Me një orë vonesë, Avni Dehari hap seancën konstituive të Kuvendit
Me një orë vonesë ka nisur seanca konstituive e Kuvendit të Kosovës. Sipas rregullores, ajo po udhëhiqet nga deputeti më i vjetër i Kuvendit, Avni Dehari, i ndihmuar nga deputetja më e re, Sala Jashari, shkruan gazeta online Reporteri.net.
Deputetët e legjislaturës së nëntë do ta bëjnë betimin, ndërsa në rend dite është zgjedhja e kryetarit të Kuvendit.
Dehari ka thënë se në rend dite është formimi komisionit për verifikimin e mandateve, betimi i deputetëve, zgjedhja e kryetarit të Kuvendit dhe nënkryetarëve.
Partia fituese e zgjedhjeve të 9 shkurtit, Lëvizja Vetëvendosje ende nuk e ka bërë të ditur emrin e të nominuarit për kryeparlamentar.
Nuk dihet ende nëse VV-ja i ka 61 votat e nevojshme për kryeparlamentarin.
Deri më tani PDK dhe LDK kanë bërë të ditur se nuk do të votojnë kandidatin për kryeparlamentar që do ta propozojë Vetëvendosje, ndërkohë që AAK-ja ka thënë se do të mbajë qëndrim të përbashkët me këto dy parti. /Reporteri.net/
Kurti dhe Konjufca arrijnë në sallën e Kuvendit
Tashmë në Kuvendin e Kosovës po arrijnë edhe deputetët e rinj të Lëvizjes Vetëvendosje.
Kryetari i VV-së, Albin Kurti bashkë me Glauk Konjufcën është parë duke hyrë në sallën e Kuvendit ku po pritet të fillojë seanca konstituive.
Kurti është pyetur në ambientet e Kuvendit nëse ka bërë numrat për Kryeparlamentarin dhe Qeverinë e re, por s’ka pranuar të deklarohet.
PDK dhe LDK konfirmojnë se nuk do ta votojnë kryeparlamentarin: Nëse VV-ja e ka emrin, duhet t’i ketë edhe votat
PDK dhe LDK kanë bërë të ditur se nuk do të votojnë kandidatin për kryeparlamentar që do ta propozojë Vetëvendosje, shkruan gazeta online Reporteri.net.
Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi, i ka qëndruar sërish asaj se PDK-ja nuk do të votojë për të propozuarin e Vetëvendosjes për Kryetar të Kuvendit.
Para se të nis seanca themeluese, Krasniqi tha shkurt për media se nuk e votojnl. “Jo, jo nuk e kemi ndërruar qëndrimin”, tha Krasniqi shkurt për media.
Ndërkohë, nënkryetarja e LDK-së, Hykmete Bajrami ka thënë se kjo parti nuk do të votojë kandidatin për kryeparlamentar të propozuar nga VV.
Bajrami para mediave ka thënë se nëse VV-ja ka propozim për kryeparlamentarin duhet ti ketë edhe votat.
“Nuk ka asnjë marrëveshje me deputetët, LDK nuk ka ndryshuar asnjë qëndrim. Ne nuk do ta votojmë propozimin, në qoftë se VV ka propozim për emrin e kryetarit të Kuvendit, duhet t’i kenë edhe votat për ta votuar atë”, tha Bajrami.
Ndërkaq, Ramush Haradinaj nga AAK ka thënë se nuk e pengojnë votimin e kryeparlamentarit, por ta se do të marrin qëndrim bashkë me PDK-në e LDK-në.
“Ofertë ka bërë, duhet me folë edhe pak”, Duda Balje për postin e ministres që ia ofroi Kurti
Duda Balje me të hyrë në Kuvendin e Kosovës për seancën konstituive që do të mbahet sot, ka thënë se ka marrë ofertë nga Kryeministri në detyrë, Albin Kurti, shkruan Gazeta online Reporteri.net.
Në pyetjen e gazetarëve nëse ka pranuar ofertën që e ka marrë, Duda ka thënë se duhet folur edhe pak.
“Duhet me fol edhe pak”, tha shkurtimisht Balje.
Rashiq: Besoj që komuniteti serb do të jetë i përfaqësuar në Qeveri
Kryetari i Partisë për Liri, Drejtësi dhe Mbijetesë, Nenad Rashiq, i cili ishte ministër në Qeverinë Kurti 2, ka thënë se komuniteti serb do të jetë i përfaqësuar në qeverinë e re.
Rashiq tha se do të votojë si për zgjedhjen e kryeparlamentarit si për qeverinë.
I pyetur nëse do të kenë pozita udhëheqëse në ministri, ai u shpreh optimist.
“Sa më përket mua, apo përfaqësimit të komunitetit serb besoj që po”, tha ai.
Veton Berisha thotë se do ta votojë kryeparlamentarin
Kryetari i Partisë Liberale Egjiptiane, Veton Berisha, ka thënë se do ta mbështesë kandidatin për kryeparlamentar që propozohet nga VV.
Berisha në Kuvendin e Kosovës, pak para nisjes së seancës konstituive ka thënë ende se nuk kanë marrëveshje sa i përket mbështetjes për Qeverinë.
Berisha u raportua se sot pati një takim me kryeministirn Kurti në Qeveri. /Reporteri.net/
Deputetët e PDK-së vijnë të parët në sallën e Kuvendit të Kosovës
Sot pritet të mbahet seanca konstituive e Kuvendit të Kosovës.
Deputetët e rinj të Partisë Demokratike të Kosovës janë parë të jenë ulur të parët në ulëset e Kuvendit, derisa ata të partive tjera s’kanë ardhur ende.
Në këtë seancë pritet të votohet Kryetari i Kuvendit të Kosovës, si dhe formimi i qeverisë së re.
Haradinaj: Zgjedhjen e kryeparlamentarit s’e pengojmë, por nuk ndahemi nga opozita: Do të marrim qëndrim të përbashkët
Kryetari i AAK-së, Ramush Haradinaj, tha se partia e tij nuk do të bëjnë pengesë sa i përket votimit të kryetarit të Kuvendit, por deklaroi se do të kenë qëndrim të përbashkët edhe me PDK-në e LDK-në, shkruan gazeta online Reporteri.net.
“Ne në princip kemi thënë se jemi për konstituimin e Kuvendit, por do të marrim qëndrim të përbashkët me opozitën, nuk do të ndahemi as për kryetarin e Kuvendit. Ka deklarime se opozita nuk do të marr pjesë në votim për kryetarin e Kuvendit, por nëse ndryshon diçka sa i përket AAK-së për kryetar të Kuvendit nuk e bëjmë pengesën, sa i përket qeverisë e dini qëndrimin tonë”, ka thënë Haradinaj para mediave.
Seanca konstituive e Kuvendit ishte paraparë të niste në ora 10:00, derisa partia e parë ende nuk e ka bërë të ditur emrin e të nominuarit për kryetar të Kuvendit.
Kreu i VV-së, Albin Kurti gjatë arritjes në Kuvend nuk ka treguar nëse i kanë numrat e nevojshëm.
Fatmir Limaj rikthehet “pa fjalë” në Kuvend mes spekulimeve për marrëveshje me Kurtin
Kryetari i Nismës, Fatmir Limaj, është rikthyer pas 4 vitesh në Kuvend.
Me të arritur ai nuk ka pranuar të flasë në hyrje të Kuvendit të Kosovës, për seancën konstituive. Ka thënë shkurt se sot është ditë solemne.
Rikthimi i Limajt në Kuvend ndodh mes zërave që e pozicionojnë atë si një figurë kyçe për arritjen e një shumice prej 61 ulësesh, të cilën Lëvizja Vetëvendosje po përpiqet ta sigurojë për krijimin e institucioneve të reja.
Sidoqoftë, vetëm një ditë më parë, Limaj theksoi se aktualisht nuk ekziston asnjë marrëveshje mes tij dhe VV-së.
Limaj, pak ditë pas zgjedhjeve të 9 Shkurtit kishte deklaruar se partia e tij është e gatshme të japë kontributin në procesin e krijimit të institucioneve.
Ai sot ka refuzuar të deklarohet nëse mbrëmë ka pasur takim me Kurtin.
Fatmir Limaj dhe partia e tij siguroi 3 ulëse në Kuvendin e Kosovës si pjesë e koalicionit parazgjedhor me AAK-në. /Reporteri.net/
Emilja Rexhepi thotë se e mbështet Qeverinë Kurti 3 edhe pse s’merr post qeveritar
Zëvendëskryeministrja në detyrë, Emilja Rexhepi, ka thënë se do ta votojë formimin e Qeverisë Kurti 3 edhe pse ka pranuar se nuk do të marrë vet post qeveritar.
“Patjetër që do e votoj Qeverinë. Ne jemi pjesë e Qeverisë, veç unë nuk e kam marrë atë ofertën që të jem ministresha. Kthehem në parlamentar, ama jemi pjesë e Qeverisë”, ka thënë ajo para hyrjes në Kuvend për seancën konstituive.
Rexhepi ka thënë se dikush prej komunitetit boshnjak duhet të jetë në post të ministrit. “Unë s’jam kundër. Këtë e vendos kryeministri”, ka thënë tutje ajo.
Diskutimet për kundërshtime nga ky komunitet ka pasur, pasi deputetja Duda Balje kushtëzoi përkrahjen për qeverinë me krijimin e Komunës së Reçanit.
Nga 10 deputetët joshumicë joserbë, 3 janë të komunitetit boshnjak.
Kurti niset drejt Kuvendit, asnjë fjalë për numrat
Kryeministri Kurti dhe lideri i Vetëvendosjes, partia e parë që doli në zgjedhjet e 9 shkurtit është parë dukke dalë nga objekti i Qeverisë, ndërkohë që seanca konstituive e Kuvendit pritet të nisë pas pak minutash. Vetëvendosje ende nuk e ka bërë të ditur të nominuarin për kryetar të Kuvendit të Kosovës.
Kurti është pyetur nga gazetarët nëse i kanë numrat për ta zgjedhur sot kryetarin e Kuvendit, por ka refuzuar të përgjigjet. “Tash jemi duke shkuar në Kuvend”, ka thënë shkurt ai.
Lëvizja Vetëvendosje si partia e parë, e ka të drejtën të propozojë kryeparlamentarin, i cili zgjidhet me 61 vota.
Kjo parti ende nuk dihet nëse i ka siguruar 61 votat e nevojshme për zgjedhjen e kryetarit të Kuvendit dhe më pas të Qeverisë së re. /Reporteri.net/
Kurtit i rrezikohet vota e Rasim Demirit për Qeverinë, por jo edhe ajo për Kryetarin e Kuvendit – shkak Duda Balje
Një grup deputetësh nga pakicat joshqiptare raportohet se janë shprehur të pakënaqur me vendimin që Duda Balje të ketë një post në ekzekutiv, ndonëse këto raportime mbesin ende të pakonfirmuara, shkruan gazeta online Reporteri.net.
Deputeti boshnjak, Rasim Demiri, ka thënë se ata do ta rishqyrtojnë qëndrimin e tyre në lidhje me krijimin e Qeverisë së Albin Kurtit. Megjithatë, ka theksuar se do të votojë pro për zgjedhjen e Kryetarit të Kuvendit.
“Ju [mediat] e keni Duda Baljen. Ajo po vendos për gjithçka. Ende nuk kemi përfunduar diskutimet me kryeministrin. Sa i përket kryetarit të Kuvendit, besoj se do të votojmë pro, por për çështjet e tjera do të kërkojmë takim me kryeministrin. Nëse arrihet një marrëveshje, do të mbështesim edhe qeverinë, përndryshe jo”, citohet të ketë thënë Demiri për Indeksonline.
Ai gjithashtu kritikoi Duda Baljen, duke thënë se ajo ka marrë vetëm 400 vota dhe nuk ka të drejtë të flasë në emër të komunës së Reçanit.
“Për komunën e Reçanit mund të flas vetëm Rasim Demiri, i cili ka marrë besimin e popullit. Vetëm unë mund të nënshkruaj një peticion për Zhubën. Ne jemi ata që luftojmë për komunën e Reçanit. Do të vendosim në organet e partisë për qasjen tonë ndaj opozitës”.
Takim me Kurtin, Veton Berisha shihet duke hyrë në objektin e Qeverisë pak para nisjes së seancës konstituive
Pak para nisjes së seancës konstituive të Kuvendit, kryetari i Partisë Liberiane Egjiptiane, Veton Berisha, raportohet se është duke zhvilluar takim me kryeministrin Kurti.
Berisha në pamjet që T7 ka publikuar është parë mëngjesin e sotëm duke hyrë në objektin e Qeverisë, shkruan gazeta online Reporteri.net.
Ai gjatë ditës së djeshme nuk kishte treguar nëse do ta votojë kryeparlamentarin duke potencuar nuk kanë marrëveshje me Lëvizjen Vetëvendosje.
Seanca konsitutive e Kuvendit pritet të fillojë në ora 10:00, por deri më tani partia me numrin më të madh të deputetëve, Vetëvendosje nuk e ka nominuar askënd për të parin e legjislativit të Kosovës.
Seanca konstituive, çka në rast se nuk zgjidhet sot kryeparlamentari?
Sot do të mbahet seanca konstituive e Legjislaturës IX të Kuvendit të Republikës së Kosovës, e dalur nga zgjedhjet e 9 shkurtit.
Në seancën e cila është paraparë të fillojë në orën 10:00, fillimisht do të formohet Komisioni i Përkohshëm për verifikimin e kuorumit dhe të mandateve të deputetëve të sapozgjedhur, ndërsa pas kësaj do të bëhet betimi i deputetëve.
Sipas rregullores së punës së Kuvendit, punimet e seancës konstituive, deri në zgjedhjen e Kryetarit të Kuvendit, i drejton deputeti më i vjetër në moshë, i ndihmuar nga deputeti më i ri në moshë, që në këtë rast janë deputeti i Vetëvendosjes, Avni Dehari dhe deputetja e PDK-së, Sala Jashari.
Në pikën e tretë të rendit të ditës është paraparë të bëhet zgjedhja e Kryetarit të Kuvendit, pozitë kjo e cila i takon partisë që ka numrin më të madh të deputetëve, por që deri tash Vetëvendosje nuk e ka nominuar askënd për të parin e legjislativit të Kosovës.
Lëvizja Vetëvendosje si partia e parë, e ka të drejtën të propozojë kryeparlamentarin, i cili zgjidhet me 61 vota, shkruan gazeta online Reporteri.net.
Seanca konstituive përfundon me zgjedhjen e Kryetarit dhe nënkryetarëve të Kuvendit, por në rast të dështimit të zgjedhjes së kryetarit dhe ndërprerjes së seancës, ndërprerjet gjatë seancës konstituive nuk mund të jenë më të gjata se 48 orë.
Rregullorja e Kuvendit thekson se në rast se seanca e sotme ndërpritet, ndërprerjet “nuk mund të jenë më të gjata se 48 orë”, çka do të thotë se në afat prej 48 orësh duhet të mbahet seanca tjetër.
Këtë situatë e ka sqaruar dje Eugen Cakolli nga Instituti Demokratik i Kosovë. Ai ka thënë se nëse LVV refuzon të propozojë kandidatin për Kryetar, ose kërkon “konsultime shtesë”, atëherë kryesuesi i seancës, Avni Dehari, duhet të pezullojë seancën. Por sipas Rregullores së Punës, pezullimi nuk mund të zgjasë më shumë se 48 orë, që nënkupton se një seancë e re duhet të thirret çdo dy ditë (të enjten, të shtunën, e kështu me radhë);
Ai thotë se nëse LVV vazhdon të mos propozojë kandidat, do të kemi një seri seancash të papërfunduara, që vetëm nisin dhe pezullohen;
Sipas Cakollit në një rrethanë të tillë, partitë opozitare do të mund të përdorin këtë ngërç, si bazë për të kërkuar interpretim nga Gjykata Kushtetuese, me pretendimin se partia fituese po zvarrit dhe bllokon formimin e institucioneve.
Nuk dihet ende nëse Vetëvendosje i ka numrat e mjaftueshëm për ta zgjedhur kryeparlamentarin.
Kryetari i Nismës Socialdemokrate, Fatmir Limaj, i cili pas zgjedhjeve kishte deklaruar se partia e tij është e gatshme të japë kontributin në procesin e krijimit të institucioneve, ditën e djeshme tha se nuk ka ende ndonjë marrëveshje me Vetëvendosjen.
Edhe partitë e tjera kanë lënë të nënkuptojnë se nuk do të votojnë kandidatin për kryeparlamenetar të propozuar nga VV.
Sot mbahet seanca konstituive e Kuvendit të Kosovës
Sot do të mbahet seanca konstituive e Legjislaturës IX të Kuvendit të Republikës së Kosovës, e dalur nga zgjedhjet e 9 shkurtit. Seanca e sotme ishte caktuar me vendim të presidentes Vjosa Osmani.
Në seancën e cila është paraparë të fillojë në orën 10:00, fillimisht do të formohet Komisioni i Përkohshëm për verifikimin e kuorumit dhe të mandateve të deputetëve të sapozgjedhur, ndërsa pas kësaj do të bëhet betimi i deputetëve.
Sipas rregullores së punës së Kuvendit, punimet e seancës konstituive, deri në zgjedhjen e Kryetarit të Kuvendit, i drejton deputeti më i vjetër në moshë, i ndihmuar nga deputeti më i ri në moshë, që në këtë rast janë deputeti i Vetëvendosjes, Avni Dehari dhe deputetja e PDK-së, Sala Jashari.
Në pikën e tretë të rendit të ditës është paraparë të bëhet zgjedhja e Kryetarit të Kuvendit, pozitë kjo e cila i takon partisë që ka numrin më të madh të deputetëve, por që deri tash Vetëvendosje nuk e ka nominuar askënd për të parin e legjislativit të Kosovës.
Si pikë e fundit e rendit të ditës është edhe zgjedhja e nënkryetarëve të Kuvendit, të cilët së bashku me kryetarin e përbëjnë Kryesinë e Kuvendit.
Kryetari i Kuvendit dhe përfaqësuesit e subjekteve politike, në mbledhjen e fundit u dakorduan që konform Rregullores dhe praktikave të mëhershme, subjekti me numrin më të madh të deputetëve, përkatësisht Lëvizja Vetëvendosje, të ulet në ulëset e mesit të sallës plenare.
Në anën e djathtë të sallës, nga perspektiva e kryesuesit të seancës, do të ulet subjekti i dytë me radhë, Partia Demokratike e Kosovës, ndërsa në anën e majtë Lidhja Demokratike e Kosovës.
Në ulëset e tjera do të ulen deputetët e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, deputetët nga radhët e komunitetit serb dhe komuniteteve të tjera joserbe.