Kryeministri i Kamboxhias Hun Manet (majtas) dhe kryeministri në detyrë i Tajlandës Phumtham Wechayachai (djathtas) shtrëngojnë duart, ndërsa kryeministri i Malajzisë Anwar Ibrahim (në qendër) i përqafon ata pas shpalljes së armëpushimit të hënën.
Tajlanda dhe Kamboxhia kanë rënë dakord për një “armëpushim të menjëhershëm dhe të pakushtëzuar” që do të hyjë në fuqi në mesnatë me orën lokale (13:00 ET e së hënës), pas ditësh përleshjesh përgjatë kufirit të tyre të kontestuar.
Sipas kryeministrit të Malajzisë, Anwar Ibrahim, i cili ndërmjetësoi bisedimet e paqes si kryetar aktual i Shoqatës së Kombeve të Azisë Juglindore (ASEAN), të dy vendet do të mbajnë një takim të komandantëve rajonalë të martën, më 29 korrik.
Kryeministri kamboxhian Hun Manet dhe kryeministri në detyrë tajlandez Phumtham Wechayachai u takuan në rezidencën zyrtare të kryeministrit në Putrajaya, në jug të kryeqytetit Kuala Lumpur.
Të dyja palët kanë akuzuar njëra-tjetrën për nisjen e përleshjeve të fundit kufitare dhe kanë shkëmbyer fajësime për luftime që kanë shkaktuar të paktën 35 të vdekur dhe më shumë se 200 të plagosur, sipas shifrave të zyrtarëve kamboxhianë dhe tajlandezë. Mosmarrëveshja për kufirin e tyre daton prej dekadash.
Banorët tajlandezë që kishin braktisur shtëpitë e tyre pas përleshjeve, festuan në një qendër evakuimi në provincën Surin pasi dëgjuan njoftimin për armëpushim.
Në një konferencë të përbashkët për shtyp, liderët konfirmuan se luftimet do të ndalen menjëherë, edhe pse përleshjet vazhduan në mëngjesin e së hënës, përpara fillimit të bisedimeve. Autoritetet kamboxhiane akuzuan Tajlandën për goditje në të paktën dy lokacione në orët e para, ndërsa ushtria tajlandeze tha se kishte përleshje në tre provinca.
Shtetet e Bashkuara dhe Kina morën pjesë gjithashtu në negociatat për armëpushim. Zyrtarë të Departamentit Amerikan të Shtetit ndodheshin në terren të hënën për të ndihmuar në negociata, sipas Sekretarit të Shtetit Marco Rubio.
Presidenti i SHBA-së Donald Trump njoftoi të shtunën se dy kombet e Azisë Juglindore kishin rënë dakord për bisedime për armëpushim, por luftimet e përqendruara vazhduan gjatë fundjavës. Trump deklaroi se kishte paralajmëruar udhëheqësit tajlandezë dhe kamboxhianë se nuk do të lidhte marrëveshje tregtare me asnjërin vend nëse konflikti i përgjakshëm kufitar vazhdonte.
“Ky është një hap i rëndësishëm drejt uljes së tensioneve dhe rikthimit të paqes dhe sigurisë,” tha Hun Manet në një deklaratë për konfirmimin e armëpushimit, ku falënderoi kryeministrin e Malajzisë, qeverinë kineze dhe posaçërisht Donald Trump për mbështetjen në procesin e negociatave.
Ai gjithashtu njoftoi se të dy vendet do të krijojnë një Komitet të Përgjithshëm Kufitar Kamboxhian-Tajlandez, i cili do të mbajë një takim fillestar më 4 gusht, i organizuar nga Kamboxhia.
“Rezultati i sotëm pasqyron dëshirën e Tajlandës për një zgjidhje paqësore, duke vazhduar të mbrojmë sovranitetin dhe jetët e njerëzve tanë,” tha Phumtham në konferencën për shtyp. “Ramë dakord për një armëpushim që do të zbatohet me mirëbesim nga të dyja palët.”
Malajzia është e gatshme të dërgojë një ekip për të “siguruar zbatimin dhe monitorimin” e armëpushimit, tha Ibrahim, duke shtuar se Tajlanda dhe Kamboxhia do të rifillojnë komunikimet e drejtpërdrejta në nivel kryeministrash, ministrash të jashtëm dhe të mbrojtjes.
Tensionet u rritën që në maj
Në dekadat e fundit, Tajlanda dhe Kamboxhia kanë pasur një marrëdhënie të ndërlikuar bashkëpunimi dhe rivaliteti. Dy vendet ndajnë një kufi tokësor prej 800 kilometrash (rreth 500 milje) – kryesisht i hartuar nga francezët gjatë kohës kur Kamboxhia ishte koloni – që herë pas here ka parë përleshje ushtarake.
Tensionet kishin filluar të shtoheshin që në maj, pas një incidenti ku u vra një ushtar kamboxhian.
Marrëdhëniet u përkeqësuan më tej pas publikimit të një telefonate të rrjedhur mes kryeministres tajlandeze Paetongtarn Shinawatra dhe ish-kryeministrit kamboxhian Hun Sen, babai i kryeministrit aktual. Në telefonatë, Paetongtarn i drejtohej Hun Sen-it me “xhaxha” dhe dukej se kritikonte ushtrinë e saj për sjelljen në konfliktin kufitar, gjë që çoi në pezullimin e saj pasi u akuzua se kishte komprometuar interesat e vendit.
Përshkallëzimi i fundit ndodhi pasi pesë ushtarë tajlandezë u plagosën nga një shpërthim mine javën e kaluar, çka e shtyu Tajlandën të ulë nivelin e marrëdhënieve diplomatike me fqinjin e saj.
Pas kësaj pasuan ditë me përleshje vdekjeprurëse dhe përdorim të armëve të rënda përgjatë kufirit të kontestuar, duke zhvendosur më shumë se 139,000 njerëz nga shtatë provinca në Tajlandë, dhe të paktën 80,000 njerëz në Kamboxhia.