Kombëtarja shqiptare U-17, e drejtuar nga trajneri Armand Dama, ka pësuar një humbje të rëndë me rezultatin 0–4 ndaj Ukrainës U-17, në ndeshjen e zhvilluar në stadiumin e Egnatias në Rrogozhinë, e vlefshme për raundin e dytë të Ligës B në kualifikueset e Kampionatit Europian.
Skuadra ukrainase kaloi në avantazh në minutën e 42-të, ndërsa në pjesën e dytë arriti të shënojë edhe tre gola të tjerë, duke vulosur fitoren e thellë. Situata për Shqipërinë u vështirësua më tej pas daljes me karton të kuq të Frensi Malit në fundin e pjesës së parë.
Në ndeshjen e parë të këtij grupi, Shqipëria kishte arritur një barazim 2–2 ndaj Letonisë, por pas kësaj humbjeje renditet në vendin e fundit në grup.
Problemet e rezultateve nuk kufizohen vetëm te ekipi U-17, pasi edhe Kombëtarja U-19 ka pasur paraqitje të dobëta gjatë këtij muaji, duke humbur dy miqësore ndaj Bullgarisë, ku ka pësuar gjithsej katër gola pa arritur të shënojë asnjë.