Propozim-ligji ‘problematik’ për arsimin e lartë do të shqyrtohet javën që vjen dhe pastaj do vijojë në procedurat tjera për në Qeveri dhe Kuvend, shkruan Portalb.mk. Derisa Ministria e Arsimit nuk tërhiqet nga ky ligj i cili u përcoll me shumë kritika, Forumi për Ndryshime në Arsim ka bërë thirrje që deputetët mos ta votojnë, por ç’thonë deputetët e VLEN dhe BDI?
Ministria e Arsimit dhe Shkencës bën të ditur për Portalb se pas ripublikimit të Propozim-ligjit për arsimin e lartë në sistemin ENER, kanë arritur sugjerime shtesë nga akterë të sistemit të arsimit të lartë.
“Të njëjtat do të shqyrtohen gjatë javës së ardhshme dhe, natyrisht, gjithçka që është e qëndrueshme do të integrohet në tekst, para se ta miratojë Qeveria dhe ta dërgojë në Kuvend”, thanë nga Ministria e Arsimit.
Zëvendësministri i Arsimit, Driton Sulejmani i tha Portalbit se “qëllimi i Ministrisë së Arsimit dhe Shkencës është që propozim ligji të jetë sa më gjithpërfshirës dhe për këtë kemi patur kujdes në inkorporimin e sugjerimeve të arsyeshme nga universitetet”.
Për atë se nëse deputetët e VLEN-it do e votojnë ose jo në Kuvend këtë ligj, Sulejmani tha se ‘pyetjen e votimit të deputetëve duhet t’ua adresoni atyre”.
Por me këtë nuk pajtohet Forumi për Ndryshime në Arsim, ata kanë vazhduar me vërejtjet lidhur me ligjin dhe mënyrën se si ai u trajtua në opinion.
Nga FNA thonë se ministrja e Arsimit, Vesna Janevska për përpilimin e Ligjit për Arsim të Lartë udhëtoi nga qyteti në qytet, organizoi takime, dëgjoi studentët e profesorët dhe harxhoi paratë e qytetarëve dhe gjithë kjo, që në fund, bashkë me përpiluesit top sekret të ligjit, të bënte saktësisht çfarë ka dashur dhe kishte planifikuar nga fillimi.
Nga FNA thonë se versioni final i ligjit dëshmon se konsultimet publike ishin thjesht një fasadë demokratike, një teatër ku studentët dhe profesorët ishin statisti.
“Trupa Nacionale Studentore nuk do të njihet ligjërisht. Këshilli i Etikës nuk do të krijohet. Familjarizimi i fakulteteve dhe nepotizmi tashmë do të jenë legal. H-indeksi mbetet, por tani si kriter fakultativ. Çdo universitet zgjedh vetë nga cila platformë e mat, gjë që në praktikë do të thotë se do të zgjedhin platformat më të lehta për t’u manipuluar. Mbledhjet e Senatit do të mbeten të mbyllura”, thonë nga FNA.
Ata ftojnë deputetët të mos votojnë këtë ligj, i cili sipas FNA-së është i përpiluar sipas interesave dhe tekave personale të një grusht njerëzish të ende panjohur për opinionin.
Por a do ta votojnë deputetët këtë ligj?
Deputetja e BDI-së opozitare, Arbana Pasholli i tha Portalbit se Ligji për Arsimin e Lartë, në këtë formë, nuk është reformë por është përpjekje për të vënë universitetet nën kontroll politik.
Ajo thotë se ky ligj është i papranueshëm dhe se deputetët e BDI-së nuk do e mbështesin.
“Në vend që të forcojë autonominë universitare, ky ligj e dobëson atë ndjeshëm. Ministrai dhe Qeveria marrin kompetenca të papranueshme për të ndikuar në vendimet akademike, në financa dhe në drejtimin e institucioneve të arsimit të lartë. Kjo bie ndesh drejtpërdrejt me parimet kushtetuese dhe standardet evropiane. Ky ligj kufizon funksionimin demokratik të brendshëm të universiteteve dhe margjinalizon rolin e stafit akademik dhe administrativ, duke e përqendruar pushtetin në një rreth të ngushtë drejtues”, tha Pasholli.
Ajo shtoi se arsimi i lartë nuk ndërtohet me kontroll politik, por me liri akademike, meritokraci dhe institucione të pavarura.
Arbana Pasholli deputete në Kuvend të RMV-ut. Foto nga facebook-u i saj personal.
Arbana Pasholli deputete në Kuvend të RMV-ut. Foto nga facebook-u i saj personal.
Nga ana tjetër, deputetja e VLEN-it nga radhët e pushtetit, Mimoza Muza edhe pse na konfirmoi se do të deklarohet për këtë çështje, deri në publikim të këtij teksti nuk na ktheu përgjigje.