Kur kalimtarë të rastësishëm panë të gjakosur në rrugë një të ri, e morën menjeherë për ta transportuar me makinë drejt spitalit të Traumës. Kur bluzat e bardha e pritën në urgjencë rreth orës 11:25, i riu ishte pa shenja jete.
Ardian Baloshi, 28 vjeç ishte viktimë e një sherri që deri më tani policia e Tiranës e cilëson për motive të dobëta, me një tjetër banor të zonës ku ai jetonte.
Të dy fqinjë në zonën pranë rrugës “Dervish Luzha” ku ndodhi ngjarja në Kamëz, ishin konfliktuar, derisa njëri prej tyre, tashmë I identifikuar nga policia, Sadik Llanaj, nxorri armën dhe e qëlloi për vdekje.
“Autori ka qenë me automjet. Viktima është dërguar në spital me automjet privat nga qytetarë të rastit”, tha Oliger Torba, drejtor i policisë Tiranë
Autori 39-vjeçar u largua dhe policia ka angazhuar forca të shumta në akset kryesore rrugore për lokalizimin dhe kapjen e tij. Policia ka ofruar edhe 10 mijë euro për çdo informacion të saktë se ku mund të ndodhet qytetari.
Dyshimet janë se i dyshuari, Sadik Llanaj, të jetë në arrati me armën me të cilën kreu krimin, pasi pistoleta ende nuk është gjetur nga policia që të jetë hedhur në ndonjë ambient.
“Duke parasysh rrezikshmërinë e autorit të dyshuar, është gjykuar që në operacion të marrin pjesë dhe forcat RENEA. Grupi hetimor po heton nëse mes palëve ka pasur konflikte të mëparshme”, shtoi Torba.
Policia ka sekuestruar 10 gëzhoja në vendin e ngjarjes, vetëm 1 plumb në kokë e ka kapur viktimën. Autori ka qëlluar edhe në drejtim të një djali tjetër që ka qenë me viktimën, por për fat të mirë nuk e kanë kapur plumbat.
——————————-
Sqarim: Çdo person prezumohet i pafajshëm deri sa nuk vërtetohet fajësia e tij me vendim gjyqësor të formës së prerë
Vrasja në Kamëz, policia: 10 mijë euro shpërblim kush jep informacion për autorin
Policia e Tiranës ka ofruar 10 mijë euro për informacione që mund të çojnë në lokalizimin dhe kapjen e autorit që vrau 27-vjeçarin në Kamëz.
Përmes një njoftimi për mediat blutë apelojnë që qytetarët e Kamzës dhe zonave përreth të tregojnë kujdes të shtuar, pasi autori i dyshuar, dyshohet se është i armatosur dhe konsiderohet person me rrezikshmëri të lartë shoqërore.
Njoftimi i policisë:
Apel për kujdes dhe bashkëpunim për kapjen e autorit të dyshuar të vrasjes së 27-vjeçarit në Kamëz.
Nisur nga rrezikshmëria e lartë e autorit të dyshuar për vrasjen e shtetasit A. B., 27 vjeç, Drejtoria Vendore e Policisë Tiranë apelon ndaj qytetarëve të Kamzës dhe zonave përreth që të tregojnë kujdes të shtuar, pasi autori i dyshuar, shtetasi Sadik Llani, dyshohet se është i armatosur dhe konsiderohet person me rrezikshmëri të lartë shoqërore.
Për lokalizimin dhe kapjen e tij janë angazhuar Forca Kombëtare e Sigurisë “RENEA”, strukturat operacionale të Policisë së Shtetit dhe shërbimet e Drejtorisë Vendore të Policisë Tiranë, të cilat po vijojnë kontrollet intensive në terren.
Drejtoria Vendore e Policisë Tiranë kërkon bashkëpunimin e qytetarëve që, nëse konstatojnë këtë shtetas ose disponojnë informacion mbi vendndodhjen e tij, të mos ndërhyjnë në asnjë mënyrë, por të njoftojnë menjëherë Policinë në numrin 069 41 05 735 ose në numrin pa pagesë 112.
Drejtoria Vendore e Policisë Tiranë vë në dispozicion një shpërblim prej 10 000 eurosh për informacionin e saktë që do të çojë në lokalizimin dhe kapjen e autorit të dyshuar.
Policia e Tiranës garanton ruajtjen e plotë të konfidencialitetit për çdo informacion të dhënë nga qytetarët.
Vrasja në Kamëz/ Drejtori i Policisë së Tiranës: Viktima është dërguar në spital nga kalimtarë të rastit, autori është larguar me automjet, është i armatosur
Drejtori i Policisë së Tiranës Oliger Torba ka sqaruar rrethanat paraprake të ngjarjes së ndodhur mesditën e sotme në zonën e Kamzës pranë një kalçetoje. Torba u shpreh se viktima ka ndërruar jetë rrugës për në spital ku është dërguar nga kalimtarë të rastit.
Autori është i armatosur dhe është larguar nga vendi i ngjarjes me automjet. Ngjarja ka ndodhur në rrugë pranë një kalçetoje.
“Në spital e Traumës ka shkuar pas shenjka jete Ardian Balloshi rreth 27 vjeç. Nga konstatimet dëmtimet i ka pasur me armë zjarri. Duke parasysh rrezikshmërinë e autorit, është gjykuar që në operacion të marrë pjesë dhe forcat RENEA. Ngjarja ka ndodhur në rrugë. Janë të dy banorë të zonës. Autori ka qenë me automjet. Nuk ka të plagosur të tjerë. Viktima është dërguar në spital me automjet privat nga qytetarë të rastit”, tha Torba.