Gjatë vizitës së tij zyrtare në Shtetet e Bashkuara, ministri i Mbrojtjes, Ermal Nufi, i shoqëruar nga Shefi i Shtabit të Përgjithshëm të Forcave të Armatosura, gjenerallejtënant Arben Kingji, zhvilloi një takim me gjeneral brigade Yvonne L. Mays, Adjutante e Përgjithshme e Shtetit të Nju Xhersit dhe Komisionere për Çështjet Ushtarake.
Në takim u vu në dukje rëndësia e bashkëpunimit 25-vjeçar mes Shqipërisë dhe Gardës Kombëtare të Nju Xhersit, një partneritet që ka luajtur rol të rëndësishëm në modernizimin dhe zhvillimin e Forcave të Armatosura shqiptare.
Diskutimet u përqendruan në fusha kyçe të bashkëpunimit, si fuqizimi i Trupës së Nënoficerëve, avancimi i arsimit ushtarak, rritja e kapaciteteve në mbrojtjen kibernetike, mbështetja për operimin e plotë të Bazës Ajrore të Kuçovës, si dhe zgjerimi i bashkëpunimit në kuadër të NATO-s dhe sigurisë euroatlantike.
Ministri Nufi vlerësoi kontributin e Gardës Kombëtare të Nju Xhersit në ngritjen profesionale të nënoficerëve shqiptarë përmes programeve të trajnimit, mentorimit dhe shkëmbimit të eksperiencave, duke theksuar ndikimin pozitiv që ky partneritet ka pasur në rritjen e standardeve dhe efektivitetit operacional të Forcave të Armatosura.
Palët shkëmbyen gjithashtu mendime mbi sfidat aktuale të sigurisë dhe nevojën për shtimin e investimeve në mbrojtje, në përputhje me objektivat dhe angazhimet e Aleancës së NATO-s.
Takimi konfirmoi angazhimin e përbashkët për thellimin e mëtejshëm të marrëdhënieve mes dy forcave, me synimin për të ndërtuar një fazë të re bashkëpunimi në funksion të paqes, stabilitetit dhe sigurisë rajonale.
Në përfundim të vizitës, ministri Nufi i akordoi gjeneral brigade Yvonne L. Mays “Medaljen e Artë të Shërbimit Ushtarak”, si shenjë vlerësimi për kontributin e saj në forcimin e marrëdhënieve ushtarake mes Shqipërisë dhe Gardës Kombëtare të Nju Xhersit, si dhe për mbështetjen e vazhdueshme në zhvillimin e kapaciteteve dhe partneritetit strategjik ndërmjet dy institucioneve.