Paralajmërim: Në vazhdim është kronika e një paradoksi historik dhe politik, e mishëruar në një emër: Albin Kurti. Një njeri tek i cili, nëse s’ka diçka tjetër, mungesat patriotike dhe ana e errët në momentet kyçe të historisë duket se kanë lënë pasoja të pariparueshme në personalitetin e tij. Një “lider” që frikën e djeshme ndaj armikut të vërtetë, sot e maskon me agresivitet ndaj luftëtarëve të lirisë, shtetit të vet dhe aleatëve që ndihmuan në çlirimin dhe krijimin e tij.
Kur radhët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës shtoheshin dita-ditës nga djem e vajza që rrokën armët për liri, Albin Kurti dilte hapur kundër luftës frontale, duke refuzuar uniformën e çlirimtarit. Por, paradoksi i tij i madh ndodhi në paqe. Kur luftëtarët e vërtetë arritën synimin madhor dhe i varën armët në mur për të ndërtuar shtetin, Kurti gjeti “armën” e tij: koktejin e molotovit. Ai zgjodhi ta hidhte atë mbi institucionet e brishta të sapokrijuara, duke u rreshtuar faktikisht kundër procesit të konsolidimit të pavarësisë së Kosovës.
Prapa këtyre fakteve qëndron një histori e gjatë që prek tri dekada, një dëshmi e anës së errët të figurës së tij. Hijet e kësaj të kaluare e ndjekin edhe sot, kur prej gjashtë vitesh ai mban postin e Kryeministrit.
Sot, politika e tij polarizuese dhe përçarëse jo vetëm që ka ndarë shoqërinë në Kosovë dhe hapësirën mbarëshqiptare, por i ka sjellë marrëdhëniet e Kosovës me aleatët tanë jetikë, ata që na ndihmuan në çlirim dhe pavarësi, buzë një humnere të rrezikshme.
“Demokracia” sjellë disa momente që tregojnë anën e errët të asaj se çfarë përfaqësonte Kurti në momentet historike për Kosovën.
MARS 1998 – ALBIN KURTI NË ANGLISHT: “UNË KURRË NUK DO TË KAPJA NJË ARMË NË DORË”
Kryeministri aktual i Kosovës, Albin Kurti, i cili në paqe nuk ka ngurruar asnjëherë të veshë petkun e arbitrit moral dhe t’u ndajë të tjerëve “certifikata patriotizmi”, duke përbaltur e akuzuar pikërisht ata që bënë luftën e vërtetë, ka një të kaluar që e zhvesh plotësisht këtë hipokrizi.
Në kohën kur atdhedashuria nuk matej me fjalime, por me gatishmërinë për t’u flijuar për lirinë e Kosovës, Kurti zgjidhte të bënte deklarata që nxitnin sabotimin dhe refuzimin e luftës çlirimtare.
“Unë nuk do ta kapja kurrë një armë në dorë”, deklaronte Kurti me gjakftohtësi për mediat ndërkombëtare në mars të vitit 1998.
Kjo deklaratë kapitulluese vinte në një moment tmerrësisht kritik: vetëm pak ditë pas Epopesë së Jasharëve në Prekaz, kur gjaku i Komandantit Legjendar Adem Jashari dhe familjes së tij kishte ndezur vetëdijen kombëtare dhe po thërriste çdo shqiptar në front. Ndërsa Kosova digjej dhe kërkonte çlirimtarë, Kurti, në anglisht, predikonte dorëzimin përpara opinionit botëror:
“Mendoj se zgjidhja më e mirë, e kam thënë edhe më parë, mes Luftës dhe Dorëzimit, është një zgjidhje pa dhunë. Në njërën anë unë besoj në jo-dhunë, sepse unë po e shmangi dhunën dhe besoj në filozofinë e jo-dhunës”, vazhdonte Kurti, duke i kthyer shpinën kushtrimit të UÇK-së.
Paradoksi që kufizohet me amoralitet politik shpërthen pikërisht këtu: ky njeri, që gjatë okupimit klasik dhe terrorit serb predikonte “filozofinë e jo-dhunës” dhe refuzonte armën kundër pushtuesit, ndryshoi rrënjësisht sapo Kosova u çlirua.
Në Kosovën e lirë dhe të pavarur, Kurti formoi një subjekt politik që dhunën, gazin lotsjellës, përmbysjen e kamionëve dhe sulmet mbi institucionet e veta i ktheu në strategji të pandashme për të marrë pushtetin.
Ajo “jo-dhunë” që ia kurseu regjimit të Millosheviqit në vitin 1998, u shndërrua në një agresion të egër ndaj shtetit të brishtë të Kosovës, në paqe.
Ky është standardi i dyfishtë i një lideri që frikën e djeshme ndaj armikut e maskon sot me agresivitet ndaj shtetit të vet dhe aleatëve që e krijuan atë.
LUFTA HIBRIDE E ALBIN KURTI NË KOHËN KUR KOSOVA PO SHPALLEJ E PAVARUR: SI E SHPËRNDANTE NË MEDIA NDËRKOMBËTARE MOSBESIMIN NDAJ SHBA-VE
Përpara se të niste fushatën e dëshpëruar të shkurtit të vitit 2008 për të frikësuar qytetarët, Albin Kurti kishte zhvilluar një luftë të vërtetë hibride mediatike për të minuar besimin e popullit të Kosovës te aleati ynë jetik: Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Në kohën kur diplomacia amerikane po thyente muret e fundit për të siguruar shtetësinë e Kosovës, Kurti përdorte mediat ndërkombëtare për të sulmuar Uashingtonin dhe për të fyer lidershipin amerikan.
Më 10 qershor 2007, nga kryeqyteti i Shqipërisë, Tirana, Presidenti i Shteteve të Bashkuara, George W. Bush, do të jepte mesazhin historik që bëri xhiron e botës: “Mjaft është mjaft, Kosova është e pavarur”.
Por, ky premtim i madh, që solli lot gëzimi te çdo shqiptar, nuk kishte asnjë peshë për liderin e Vetëvendosjes.
Vetëm dy ditë më vonë, më 12 qershor 2007, gazeta prestigjioze amerikane “Neë York Times” do të dokumentonte me habi indiferencën dhe skepticizmin e Kurtit ndaj këtij zotimi amerikan: “Zoti Bush tha se ai e mbështeste pavarësinë e Kosovës sa më shpejt që të ishte e mundur, por z. Kurti, i cili kundërshton rolin e Kombeve të Bashkuara në përcaktimin e statusit të Kosovës, nuk i bëri përshtypje”, shkruante New York Times.
Në vend që të mbështeste këtë momentum historik, Kurti zgjodhi ta sulmonte Planin e OKB-së (Planin Ahtisaari), duke deklaruar se ky plan do t’i linte Shteteve të Bashkuara dhe Evropës shumë pushtet në Kosovë. Në një fyerje të hapur ndaj aleatëve perëndimorë që parandaluan shfarosjen tonë, Kurti e quajti prezencën e tyre një formë të ri-kolonizimit:
“Kjo është një situatë tipike koloniale. Sigurisht që ka mbështjellje moderne, por mbetet një situatë koloniale”, deklaronte ai për gazetën amerikane.
Por, lufta e tij kundër Uashingtonit nuk u ndal me kaq. Më 27 nëntor 2007, i zhytur në agjendën e tij të mohimit, Kurti shfrytëzoi mediumin e njohur austriak “Die Presse” për të shpërndarë të njëjtën propagandë dhe për të fyer personalisht Presidentin e Amerikës. Kur gazetari austriak i kujtoi se Hashim Thaçi dhe Presidenti Bush kishin garantuar se pavarësia po vinte, Kurti u përgjigj me një gjuhë që kalonte çdo kufi të etikës politike dhe diplomatike:
“Së shpejti e gjithë kjo do të jetë histori. Fituesi i zgjedhjeve, Hashim Thaçi, ka premtuar se do të veprojë pas 10 dhjetorit, ndërsa presidenti amerikan George Ë. Bush ka folur për pavarësi këtë vit. Ju duhet të jeni të lumtur për këtë”, i drejtohej Die Presse, Kurtit.
“Jo me nxitim. Udhëheqja jonë nuk do të shpallë pavarësinë, nëse fuqitë ndërkombëtare nuk e japin atë. Dhe vetë George Bush gënjeu publikun amerikan, pse të mos gënjejë këtu?”, përgjigjet Kurti.
Fatkeqësisht, njeriu që sot drejton Kosovën, në vitin 2007 e quante Presidentin e SHBA-së “gënjeshtar” dhe projektin amerikan për lirinë tonë si “situatë koloniale”.
14 SHKURT 2008 – ALBIN KURTI: KOSOVA NUK PO BËHET E PAVARUR
Betejën që e kishte filluar vite më përpara për të kundërshtuar negociatat për përcaktimin e statusit final politik të Kosovës, Kurti e kishte vazhduar edhe në ditët kur kishte arritur momenti historik. Këtë betejë, do ta vazhdonte edhe viteve pasuese.
Mes qindra qëndrimeve kundër Pavarësisë së Kosovës, që doli nga negociatat e Vjenës, është edhe ky qëndrim i Kurtit i datës 14 shkurt 2008, vetëm 3 ditë para arritjes së madhe historike e kombëtare për shqiptarët.
Në intervistën e tij për emisionin Rubikon të KTV-së, Albin Kurti, po frikësonte qytetarët e Kosovës me anë të deklaratave të tij se Kosova nuk po bëhet e pavarur.
Derisa institucionet e Kosovës dhe drejtuesit e atëhershëm të tyre po bënin përgatitjet finale për shpalljen e pavarësisë së vendit, Albin Kurti po tregonte hapur se kjo nuk ishte një ditë që qytetarët e Kosovës të festonin.
“Populli i Kosovës është duke e pritur pavarësinë, mirëpo unë mendoj që edhe pak ditë do ta kuptojmë që pavarësi është quajtur diçka që esencialiaht është varësi”, deklaronte ai vetëm tri ditë para shpalljes së saj, deklaronte Kurti më 17 shkurt 2008.
Derisa institucionet e Kosovës dhe drejtuesit e asaj kohe, në koordinim të ngushtë me Ëashingtonin dhe Brukselin, po bënin përgatitjet finale logjistike dhe ceremoniale për shpalljen e shtetit, Kurti po punonte hapur për ta sabotuar këtë entuziazëm. Për të, ajo ditë nuk duhej të ishte ditë feste, por ditë zie politike.
Ky moment mbetet një tjetër dëshmi e rëndë historike: njeriu që sot kërkon t’i përjashtojë të tjerët nga meritat e shtetndërtimit, është i njëjti që tri ditë para shpalljes së Pavarësisë i thoshte këtij populli se ajo çfarë po fitonte nuk ishte liri, por një prangë e re.
17 SHKURT 2008 – VETËVENDOSJA NUK FESTON: DITA KUR KURTI IA KTHEU SHPINËN HISTORISË
Në ditën më të ndritur të historisë moderne të Kosovës, më 17 shkurt 2008, kur i tërë populli festonte me lot në sy fundin e një okupimi shekullor dhe lindjen e shtetit të pavarur, në lagjen Pejton të Prishtinës mbretëronte një heshtje e zymtë dhe refuzuese. Atë ditë, gazeta “Koha Ditore” do të dokumentonte një nga paradokset më të rënda të asaj kohe me titullin që sot flet vetë: “Kosova shpall pavarësinë e saj – Vetëvendosje nuk feston”.
Ndërsa sheshet e Kosovës ishin mbushur me frymën e lirisë, brenda zyrës së Albin Kurtit koha kishte ndaluar. Gazetarët që vizituan selinë e tij raportuan një skenë që dukej e pabesueshme për kryeqytetin e një shteti që po lindte:
“Për aktivistët e Lëvizjes Vetëvendosje, dita e diel ka qenë ditë e zakonshme. Ata nuk kanë festuar, duke thënë se nuk kanë për çka të festojnë. Sipas tyre, qytetarët e Kosovës nuk janë duke e ditur se çfarë po festojnë”, shkruhej në artikullin e publikuar më 18 shkurt 2008.
Gazetarët e huaj, të habitur nga ky kundërshtim i formimit të shtetit, nxitonin të merrnin deklarata në zyrën e mbytur në dhimbje, për të kuptuar se si ishte e mundur që një grup politik shqiptar të rreshtohej kundër aktit të shpalljes së Pavarësisë.
Ky ishte momenti i dytë i madh i kapitullimit të Albin Kurtit përballë historisë. Pasi kishte refuzuar pushkën e lirisë në vitin 1998 me pretekstin e “jo-dhunës”, në vitin 2008 ai refuzoi edhe vetë Republikën. Për Kurtin, shpallja e pavarësisë në koordinim me Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Bashkimin Evropian nuk ishte fitore, por një akt që duhej bojkotuar.
Ky shkrim i asaj kohe mbetet një dëshmi e pashlyeshme historike: njeriu që sot drejton institucionet e Republikës së Kosovës, është i njëjti që ditën e lindjes së kësaj Republike e quajti një “ditë të zakonshme” dhe e shikoi me përbuzje gëzimin e popullit të tij.
VETËVENDOSJA KUNDËR ARRITJEVE TË KOMBIT: SHPALLJA E PAVARËSISË SI “ZHVILLIM MBRAPA”
Beteja e verbër e Lëvizjes Vetëvendosje kundër Aktit Historik të 17 Shkurtit nuk u ndal me shpalljen e Pavarësisë. Ajo vazhdoi me të njëjtin intensitet agresiv edhe atëherë kur Republika e Kosovës po rritej e po konsolidohej çdo ditë përpara syve të mbarë botës.
Ndërsa shteti i ri po pagëzohej me njohje ndërkombëtare nga fuqitë më të mëdha të globit, si Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Britania e Madhe, Franca, Gjermania, Italia, Japonia, Australia, Kanadaja e dhjetëra vende të tjera, Albin Kurti zgjodhi të rreshtohej në anën e gabuar të historisë.
Nëse sot hulumton arkivin zyrtar të Lëvizjes Vetëvendosje, përballesh me një dokumentacion tronditës. Pothuajse çdo trakt, deklaratë dhe komunikatë e lëshuar në atë periudhë ishte një sulm i hapur ndaj realitetit të ri shtetëror. Në vend që të gëzoheshin për Kosovën krahas botës demokratike, Kurti dhe organizata e tij mbillnin mosbesim e dyshim.
Për Albin Kurtin, ai moment që bota perëndimore e quajti “triumf të drejtësisë dhe lirisë”, ishte thjesht një “zhvillim mbrapa”.
Ky përcaktim skandaloz dhe fyes për sakrificën e një populli të tërë mbetet njolla më e madhe në biografinë e tij politike. Në kohën kur superfuqitë botërore hapnin ambasadat e tyre në Prishtinë dhe njihnin sovranitetin tonë, Albin Kurti e cilësonte lindjen e Republikës si një hapa prapa për Kosovën.
DEFUNKSIONALIZIMI I REPUBLIKËS TË SAPOKRIJUAR – ALBIN KURTI GJEN ARMËN E TIJ, “KOKTEJIN E MOLOTOVT” KUNDËR INSTITUCIONEVE TË KOSOVËS
Pasi dështoi të bindte popullin të ngrihej kundër shpalljes së Pavarësisë, Albin Kurti kaloi në fazën tjetër, më të errët të karrierës së tij politike: atë të dhunës së hapur dhe defunksionalizimit të shtetit. Ajo që nisi si një opozitë politike, shpejt u shndërrua në një betejë urbane kundër vetë institucioneve të Republikës së Kosovës.
Në memorien historike të Prishtinës do të mbeten të pashlyeshme skenat e dhunës në rrugë, ku Lëvizja Vetëvendosje nën udhëheqjen dhe frymëzimin e Kurtit, përdori “koktejin e molotovit” si mjetin kryesor për të djegur e shkatërruar institucionet shtetërore.
Makinat e policisë përmbyseshin, ndërtesat qeveritare sulmoheshin me zjarre, dhe policët e Kosovës, goditeshin me gurë e mjete shpërthyese. Për Kurtin, rruga drejt pushtetit duhej të kalonte mbi tymin dhe hirin e institucioneve të sapongritura.
Por, agresioni nuk u ndal në rrugë. Ai u zhvendos në tempullin e demokracisë, në Kuvendin e Republikës së Kosovës. Përmes një bllokade të paprecedentë në historinë e parlamenteve botërore, Kurti dhe deputetët e tij përdorën gazin lotsjellës si armë politike për të paralizuar shtetin. Pamjet e Kuvendit të mbytur në tym, të deputetëve me maska gazi dhe të seancave që ndërpriteshin nën panik, bënë xhiron e botës, duke dëmtuar rëndë imazhin e Kosovës si një shtet demokratik dhe funksional.
Ky ishte kulmi i një strategjie të rrezikshme: defunksionalizimi total i shtetit të ri, që, si askush tjetër, e kishte të domosdoshëm stabilitetin e brendshëm, si dëshmi për botën e jashtme.
Ky kapitull mbetet dëshmia më e pastër e një paradoksi të frikshëm: njeriu që dikur i trembej armës përballë armikut në vitin 1998, nuk ngurroi të përdorte gazin lotsjellës dhe molotovin kundër institucioneve të shtetit të vet në paqe, vetëm e vetëm për të gjunjëzuar Republikën përpara ambicieve të tij për pushtet absolut.
KRYEMINISTRI QË IZOLOI REPUBLIKËN DHE RREZIKON ALEANCAT E KOSOVËS
Nëse historia e Albin Kurtit nisi me refuzimin e luftës në vitin 1998, vazhdoi me refuzimin e Pavarësisë së Kosovës në vitin 2008 dhe me djegien e institucioneve në vitet në vijim, kapitulli i tij si Kryeministër po shënon goditjen më të rëndë që i është bërë interesave strategjike të Kosovës.
Sot, nën drejtimin e tij, Kosova ka mbërritur në një pikë kritike që dikur dukej e imagjinueshme: thyerjen e raporteve dhe humbjen e mbështetjes pa kushte nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
Gjatë viteve të tij në pushtet, zyrtarët më të lartë të Uashingtonit, nga Shtëpia e Bardhë, Departamenti i Shtetit dhe ambasadorët amerikanë, kanë lëshuar paralajmërime të njëpasnjëshme, të qarta dhe të prera. Mesazhi i SHBA-së ka qenë tronditës: me politikën e njëanshme dhe të pakoordinuar të Albin Kurtit, Ëashingtoni nuk do të jetë më avokati i Kosovës në arenën ndërkombëtare.
SHBA-ja e ka bërë të qartë se partneriteti strategjik kërkon besueshmëri, dhe se Amerika nuk mund të avokojë për integrimin e Kosovës në organizata ndërkombëtare, as për njohje të reja apo për mbrojtjen e saj në skenën globale, kur Kryeministri i vendit minon në mënyrë aktive përpjekjet dhe këshillat e tyre për sigurinë dhe stabilitetin në rajon.
Ky është rezultati tragjik i të ashtuquajturit “sovranitet” të Albin Kurtit. Pa mbështetjen e SHBA-së, Kosova mbetet e ekspozuar, e izoluar dhe e pafuqishme përballë sfidave gjeopolitike. Duke e sjellë shtetin buzë kësaj humnere diplomatike, Kurti po realizon në qeverisje atë që predikonte mosbesim dikur në opozitë: zhveshjen e Kosovës nga aleancat që e ndihmuan për lirinë dhe shtetësinë.
LUFTA E ALBIN KURTIT PËR PËRBALTJEN E LUFTËTARËVE TË LIRISË
Zhvlerësimi i historisë dhe zbehja e dashurisë për Republikën nuk po ndodhin rastësisht; ato janë produkt i një fushate të egër, të mirëorganizuar dhe të shtrirë gjerësisht në rrjetet sociale. Ky fenomen, përkrahet nga një makineri e fuqishme propagandistike, e cila ushqehet nga resurset masive financiare që Lëvizja Vetëvendosje ka në dispozicion si partia më e madhe në pushtet.
Me buxhete të larta financiare, Vetëvendosje ka ndërtuar një ushtri digjitale të paprecedentë. Kjo makineri përbëhet nga profile të rreme, faqe të sponsorizuara dhe portale fantazmë që funksionojnë 24 orë në ditë, 7 ditë në javë, me një qëllim të vetëm: linçimin publik dhe baltosjen e çdo figure që lidhet me luftën e UÇK-së dhe ndërtimin e shtetit të Kosovës.
Sa herë që përmenden vlerat e luftës apo kur udhëheqësit historikë të Kosovës përballen me procese të rëndësishme, makineria digjitale e VV-së lëshohet në sulme masive, duke i etiketuar ata si “tradhtarë”, “hajdutë” dhe “shkatërrues të shtetit”.
Përmes videove të montuara shkurt, algoritmeve të paguara në TikTok e Facebook, dhe narrativave të thjeshtëzuara, kjo propagandë synon brezat e rinj, ata që nuk e kanë përjetuar tmerrin e luftës dhe as sakrificën e çlirimit, duke ua rishkruar historinë sipas interesit të Albin Kurtit.
Paratë e mëdha të investuara në marketingun digjital arrijnë të mbytin zërin e intelektualëve, analistëve dhe dëshmitarëve të vërtetë të historisë, duke e zëvendësuar të vërtetën me gënjeshtra të përsëritura mijëra herë.
Kjo luftë e përbaltjes tregon fytyrën e vërtetë të këtij sistemi. Paratë që do të duhej të shkonin për zhvillimin e vendit, për arsim apo për shëndetësi, përdoren për të blerë klikime dhe për të helmuar opinionin publik.
Dhe ky helm, shpërndahet çdo ditë edhe nga goja e Albin Kurtit.