Në ceremoninë përmbyllëse të procesit të Vettingut, kryetari i Kuvendit, Niko Peleshi, e cilësoi reformën në drejtësi si një nga ndërhyrjet më të thella dhe më të guximshme të ndërmarra ndonjëherë nga shteti shqiptar.
Gjatë fjalës së tij, Peleshi u shpreh se dita e sotme shënon mbylljen e një kapitulli të rëndësishëm në historinë e vendit, duke theksuar se reforma në drejtësi nuk ishte thjesht një reformë e zakonshme, por një akt vetëkorrigjimi i shtetit përballë një plage historike dhe kulturore.
Peleshi vlerësoi procesin e Vettingut si një hap vendimtar në forcimin e shtetit të së drejtës dhe në rritjen e besimit të qytetarëve tek institucionet e drejtësisë.
“Ka momente në jetën e një shteti që nuk përcaktohen në kalendar, por me peshën që le në histori. Sot është një moment i tillë, sot përmbyllet veprimtaria e një institucioni të spikatur kushtetues por mbi të gjitha përmbyllet një kapitull. Një kapitull që do të mbahet mend për ndërhyrjet e thella dhe të guximshme që shteti shqiptar ka ndërmarrë. Reforma në drejtësi nuk ishte thjesht një reformë e radhës por një akt vetëkorrigjimi i shtetit nga një plagë historike dhe kulturore. Ishte vendimi për tu përballur me mosbesimin e qytetarëve tek drejtësi. 10 vite më parë Shqipëria mori një rrugë që pak vende kanë pasur kurajën ta ndjekin. Ajo vendosi që sistemi i drejtësisë ti nënshtrohej filtrit më të fortë që kishte njohur ndonjëherë”, tha Peleshi.
Gjatë fjalës së tij, Peleshi u shpreh se pas procesit të paprecedentë të Vettingut mund të ketë vlerësime të ndryshme, por sipas tij një fakt mbetet i padiskutueshëm: Shqipëria e vitit 2026 është ndryshe nga ajo e vitit 2016.
Kryetari i Kuvendit nënvizoi se rëndësia e institucionit të Vettingut nuk përfundon me mbylljen e mandatit të tij, pasi normat dhe standardet e vendosura gjatë këtij procesi do të vazhdojnë të mbeten pjesë e sistemit të drejtësisë dhe të shtetit të së drejtës në vend.
“Nuk mund të ketë shtet të fortë pa drejtësi të besueshme nuk mund të ketë demokraci funksionale pa institucione që frymëzojnë besimin e qytetarëve dhe nuk mund të ketë të ardhme evropiane pa sundim të kushtëzuar të ligjit. Pas kësaj sipërmarrje të pa precedentë mund të ketë pikëpamje të ndryshme për ta shoqëruar këtë proces por një fakt mbetet kokëfortë, Shqipëria e vitit 2026 nuk është Shqipëria e vitit 2016. Institucionet janë të ndryshme, standardet janë të ndryshme, besimi dhe pritshmëria e qytetarëve shqiptar është e ndryshme. Rëndësia e këtij institucioni nuk përfundon me mbarimin e mandatit të tij sepse normat dhe standardet që ai krijoi do të mbeten”, tha ai.
/rtsh.al/