblutë në FIFA dhe oragni botëror i futbollit u ka dhënë të drejtë ish të punësuarve nga KF Tirana. Nuk kishte ndodhur më herët në Shqipëri që një klub futbolli të humbiste gjashtë gjyqe në FIFA për shumat e papaguara (borxhet).
Një gjyq i humbur daton më 3 mars të këtij viti, ndërsa një tjetër më 8 maj. Vetëm dje në FIFA, KF Tiranës i janë shtuar edhe katër gjyqe të humbura duke e thelluar borxhin. Për momentin nuk dihen futbollistët apo ish-zyrtarët që kanë fituar gjyqet me bardheblutë.