Ministri i Mbrojtjes i Republikës së Shqipërisë, z. Ermal Nufi mori pjesë sot në Takimin e Ministrave të Mbrojtjes të vendeve anëtare të NATO-s, zhvilluar në Bruksel, ku u diskutuan prioritetet kryesore të Aleancës në funksion të forcimit të sigurisë dhe mbrojtjes kolektive në hapësirën euro-atlantike.
Në ministerial është theksuar rëndësia e ruajtjes së unitetit ndërmjet aleatëve, rritjes së gatishmërisë operacionale dhe forcimit të kapaciteteve mbrojtëse përballë sfidave të reja dhe kërcënimeve në zhvillim ndaj sigurisë ndërkombëtare.
“Bashkëpunimi ndërmjet aleatëve, investimet në mbrojtje dhe modernizimi i kapaciteteve ushtarake janë garancia më e fortë për paqen, sigurinë dhe mbrojtjen e vlerave tona të përbashkëta”, deklaron Nufi.
Duke riafirmuar angazhimin e Shqipërisë në kuadër të NATO-s, ministri nënvizon ndër të tjera se: “Shqipëria do të vijojë të japë kontributin e saj të pandërprerë me përgjegjësi dhe vendosmëri në kuadër të NATO-s si një aleate e përkushtuar dhe e besueshme, duke forcuar rolin e saj si faktor stabiliteti në rajon e më gjerë.”