Ministria e Turizmit, Kulturës dhe Sportit ka shpallur sot nisjen e procesit të konsultimit publik për projektvendimin “Për miratimin e Strategjisë Kombëtare për Kulturën 2026–2030”. Nisma synon kalimin nga ndërhyrjet e fragmentuara drejt një reforme strukturore e të integruar, duke e pozicionuar Shqipërinë si një qendër kulturore me rëndësi në Ballkanin Perëndimor deri në vitin 2030.
Sipas dokumentit të vënë për konsultim nga ministri Blendi Gonxhja, faza e diskutimit në portalin e Regjistrit Elektronik do të zgjasë 20 ditë pune, duke filluar nga data 25 Maj 2026 deri më 22 Qershor 2026. Projektakti është pjesë e Programit të Përgjithshëm Analitik të Projektakteve për vitin 2026 dhe përmbush detyrimet e Planit Kombëtar të Integrimit Evropian (PKIE).
Ndryshimet ligjore dhe tri shtyllat strategjike
Strategjia bazohet në një paketë reformash legjislative që prekin rishikimin e plotë të kuadrit ekzistues, duke përfshirë modernizimin e Ligjit për Artin dhe Kulturën, mbrojtjen e trashëgimisë dhe “vendosjen e Statusit të Artistit si një kuadër ndërsektorial”. Këto ndryshime do të shoqërohen me rregullime fiskale dhe tatimore për të nxitur sponsorizimet private.
Operacionalizimi i strategjisë mbështetet mbi tri shtylla kryesore:
Kultura si nxitëse e cilësisë së jetës, modernizimi i muzeve, forcimi i qendrave kulturore dhe krijimi i programeve kombëtare për të rinjtë.
Kultura si mjet dialogu në nivel ndërkombëtar, promovimi i krijimtarisë shqiptare jashtë vendit, mobiliteti i artistëve dhe forcimi i bashkëpunimit me UNESCO-n.
Mundësimi i ekosistemit kulturor, ngritja e platformave digjitale, krijimi i Njësisë së Koordinimit të Politikave Kulturore dhe zbatimi i udhërrëfyesit të reformës ILGA.
Trajektorja financiare dhe objektivi i PBB-së
Plani financiar afatmesëm parashikon një investim mesatar vjetor prej rreth 10 miliardë lekësh. Përmes këtij buxheti, Shqipëria angazhohet të dyfishojë alokimet aktuale (që luhaten mes 0.3–0.5% të PBB-së), duke synuar të arrijë të paktën 0.8% të PBB-së për kulturën deri në vitin 2030, me projeksion afatgjatë drejt nivelit 1–1.2% (mesatarja e BE-së).
Zbatimi i buxhetit është ndarë në dy faza specifike:
Faza 1 (2026–2027)- Faza e fillimit dhe nxitjes, ku shpenzimet totale vjetore do të rriten nga 4 miliardë lekë në afërsisht 7 miliardë lekë, me fokus te kapacitetet dhe infrastruktura.
Faza 2 (2028–2030)- Faza e konsolidimit dhe stabilizimit, ku do të ulet gradualisht varësia nga shpenzimet publike direkte përmes diversifikimit të burimeve.
Fondet e rialuara (Buxheti i Shtetit), fond bazë ekzistues i ridrejtuar drejt prioriteteve të reja 40% (4 mld lekë/vit)
Alokime të reja publike, rritje vjetore buxhetore prej 3 miliardë lekësh për fazën e pare, 30%
Fondet ndërkombëtare dhe të BE-së, mbështetje nga programet e BE-së, IPA III dhe Banka Botërore, 15%
Stimuj privatë dhe fiskalë, donacione, sponsorizime dhe mbledhje fondesh nga diaspora, 10%
Partneritetet Publiko-Private (PPP), investime të përbashkëta në infrastrukturë dhe qendra inovative, 5%
Për hartimin e këtij projektakti, Ministria e Turizmit, Kulturës dhe Sportit ka bashkëpunuar me Agjencinë Italiane të Zhvillimit nëpërmjet Fondacionit Santagata. Progresi i zbatimit të strategjisë do t’i nënshtrohet një rishikimi formal afatmesëm në vitin 2028, shoqëruar me raportime vjetore në Këshillin e Ministrave dhe në Kuvend. Projektvendimi hyn në fuqi pas botimit në Fletoren Zyrtare.