Fillimisht do të ndalemi në qendër të fshatit Rusan në Delvinë, pranë Xhamisë së Gjin Aleksit, një prej monumenteve më të rralla të kulturës, ndodhet shtëpia e Besnike Myrtos. Aty ku historia flet përmes gurëve, Besnikja flet përmes mjeshtërisë së qëndisjes.
Në shtëpinë e saj, punimet me grep dhe gjilpërë nuk janë vetëm zbukurime. Ato janë kujtime, të vendosura mbi vazo, mbi tryeza, madje edhe mbi kavanozat me reçel dhe ëmbëlsira të shtëpisë ashtu siç dikur i bënin nënat tona.
“Që kur isha 14 vjeç, ma mësoi nëna tantellën. Pastaj fillova edhe qendisjen. Tani bëj nga të gjitha… perde, mbulesa, siç më del para syve, e bëj me dorë”, shprehet Myrto.
67-vjecarja ka hapur një dyqan të vogël në fshat ku nuk gjen vetëm punime të dorës, por edhe reçelra, gliko e ëmbëlsira të përgatitura me frutat dhe perimet e bahçes së saj.
“Të gjitha i kam bio, nga kopshti. Edhe reçelrat, edhe ëmbëlsirat, i bëj vetë këtu në shtëpi”, thotë ajo për Report TV.
Turistët që vizitojnë xhamisë e Gjin Aleksit, nuk largohen pa marrë diçka nga punimet e Besnikes, të cilat janë një pjesë të bukur e traditës shqiptare.
Nga Delvina shkojmë në Kukës ku mes këngëve të vjetra të Lumës pranë sofrës shtruar me fli të pjekur ngadalë në saç, artizania e njohur, Hate Ora u flet me pasion për endjen në tezgjah dhe punishten e saj, vajzave dhe grave të reja të qytetit.
“Me këtë zanat kam rritur familjen, kam ruajtur mendjen e kokës, sepse kjo punë shëron shpirtin”, thotë Hatja.
Hate Ora është një ndër artizanet më të vjetra në Kukës. Rrugëtimi i saj është bërë I njohur tashmë nga të gjithë. Ajo e nisi këtë zanat në vitin 1974, pasi iu prenë shpresat për të vijuar studimet në universitet.
Ajo punon sixhade apo qilima, të cilat me shumë punime të tjera të dorës dorës janë kthyer jo vetëm burim punësimi por edhe asete turistike për Kukësin.
Lemë pas Kukësin dhe shkojmë në zonën e Gollobordës në Dibër. Këtu do të ndalemi më gjatë pasi ne jemi ndër të paktët që kanë trokitur në dyert e artizaneve për të zbuluar botën e tyre të endjes së fijeve në tezgjah.
Një ndër gratë që ruan me fanatizëm zanatin është Beaze Muça, 57-vjeçe, nga Ostreni i Madh.
“Kam qenë 10 vjeçe dhe shikoja si punonte nëna dhe unë e kisha me qejf dhe fillova të punoj. E kam trashëguar zanatin nga nëna (qan kur kujton nënën). Pasi u martova, gjeta dhe vjehrrën që punonte veshje popullore të zonës. E kisha me qejf të madh. Ma la vjehrra punën e vet që kishte. Më përpara bëheshin veshje vetëm për nuset, tani bëhen veshje dhe për vajzat e fëmijët. Ka kërkesa për veshje popullore, sidomos për dasma e festa. E kemi trashëguar zanatin brez pas brezi”, rrëfen artizanja për Report Tv.
Këto kostume popullore për gra e vajza, që dominohen nga ngjyra e kuqe, shiten brenda e jashtë vendit për dasma e gëzime familje dhe kushtojnë 250-300 euro.
“Më duhet afërsisht një muaj për të bërë një kostum popullor. Tani po bëj brezin, (më pas shpjegon dhe si bëhet këmisha, shamijat, etj). Një veshje popullore kushton 250 deri në 300 euro. Kërkesa kemi, jo me shumicë, por pa punë nuk kam mbetur. Kemi kërkesa brenda dhe jashtë vendit. Këtu në Ostren ka 5-6 gra që punojnë me tezgjah. Fëmijët i kam në emigrim, nuk ua trashëgova dot zanatin se janë larg”, shprehet ajo.
Dallëndyshe Tola, kunata e Beazes, mësuese në shkollën e Ostrenit të Madh, na shpjegon me detaje veshjen tradicionale të zonës Gollobordës, duke i demonstruar tek vajzat e reja.
“Me këtë veshje që kam veshur këtë gocën, veshim edhe në rast feste, për Bajram, shoshjen e drithit para dasmës. Përdorim këtë brezin, pjesën e bohçes, etj. Të gjitha këto i punon nusja e vëllait”, thotë arsimtarja.
Të gjitha këto gra e shumë të tjera nëpër Shqipëri u janë përkushtur punimeve të dorës, secila në mënyrën e saj. Kanë mbajtur familjet me duart që endin fijet, ashtu siç kanë bërë dikur nënat dhe gjyshet e tyre.
Nuk e dinë nëse këto zanate do të mbijetojnë në botën e sundimit teknologjik, prandaj kërkojnë ndihmë që këto fije që kanë lidhur breza të tërë, të mos këputen.