Një tërmet i fuqishëm me magnitudë 6.2 ballë ka goditur të martën zonën pranë brigjeve veriperëndimore të Kubës, sipas njoftimit të Qendrës Kombëtare për Kërkime Sizmologjike të vendit (CENAIS). Epiqendra e lëkundjeve është lokalizuar rreth 100 kilometra në veriperëndim të qytetit Mantua, ndërsa thellësia e tij është vlerësuar në 20 kilometra.
Sipas raportimeve të mediave ndërkombëtare, lëkundjet kanë zgjatur disa sekonda dhe janë ndjerë në një territor të gjerë, duke shkaktuar shqetësim dhe panik te banorët. Shumë qytetarë kanë dalë menjëherë nga banesat dhe ndërtesat për arsye sigurie.
Mes dëshmive të banorëve ishte edhe ajo e Carmen Delgado, një ekonomiste 47-vjeçare nga Havana, e cila deklaroi: **“Në fillim mendova se po më merrej mendja. Nuk e kuptova menjëherë se ishte tërmet, pasi nuk kisha përjetuar kurrë diçka të tillë. Sapo kuptuam çfarë po ndodhte, dolëm menjëherë jashtë.”**
Lëkundjet sizmike janë ndjerë edhe në pjesë të juglindjes së Shteteve të Bashkuara, përfshirë Floridën. Ndërkohë, institucione të tjera ndërkombëtare të monitorimit sizmik, si Shërbimi Gjeologjik i SHBA-së (USGS), Qendra Sizmologjike Euro-Mesdhetare (EMSC) dhe Qendra Gjermane e Kërkimeve të Gjeoshkencave (GFZ), e kanë vlerësuar magnitudën e tërmetit në 6.1 ballë.
Deri në këto momente, autoritetet nuk kanë raportuar viktima apo dëme të mëdha materiale, ndërsa monitorimi i situatës vijon nga institucionet përgjegjëse.