Vetëm dy ditë pasi Bashkimi Evropian publikoi Raportin e Progresit më 4 nëntor, në të cilin paralajmërohej urgjentisht nevoja për kontroll më të fortë, transparencë dhe luftë kundër korrupsionit në fondet IPARD, në Maqedoninë e Veriut shpërtheu një skandal i madh. Më 6 nëntor, policia arrestoi pesë persona, mes tyre zyrtarë shtetërorë dhe ndërmjetës, nën dyshimet për ryshfet, ndikim të paligjshëm dhe nënshkrim të paligjshëm të marrëveshjeve për fonde IPARD. Rasti dyshohet të ketë përfshirë pagesa të mëdha në këmbim të fondeve për kompani që nuk i plotësonin kushtet. Ironikisht, vetëm pak ditë më herët BE kishte kërkuar pikërisht forcim të sistemit të kontrollit, transparencës dhe kapaciteteve administrative për të parandaluar pikërisht parregullsi të tilla. Skandali e vërtetoi në mënyrë dramatike se rekomandimet e Brukselit ishin më urgjente se kurrë.
Raporti i Progresit i Bashkimit Evropian e paralajmëroi qartë Maqedoninë e Veriut se sektori i bujqësisë dhe zhvillimit rural mbetet vetëm “mesatarisht i përgatitur”, ndërsa reformat e kërkuara nuk po përmbushen plotësisht. Para se të shpërthente skandali i fundit me ryshfet dhe ndikim të paligjshëm për fonde IPARD, Komisioni Evropian kërkonte domosdoshmërisht forcim të kontrollit, transparencës dhe kapaciteteve administrative në këtë fushë.
“Maqedonia e Veriut mbetet mesatarisht e përgatitur në fushën e bujqësisë dhe zhvillimit rural. Gjatë periudhës së raportimit është bërë njëfarë progresi, veçanërisht në Instrumentin për ndihmë para-anëtarësuese për zhvillimin rural (IPARD) II dhe IPARD III”, thuhet në raport.
Së pari, BE thekson se Maqedonia e Veriut duhet të përfundojë Ligjin e ri për bujqësinë dhe zhvillimin rural, për të krijuar një kuadër më të fortë politikash, sidomos për mbështetjen e bujqësisë dhe menaxhimin e tregut të përbashkët. Po ashtu, kërkoi modernizim i Sistemit të Integruar të Administrimit dhe Kontrollit (IACS) dhe transferimi i të dhënave në Agjencinë e Pagesave, me qëllim që verifikimi i përfituesve të fondeve të bëhej më i saktë dhe më i besueshëm.
“Rekomandimet e Komisionit nga raporti i vitit të kaluar nuk u zbatuan plotësisht dhe për këtë arsye mbetën kryesisht të vlefshme”, thuhet në raport.
Më konkretisht, në raport thuhet se në vitin e ardhshëm, Maqedonia e Veriut duhet në veçanti:
T’i japë përparësi finalizimit të Ligjit të ri për bujqësinë dhe zhvillimin rural për të forcuar kuadrin e saj të politikave në fushat e mbështetjes së bujqësisë dhe organizimit të tregut të përbashkët.
Të sigurojë ndërveprimin e elementëve të ndryshëm nga Sistemi i Integruar i Administrimit dhe Kontrollit (IACS), të verifikojë saktësinë e të dhënave dhe të transferojë regjistrin e fermave dhe Sistemin e Identifikimit të Parcelave të Tokës (LPIS) në Agjencinë e Pagesave.
Të përmirësojë politikën e burimeve njerëzore dhe kapacitetin administrativ në strukturat operative të IPARD për të siguruar zbatim të fuqishëm të programit IPARD III.
Një tjetër kërkesë e BE-së ishte që autoritetet e IPARD-it të rrisnin kapacitetet njerëzore dhe administrative, sepse zbatimi i programit IPARD III vazhdonte ngadalë dhe me besim të pamjaftueshëm në masat e reja. Përveç kësaj, BE-ja kritikonte mungesën e përparimit në politikën e cilësisë dhe në miratimin e ligjit për bujqësinë organike, duke theksuar se vendi duhet të përdorë më shumë mundësitë që IPARD III ofron për zhvillim rural.
“Lidhur me zhvillimin rural, zbatimi i IPARD III po vazhdon, me përparim të pamjaftueshëm në besimin e masave të reja në kuadër të programit IPARD III. Forcimi i kapaciteteve administrative të autoriteteve IPARD III duhet të adresohet menjëherë. Sa i përket politikës së cilësisë, korniza legjislative ende nuk është përafruar plotësisht me acquisin e BE-së. Kapaciteti administrativ dhe burimet mbeten të pamjaftueshme, pavarësisht perspektivave të rritjes. Nuk ka pasur përparim në miratimin e Ligjit të ri për bujqësinë organike. Maqedonia e Veriut duhet të përdorë mbështetjen e disponueshme në kuadër të programit IPARD III për të mbështetur rritjen e sektorit”, thuhet në raport.
Ndër pikat më të rëndësishme, të cilat tani duken paralajmëruese, ishte kërkesa që organet IPARD të parandalojnë, zbulojnë dhe raportojnë parregullsitë, si pjesë e masave kundër korrupsionit.
“Sa i përket masave kundër korrupsionit, organet IPARD janë të detyruara të parandalojnë, zbulojnë dhe raportojnë parregullsitë”, thuhet në raport.
Pikërisht kjo pikë u godit nga skandali që shpërtheu: pesë persona u arrestuan nën dyshimin për ryshfet, ndikim të paligjshëm dhe mashtrim me fondet IPARD. Sipas hetimeve, drejtori i Agjencisë për Mbështetje Financiare në Bujqësi dyshohet se ka nënshkruar marrëveshje të kundërligjshme, duke u premtuar fonde kompanive që nuk plotësonin kriteret, në këmbim të dhuratave të majme, një prej tyre në shumën prej 50.000 eurosh. Tre ndërmjetës, mes tyre edhe zyrtarë shtetërorë, dyshohet se ushtruan ndikim të jashtëligjshëm për të mundësuar vendimin. Gjatë bastisjeve u gjetën fonde të konsiderueshme, duke konfirmuar dyshimet për korrupsion sistemik.
Në këtë mënyrë, skandali i fundit jo vetëm që vërteton paralajmërimet e BE-së për dobësi institucionale, mungesë kontrolli dhe kapacitete të pamjaftueshme, por edhe tregon se rekomandimet për forcimin e mekanizmave kundër korrupsionit ishin urgjente dhe të justifikuara.