Nga 768,8 milionë eurot që aktualisht janë ndarë për shpenzime kapitale, shuma për vitin e ardhshëm zvogëlohet në 640 milionë euro. Investimet publike do të jenë shtylla e zhvillimit ekonomik në vitin 2026 – njoftoi Ministrja e Financave, Gordana Dimitrieska – Koçoska. Më shumë para janë planifikuar për pensione, rroga dhe transferime sociale. Sipas qeverisë, viti i ri buxhetor do të jetë i qëndrueshëm dhe zhvillimor, ndërsa sipas opozitës, mund të jetë një vit zgjedhor, shkruan analiza ekonomike javore e Portalb.mk.
Shpenzimet kapitale “u shkrinë”, dozë e re optimizmi për inflacion nën 3%….
Rritje ekonomike e ngjashme me atë të këtij viti, inflacion i qëndrueshëm prej 2,5%, huamarrje të reja – Ministria e Financave i përcolli Kuvendit buxhetin e ri për vitin 2026. Të ardhurat dhe shpenzimet buxhetore do të rriten, ndërsa deficiti buxhetor do të ulet për 0,5 pikë përqindjeje krahasuar me këtë vit.
Të ardhurat buxhetore vitin e ardhshëm për herë të parë do të kalojnë 6 miliardë euro, ndërsa shpenzimet buxhetore do të jenë në nivelin më të lartë historik, duke tejkaluar vlerën prej 6,7 miliardë euro. Deficiti buxhetor do të arrijë në 636 356 000 euro dhe do të ulet për 0,5 pikë përqindjeje krahasuar me këtë vit. Por, ajo që ka tërhequr vëmendjen e publikut është ulja e shumës së shpenzimeve kapitale nga 768,8 milionë eurot aktuale në 640 milionë euro në vitin 2026.
“Rritja dhe zhvillimi mbështeten në shpenzimet kapitale, dhe ato do të ulen jo vetëm si shumë absolute, por edhe si përqindje e buxhetit. Zakonisht, me rritjen e të ardhurave dhe të shpenzimeve, siç është njoftuar, tendenca duhet të jetë edhe rritje e investimeve publike. Çfarë investimesh mund të realizohen me 640 milionë euro – gjysma e parave do të jenë të rezervuara dhe tashmë janë rezervuar për komunat, ndërsa gjysma do të duhet të përfundojnë te “Bechtel & Enka” për ndërtimin e autostradave. Çfarë do të mbetet për investime të tjera strategjike, hekurudha, gazifikim, shëndetësi, arsim? “- vlerëson deputeti dhe ish-zëvendëskryeministri Fatmir Bytyqi.
Sipas Ministres së Financave, shuma e reduktuar e shpenzimeve kapitale do të jetë një pasqyrim i investimeve reale që mund të realizohen plotësisht, ndërsa shtyllat e zhvillimit duhet të jenë projektet e “Bechtel & Enka”. Ministrja konfirmoi se realizimi i plotë i investimeve kapitale nuk pritet të bëhet këtë vit, dhe kjo ishte baza për parashikimin për vitin 2026.
“Të dhënat tregojnë se realizimi i shpenzimeve kapitale nuk do të arrijë të gjithë shumën e planifikuar, kështu që sipas shumës së tyre kemi një zvogëlim prej rreth 7 miliardë denarësh” – deklaroi ministrja.
Më shumë para për rroga, pensione, transferime sociale…
Në konturat e shpallura të buxhetit të vitit 2026, ish-zëvendëskryeministri për ekonomi, Bytyqi vëren një paralajmërim për zgjedhje të parakohshme parlamentare.
“Rroga dhe pensione më të larta, rritje e shpenzimeve, paralajmërime për huamarrje të reja dhe ulje e shpenzimeve kapitale – e gjithë kjo paralajmëron zgjedhje të parakohshme parlamentare” – thotë Bytyqi.
Vitin e ardhshëm, është planifikuar një shumë prej 3,34 miliardë eurosh për transferime sociale, që paraqet një rritje prej 6,7%, 854 milionë euro do të shpenzohen për rroga, ose 7% më shumë se këtë vit, dhe pothuajse 1,9 miliardë euro do të shpenzohen për pagesat e pensioneve, që paraqet një rritje prej 9,7% krahasuar me pozicionet fiskale për këtë vit.
Edhe vitin e ardhshëm parashikohet një përqindje e qëndrueshme e inflacioni prej 2,5%, ngjashëm me këtë vit, i cili, sipas Qeverisë, duhet të përfundojë me inflacion prej 2,8%. Ndryshe nga vlerësimet e Qeverisë, disa ekonomistë, përmes Anketës së re të BPM-së, vlerësuan se ky vit do të përfundojë me inflacion prej 3,9%, e po ashtu edhe FMN-ja e ka të njëjtin parashikim në Raportin e ri Ekonomik, ndërsa edhe Guvernatori i BPM-së, Trajko Sllaveski pret inflacion më të lartë se 3%.