Kryeministri i Mbretërisë së Bashkuar, Keir Starmer, ka emëruar Dan Jarvis si Sekretar të ri të Mbrojtjes, pas dorëheqjes së papritur të John Healy, i cili u tërhoq nga posti mes shqetësimeve për nivelin e ulët të shpenzimeve qeveritare për mbrojtjen. Dan Jarvis, 52 vjeç, konsiderohet një nga figurat më me përvojë të Partisë Laburiste në fushën e sigurisë kombëtare dhe mbrojtjes. Para hyrjes në politikë, ai ka shërbyer si oficer në Regjimentin e Parashutistëve Britanikë, duke marrë pjesë në misione në Kosovë, Irak, Afganistan dhe Irlandën e Veriut. Ai është diplomuar në Akademinë Ushtarake Mbretërore Sandhurst dhe ka studiuar Politikë dhe Strategji Ndërkombëtare.
Jarvis u zgjodh për herë të parë deputet në vitin 2011 për Barnsley në veri të Anglisë, ndërsa më vonë shërbeu edhe si Kryetar i Bashkisë së Yorkshire Jugore. Deri në emërimin e tij të ri, ai mbante një rol në qeveri me përgjegjësi për luftën kundër terrorizmit, sigurinë kufitare dhe sigurinë kombëtare. Emërimi i tij vjen në një moment të ndjeshëm politik për qeverinë britanike, mes thirrjeve në rritje brenda Partisë Laburiste për përcaktimin e një afati për drejtimin e partisë nga Starmer. Paralelisht me dorëheqjen e John Healy, raportohet se është larguar nga detyra edhe Sekretari për Forcat e Armatosura, Al Carnes.
Dy ish-zyrtarët kishin theksuar se niveli aktual i financimit për mbrojtjen është i pamjaftueshëm për sfidat ndërkombëtare, në një kohë kur lufta në Ukrainë, tensionet në Lindjen e Mesme dhe paralajmërimet e strukturave ushtarake po rrisin presionin për forcimin e kapaciteteve mbrojtëse të Britanisë.
Nga ana e tij, Keir Starmer ka mbrojtur qasjen e qeverisë, duke theksuar se është parashikuar një rritje e ndjeshme e shpenzimeve të mbrojtjes në vitet e ardhshme.
Kush është Dan Jarvis?
Dan Jarvis ka lindur më 30 nëntor 1972. Ai ka shërbyer si oficer në Regjimentin Britanik të Parashutistëve, ka marrë pjesë në misione në Kosovë, Irak, Afganistan dhe Irlandën e Veriut, është diplomuar në Akademinë Ushtarake Sandhurst dhe ka shërbyer si Kryetar Bashkie i Yorkshire Jugore.