Një gjest të papritur bëri presidenti amerikan në Shtëpinë e Bardhë, Donald Trump, duke befasuar të ftuarin e tij, homologun, Ahmed Al Sharaa.
Në margjinat e bisedës së shkurtër kokë më kokë të tyre të hënën më 10 nëntor në Shtëpinë e Bardhë, Trump zgjodhi t’i bëjë një dhuratë origjinale homologut të tij sirian: parfum-in e tij personal me emrin “Victory 45-47”, të cilin e prezantoi verën e kaluar, si referencë për dy mandatet e tij presidenciale.
Në një video që qarkullon në rrjetet sociale, presidenti amerikan duket se spërkat fillimisht veten me këtë parfum dhe më pas aromanizon edhe Al Sharaa-n, si dhe anëtarë të delegacionit sirian.
Trump e përfundoi gjestin duke i dhënë një shishe tjetër, versionin femëror të të njëjtit parfum, të cilin siç tha, e ka për gruan e presidentit të Sirisë.