Policia britanike e ka arrestuar një bankier multimilioner 44-vjeçar me prejardhje aristokratike, i dyshuar si autori i rastit të njohur si “Putney Pusher”, një incident që tronditi opinionin publik në Britaninë e Madhe në vitin 2017. Burri u arrestua të hënën, më 15 qershor, në rezidencën e tij luksoze në perëndim të Londrës dhe po mbahet nën dyshimin për tentativë lëndimi të rëndë trupor.
Arrestimi lidhet me një ngjarje të ndodhur më 5 maj 2017 në Urën Putney, ku një vrapues shtyu pa asnjë provokim një këmbësore në trotuar, duke e hedhur në korsinë e autobusëve pikërisht në momentin kur po afrohej një autobus me dy kate. Incidenti u regjistrua nga kamerat e sigurisë dhe pamjet u shpërndanë gjerësisht në media dhe rrjetet sociale. Gruaja arriti t’i shpëtonte tragjedisë falë reagimit të shpejtë të shoferit të autobusit, i cili frenoi në kohë dhe shmangu përplasjen. Sipas hetimeve, vrapuesi vazhdoi rrugën pa u ndalur për të ndihmuar viktimën. Më vonë ai dyshohet se kaloi sërish pranë vendit të ngjarjes, por injoroi kërkesat e gruas dhe kalimtarëve për të qëndruar në vend.
Rasti kishte shkaktuar debat të madh publik, veçanërisht për shkak të vonesës në publikimin e videos së sulmit, e cila doli në dritë rreth tre muaj pas incidentit. Ekspertët ligjorë kishin paralajmëruar se kjo mund të vështirësonte identifikimin e autorit, duke i mundësuar atij t’i shmangej drejtësisë për vite me radhë. Hetimi u mbyll zyrtarisht në vitin 2018 për shkak të mungesës së provave të reja. Megjithatë, informacione të fundit çuan në rihapjen e çështjes, duke rezultuar në arrestimin e të dyshuarit pas nëntë vitesh. Sipas mediave britanike, i arrestuari është një ish-ushtar dhe bankier i njohur, ndërsa autoritetet kanë bërë të ditur se hetimet vijojnë dhe se çështja mbetet ende e hapur.