7
Këtë të mërkurë duke nisur nga ora 19:00 në ‘Elbasan Arena’ do diskutohet gjysmëfinalja e kthimit mes vendasve të AF Elbasanit dhe Egnatias. Gjysmëfinalja e parë mes tyre u mbyll në barazimin 1-1 ndaj të dyja skuadrat janë në lojë për një vend në finale.
Përpara duelit, trajneri i AF Elbasanit, Ivan Gvozdenovic tha se ekipi i tij do finalen duke mos harruar të vlerësojë edhe rivalët.
“E kam thënë edhe pas ndeshjes së parë në Rrogozhinë që gjithçka do të vendoset në takimin e kthimit. Erdhi kjo ditë dhe padyshim do të jetë një tjetër ndeshje e hapur. Presim një përballje shumë të fortë dhe të bukur, sepse Egnatia është një skuadër me shumë cilësi. Përballjet tona kanë qenë gjithmonë me gola dhe interesante, teksa edhe këtë herë presim të njëjtën gjë. Në fund, ai që do të paraqitet më mirë do të shkojë në finale”, u shpreh trajneri i Elbasanit.
Trajneri foli edhe për skenarët e ndeshjes, me duelin që mund të shkojë në shtesë apo edhe drejt penalltive.
“Duhet t’i mendosh të gjitha. Mund të shkojmë në shtesa apo edhe në penallti. E rëndësishme është që ne jemi gati, djemtë janë optimistë dhe detajet e fundit do t’i vendosim në stërvitjen përfundimtare. Duam finalen”, shtoi ai.
Ndeshja tjetër gjysmëfinale është ajo që luhet të enjten në orën 19:00 në ‘Loro Boriçi’ mes Vllaznisë dhe Dinamos, me përballjen e parë që është mbyllur 1-1.