Ministri i Drejtësisë, Toni Gogu, zhvilloi një takim me drejtuesin e SPAK, Klodjan Braho, në kuadër të përgjegjësive institucionale për funksionimin e sistemit të drejtësisë.
Sipas njoftimit, në fokus të bisedës ishte bashkëpunimi ndërinstitucional në disa drejtime, përfshirë përmirësimin e kuadrit ligjor, forcimin e kapaciteteve institucionale, si dhe mbështetjen infrastrukturore dhe rritjen e efikasitetit.
Gjatë takimit u diskutua edhe për adresimin e boshllëqeve ligjore ekzistuese, që lidhen me statusin e prokurorëve, kompetencat proceduriale dhe bashkëpunimin ndërkombëtar. Po ashtu, pjesë e diskutimit ishin koordinimi në nivel politikash publike dhe konsolidimi i standardeve dhe praktikave në funksion të sigurisë juridike dhe besimit publik.
Ministri Gogu e konsideroi SPAK një institucion me rol në luftën kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit, duke e lidhur funksionin e tij edhe me procesin e integrimit europian të vendit.
Në përfundim, ai theksoi se bashkëpunimi me institucionet e drejtësisë do të bazohet në respektimin e ndarjes së pushteteve dhe pavarësisë institucionale, me synim rritjen e funksionalitetit dhe efikasitetit të sistemit të drejtësisë.