Klubi i Paris SG, por edhe policia në Francë bënë thirrje që të mos përsëriteshin ngjarjet e vitit të kaluar kur ekipi i Luis Enriques fitoi Champions League. Megjithatë çdo gjë ra në vesh të shurdhër. Raportimet e fundit nga mediat në Francë bëjnë me dije se një 20-vjeçar humbi jetën gjatë festimeve për trofeun e Paris SG, ndërsa 780 persona janë arrestuar në të gjithë Francën.
Gjatë natës, sidomos në rrugët pranë stadiumit të Paris SG, pati përplasje mes tifozëve dhe policëve. Me qindra fishekzjarrë u hodhën në drejtim të forcave të rendit, të cilët kërkonin të normalizonin situatën. Ultrasit francez shkatërruan rrugët dhe hynë në dyqane, duke përfituar nga rrëmujat për të bërë grabitje.
Nga ‘lufta’ 219 persona mbetën të plagosur, ndërsa numri i të arrestuarve u rrit me 32% nga viti i kaluar kur Paris SG fitoi finalen e Champions League kundër Interit. Në atë rast pati dy të vdekur, ndërsa mbrëmë u raportua edhe për një plagosje me thikë. Nga forcat e policisë raportohet për 59 të plagosur, ndrësa bilanci pritet të përkeqësohet.
Kjo sepse Paris SG ka parashikuar të dielën pasdite paradën për festimin e Champions League kundër Arsenalit. Klubi kryeqytetas do të parakalojë para Champs-de-Mars përpara Kullës Eiffel, ndërsa për ngjarjen rreth 6 mijë forca policie dhe xhandarmërie janë në gadishmëri.
Të shtunën Paris SG u bë ekipi i dytë pas Real Madrid që fiton dy vite radhazi Champions League. Klubi i drejtuar nga Luis Enrique mposhti në finale me penallti Arsenalin pasi 120 minutat përfunduan me shifrat 1-1.