Skënder Hita ka marrë pjesë në konferencën rajonale për Task-Forcën e Përbashkët për Migracionin të mbajtur në Kosove duke theksuar se bashkëpunimi është dëshmi e rezultateve konkrete për sigurinë.
“Bashkëpunimi ynë në kuadër të kësaj Task-Force ka dëshmuar se koordinimi në kohë reale, shkëmbimi i informacionit dhe sinkronizimi i veprimeve operacionale janë mekanizma thelbësorë për të prodhuar rezultate konkrete në mbrojtjen e qytetarëve tanë, forcimin e sigurisë kufitare dhe goditjen e rrjeteve kriminale të përfshira në migracionin e paligjshëm”, tha drejtori i përgjithshëm i Policisë.
Hita nënvizoi anghimin e vazhdueshëm për forcimin dhe zgjerimin e partneritetit strategjik, teksa shtoi se ky takim do të jetë i frytshëm për një qasjë më të unifikuar dhe efikase.
“Jam i bindur se ky takim do të shërbejë jo vetëm për të analizuar rezultatet e deritanishme, por edhe për të ndërtuar hapa të rinj konkretë drejt një qasjeje më të unifikuar, më proaktive dhe më efikase në përballjen me migracionin e paligjshëm dhe kërcënimet që burojnë prej tij”, u shpreh Hita..
Gjatë konferencës, vendi mikpritës, Kosova, vlerësoi kontributin e Policisë shqiptare në këtë Task-Forcë, dhe për anëtarësimin e Policisë së Kosovës në të.
Operacionet e përbashkëta policore, të zhvilluara në kuadër Task-Forcës së Përbashkët për Migracionin, dhe të koduara “Marewood”, “Esterwick”, “Nomada” dhe “Venton” kanë rezultuar me goditjen e disa rrjeteve kriminale në fushat e transportimit të emigrantëve, lëvizjes ilegale drejt shteteve të BE-së dhe pastrimit të parave.