Kryesia Qendrore e Bashkimit Demokratik për Integrim (BDI) do të mbajë sonte mbledhjen e radhës, në prag të Kongresit të partisë që është caktuar të mbahet të dielën.
Në fokus të mbledhjes do të jetë informimi rreth përgatitjeve përfundimtare të Kongresit, si dhe pikat kryesore që pritet të theksohen gjatë punimeve të Kongresit, shkruan gazeta KOHA.
Siç është bërë tashmë e ditur, kjo mbledhje do të jetë e fundit për Kryesinë Qendrore me këtë përbërje, pasi një pjesë e konsiderueshme e anëtarëve aktualë nuk do të jenë më pjesë e Kryesisë së ngushtë, sipas ndryshimeve të paralajmëruara në strukturën udhëheqëse të partisë.
Ndërkohë, të dielën BDI do të mbajë Kongresin e saj, ku pritet të konfirmohet edhe një mandat i ri për Ali Ahmetin në krye të partisë.
Po ashtu, në Kongres do të miratohen ndryshimet në Statutin e partisë, me të cilat e drejta për emërimin e kryetarëve të Degëve do të kalojë ekskluzivisht në kompetencë të kryetarit të partisë, Ali Ahmeti, sikurse që ishte dikur, në kohën kur u themelua BDI.
Ndryshe, BDI është bindur se ka marrë porosinë e votuesit shqiptarë, pas humbjes së komunave kryesore në zgjedhjet lokale të 19 tetorit. Edhe vet Ahmeti e ka theksuar se BDI do t’i nënshtrohet reformave të thella, si në strukturë, ashtu edhe në tematikë.