Kryetarja e Kuvendit, Elisa Spiropali mbajti sot një fjalë në Konferencën e 13-të të kryetarëve të parlamenteve të Nismës Adriatiko-Joniane, e cila u zhvillua në Janinë, në kudrin e Presidencës greke të kësaj Nisme.
Spiropali në Konferencën e 19 të kryeparlamentarëve të Nismës Adriatiko-Joniane në Janinë: Shqipëria, vlerë e shtuar për një Europë të re, më të madhe, më të fortë, më të sigurt
Kryetarja e Kuvendit, Elisa Spiropali mbajti sot një fjalë në Konferencën e 13-të të kryetarëve të parlamenteve të Nismës Adriatiko-Joniane, e cila u zhvillua në Janinë, në kudrin e Presidencës greke të kësaj Nisme.
Në fjalën e saj në Sesionin “Perspektiva Europiane dhe rrugëtimi i Ballkanit Perëndimor”, Spiropali nënvizoi se “Sfidat me të cilat përballet sot Bashikimi Europian kërkojnë një Europë më të madhe, më të fortë, më të sigurt, më solidare, kërkojnë një Europë të re në një botë re, e cila po ndryshon dramatikisht.
Zgjerimi, më tepër se asnjëherë më parë, nuk përbën më një barrë, por një zgjidhje dhe vendet e Ballkanit Perëndimor nuk përbëjnë më një problem të shtuar, por një vlerë të shtuar për Bashkimin Europian.
Zhvillimi i Samitit të Gjashtë të Komunitetit Politik Europian në Tiranë, i pari Samit që mbahet në një vend të Ballkanit Perëndimor dhe në një shtet anëtar të Nismës Adriatiko-Joniane, rikonfirmoi rëndësinë e rajonit dhe angazhimin e Shqipërisë ndaj projekteve tona të përbashkëta.
Në 11 maj Shqipëria zhvilloi zgjedhjet parlamentare, të cilat rikonfirmuan shumicën qeverisëse, me një rezultat më të qartë dhe më solid se katër vjet më parë.
Por më i rëndësishëm se rezultati është fakti që shumica qeverisëse u rikonfirmua për shkak të planit të qartë për objektivin strategjik kombëtar: anëtarësimin në Bashkimin Europian brenda vitit 2030 dhe përfundimin e procesit të negociatave teknike brenda vitit 2027.
Tashmë ky objektiv është shndërruar në një plan të dakortësuar me institucionet europiane, Parlamentin Europian, Komisionin Europian, si edhe ka fituar mbështetjen e vendeve anëtare. Këtë mbështetje e bëri të qartë edhe Presidenti i Francës, Macron, Kryeministrja e Italisë, Meloni, dhe udhëheqës të shteteve anëtare të Bashkimit Europian gjatë Samitit të Gjashtë të Komunitetit Politik Europian.
Mbajtja e këtij Samiti, historik për Shqipérinë dhe rajonin né Tiranë, rikonfirmoi vizionin tonë për bashkimin me BE-në, si vendi kandidat që ecën më shpejt dhe më vendosmërisht drejt këtij qëllimi.
Shqipëria ka vetëm një Plan A drejt destinacionit të saj të ardhshëm dhe ky është Bashkimi Europian.
Anëtarësimi në BE gëzon një mbështetje të fuqishme popullore. Sondazhet tregojnë që 95 përqind e popullsisë mbështet anëtarësimin. Kjo e bën Shqipërinë vendin më pro BE-së në Europë.
Anëtarësimi në Bashkimin Europian ka një mbështetje të plotë dhe konsensuale në Kuvendin e Shqipërisë.
Ne e kemi të qartë që anëtarësimi nuk është një dhuratë, por një proces i bazuar në merita dhe po punojmë për të gjithë kapitujt dhe kriteret që të garantojmë mirëqenien dhe demokratizimin, sundimin e ligjit, konsolidimin e institucioneve demokratike, pavarësinë e degëve të qeverisjes dhe konsolidimin e një sistemi drejtësie të pavarur.
Prej 19 korrikut 2022, kur në Bruksel, u mbajt Konferenca e Parë, janë zhvilluar deri tani pesë konferenca ndërqeveritare, e fundit prej të cilave u mbajt dje, më 22 maj, në Bruksel. Shqipëria synon që brenda vitit 2025 të çelë negociatat për gjithë kapitujt.
Rritja ekonomike e qëndrueshme, politika e fqinjësisë së mirë, lidershipi në proceset e bashkëpunimit rajonal, unifikimi njëqind përqind i politikës së jashtme dhe të sigurisë me Bashkimin Europian, partneriteti strategjik me Shtetet e Bashkuara të Amerikës, kontributi aktiv dhe i vlerësuar si anëtare e NATO-s, mbrojtja prej influencave joperendimore dhe jodemokratike, mund të them pa hezitim se e kanë bërë Shqipërinë një vend lider në zhvillimin e integrimet rajonale dhe kontributin për sigurinë në Ballkanin Perëndimor.
Shqipëria do të vijojë të nxisë bashkëpunimin rajonal, për ti sjellë më pranë popujt dhe vendet tona.”